Në një kohë kur globalizimi e ka bërë të lehtë të harrosh rrënjët, një grup fëmijësh shqiptarë të lindur në Amerikë janë bërë zëri i një tradite që rrezikon të humbasë në harresë.
Të veshur me kostume popullore, me fjalë që ndonjëherë i mësonin për herë të parë në skenë, ata sollën para publikut një dasmë – por jo një dasmë çfarëdo. “Dasma krajane dhe ceremoniali i saj” nuk ishte thjesht një shfaqje, por një udhëtim në thellësitë e trashëgimisë kulturore të një treve që ka shumë për të treguar.
Pas kësaj vepre unike me fëmijët e shkollës “Fol Shqip” që ngjalli emocione e krenari në komunitetin shqiptar të diasporës, qëndron z. Hamid Alaj – autor i librit që frymëzoi shfaqjen dhe një nga kontribuuesit më të përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Krajës. Në këtë intervistë ai ndan me ne historinë pas librit, sfidat e dramatizimit me fëmijët e lindur në mërgim, dhe atë çka kjo përvojë i mësoi për gjuhën, kulturën dhe fuqinë e kujtesës kolektive.
Z. Alaj, si lindi ideja për të shkruar librin “Dasma krajane dhe ceremoniali i saj”? Çfarë ju shtyu të dokumentoni këtë traditë?
Në traditën e trevës së Krajës ka shumë elemente të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të këtij populli të trashëguar brez pas brezi, të ruajtura në njëfarë mënyre deri në ditët e sotit, por edhe të ndryshuara nga faktorë të ndryshëm të jetës bashkëkohore, të cilat janë të rrezikuara të shlyhen dhe të zhduken nga kujtesa, sepse siç thotë një fjalë popullore: “Në çdo grunë ka egjër”, por format e ruajtjes së tyre nuk janë të pashlyeshme.
Andaj duke u nisur nga kjo ide-formë e ruajtjes, po ashtu duke e parë se shumica e tyre janë në zhdukje dhe në harresë të sipërme, si bir i trevës së Krajës i shtrova detyrë vetes që të jap një kontribut modest në ruajtjen e elementeve të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të popullit të trevës së Krajës, dhe kështu njërën nga ato e titullova “Dasma krajane dhe ceremoniali i saj”.
A e kishit menduar që ky libër një ditë do të dramatizohej dhe do të ngjitej në skenë nga fëmijë të lindur në Amerikë, por me origjinë shqiptare?
Të jem i sinqertë me ju dhe me opinionin e gjerë si dhe me lexuesin e mirëfilltë të revistës “Flasim Shqip”, se një gjë të tillë nuk e kam menduar. Që librin tim ta dramatizoj dhe të ngjitet në skenë, e aq më tepër të shfaqet nga fëmijët e lindur në Amerikë kurrë.
E prekëm pak te pyetja më lart por do të doja të mësoja më shumë se çfarë përfaqëson “dasma krajane” si simbol dhe si pjesë e trashëgimisë kulturore për ju?
“Dasma krajane” për mua në veçanti, por besoj se edhe për popullin e Krajës në përgjithësi, përfaqëson një ndër elementët kryesore të trashëgimisë popullore të trevës së saj. Pra, “Dasma krajane” si çdo dasëm tjetër e trevave shqiptare dhe jo vetëm, është një rit-ceremoni ku dy njerëz bashkohen me martesë.
A mund të ndani me ne se si lindi ideja për ta shndërruar librin në një pjesë për teatër për fëmijë?
Kjo është një ndër pyetjet më interesante. Dramatizimi i librit dhe realizimi i një shfaqjeje, këtu në diasporë është shumë i vështirë. Kjo duke pasur parasysh kushtet që duhet të zhvillohet drama, pasi ne kemi përfshirë një pjesë të riteve të dasmës. Idea për realizimin e kësaj drame ka qenë e grupit udhëheqës të Shoqatë “Besi” e cila vepron këtu në diasporë, e posaçërisht e znj. Medina Vela Xhaferaj e cila më pyeti nëse mundesha ti ndihmoja në realizimin e këtij projekti në kuadër të shoqatës ku ajo vepron. Dhe unë si bir i Krajës pranova një gjë të tillë dhe puna filloi me plotë dëshirë për të dhënë kontributin tim në këtë drejtim.
Sa sfiduese ishte për ju të përkthenit një tekst dokumentar në një formë artistike dhe të gjallë për skenë siç është dramatizimi. Me një faktor vështirësie deri diku sepse bëhet fjalë për fëmijët?
Vërtetë ishte shumë sfiduese dhe pothuaj se çdo herë që mendoja për ditën e provave me fëmijët e lindur këtu në mërgim, më shtoheshin vështirësitë edhe më shumë dhe gati-gati isha në atë gjendje që ta ndërpres punën e nisur. Por falë vendosmërisë, dëshirës, seriozitetit në punë, vullnetit dhe pasionit, pastaj entuziazmit që grupi udhëheqës i Shoqatës “Besi” kishin për punën e nisur dhe realizimin e kësaj drame i mundi të gjitha sfidat dhe vështirësitë që na dilnin përpara.
Si u zhvillua puna me ndihmë-regjisoret dhe ekipin skenik për të ndërtuar këtë botë autentike në skenë?
Dua të them, madje pa hezituar fare, se puna e zhvilluar me ndihmës-regjisoret dhe ekipin tjetër të punës u zhvillua për ditë e më mirë deri në punën përfundimtare të dramës, realizimin e saj. Dua t’i falenderoj të gjitha ndihmës-regjisoret të cilat dua ti ceki emër për emër me dorë në zemër si znj. Medina Xhaferaj, znj. Sabrina Xhaferaj, znj. Medina Hoxha, znj. Merime Asanaj, znj. Servete Xhaferaj, pastaj ekipin skenik që ishin pranë nesh për idetë dhe mendimet e tyre se si duhej përgaditur skena, e ato janë: Kryetari i Shoqatës “Besi” z. Sejadin Xhaferaj, nënkryetari i saj z. Nexhat Xhaferaj, etj., që të gjithë së bashku bënë një punë të jashtëzakonshme dhe shumë mbresëlënëse që çdo gjë të realizohej sipas parashikimeve të parapara për shfaqjen e kësaj drame ku arritëm të sjellim një vepër të plotë dhe të denjë për traditën tonë këtu në diasporë.
Çfarë ndikimi patën përgatitjet e kësaj shfaqjeje tek fëmijët shqiptarë të lindur ose rritur në diasporë?
Po pati ndikim. Them këtë se fëmijët në fillim ishin aq të çuditur se çfarë po luhej, çfarë po bënin, para kujt duhej prezantuar dhe aq më shumë sepse pak i kuptonin edhe fjalët se çfarë duhet të thënë gjatë interpretimit. Mirëpo me kalimin e provave dhe përgatitjeve intensive për shfaqjen e dramës fëmijët filluan të kuptojnë se do të duhej të ishin aktorë të vërtetë para audiencës prezente, dhe kështu filluan ta ndienin veten vërtetë aktorë. Pra kjo pati një ndikim të madha tek fëmijët-aktorë të dramës.
A patën ata vështirësi në të kuptuarit e kontekstit kulturor dhe gjuhësor? Si e përballuat këtë?
Duhet kuptuar një gjë. Fëmijët e lindur këtu në emigrim edhe pse dinë të komunikojnë në gjuhën shqipe po aq sa mësojnë nga prindërit e tyre, kur është fjala të kuptuarit e gjuhës shqipe në kontekstin kulturor e aq më tepër atë gjuhësor, është pak e vështirë për ta. Mirëpo, për të kuptuar atë se çfarë ata duhej të dinin gjatë luajtjes së rolit që u caktohej në dramë, ne si grup punues menduam që shpjegimin e veprimit ta bënim në kllapa në gjuhën angleze dhe falë punës së bërë të kryetarit të Shoqatës “Besi” z. Sejdin Xhaferaj, na bëri të mundur përkthimin dhe shpjegimin në gjuhën angleze, i cili ka bërë një punë mbresëlënëse. Kjo ka lehtësuar në mënyrë të dukshme punën dhe të kuptuarit të rolit se çfarë fëmijët duhej të mësonin dhe si të vepronin-luanin në skenë.
Në opinionin tuaj, çfarë roli mund të luajë teatri në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor në diasporë?
Mund të them se çdo aktivitet kulturor, çdo orë mësimi në gjuhën shqipe, çdo komunikim në gjuhën shqipe, çdo organizim i përbashkët i komunitetit shqiptarë në diasporë në përgjithësi, po ashtu edhe shfaqja teatrale luan rolin e saj në ruajtjen e identitetit kulturor në diasporë sepse shumë elemente të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptarë të trashëguar brez pas brezi, të ruajtura në njëfarë mënyre deri në ditët e sotme, përmes këtyre aktiviteteve kulturore ndikojnë edhe tek gjeneratat e lindura këtu në diasporë.
A mendoni se përmes pjesëmarrjes në këto aktivitete fëmijët ndihen më pranë prejardhjes së tyre?
Mendoj se po, sepse tani kanë filluar dhe i dinë shumë gjëra nga të parët e tyre, nga baballarët e tyre, gjyshërit dhe gjyshet e tyre, dhe, pothuaj se çdo vit së bashku me prindërit e tyre vizitojnë edhe vendlindjet e prindërve dhe kështu kanë filluar të mësojnë edhe disa nga traditat e fshatrave prej nga prindërit e tyre kanë origjinën e vet-vendlindjen.
Si mund të ndikojë një shfaqje si kjo në ndërtimin e një vetëdije më të thellë kulturore tek brezi i ri?
Këtu është shumë vështirë të kuptohet se sa ka ndikuar për herë të parë një shfaqje e një drame tek brezi i ri këtu në diasporë sepse kjo është nëse nuk gabohem drama e parë, ose një ndër dramat e para të shfaqura në diasporë. Mirëpo me vazhdimin e shfaqjes edhe nëpër qendra tjera kulturore apo shkolla tjera publike mendoj se do të ndikojë te brezi i ri por edhe tek brezi i moshuar, sepse një shfaqje e një drame të tillë tregon shumë në ruajtjen e riteve kulturore të një treve të bartur nga origjina e tyre deri në diasporën e largët.
Si ishte reagimi i publikut, i prindërve dhe i komunitetit pas kësaj shfaqjeje?
Reagimi i publikut i cili ishte i shumtë ishte jashtëzakonisht emocionues dhe i mirëpritur. Shumica e tyre në fillim nuk e dinin se për çfarë bëhej fjalë, në kontekstin e përgjithshëm dhe çfarë po u prezantohej, mirëpo me përgatitjen e skenës nga grupi punues dhe pamjet mahnitëse që shfaqte skena para syve të tyre, publiku mbeti pa fjalë sepse para tyre po paraqitej një shtëpi e vjetër krajane me elementet e saja përbërëse. Gjatë shfaqjes na ndihmuan shumë me duartrokitjet e tyre të zjarrta sa herë që mbyllej perdja apo këndohej ndonjë këngë gjatë shfaqje si dikur në dasmat krajane.
A patët mbështetje të mjaftueshme për realizimin e saj?
Po kemi pasur mbështetje të mjaftueshme, sidomos nga udhëheqësia e Shoqatës “Besi” të cilët më besuan një punë të tillë si regjisor i kësaj drame dhe sidomos nga ndihmës-regjisoret të cilat më mahnitën me punën e tyre të rregullt, komunikuese, inspiruese e vullnet dhënëse për të realizuar një punë me kaq përkushtim dhe frytëdhënëse për audiencën e pranishme.
Cilat ishin sfidat më të mëdha që hasët gjatë këtij procesi dhe si i kapërcyet ato?
Nuk mund të them se nuk ka pasur sfida gjatë realizimit të këtij projekti, duke pasur parasysh se ke të bësh me fëmijë të cilët pak kuptojnë në kontekstin kulturor e atë gjuhësor, por me punë, përkushtim, vullnet e pasioni për të realizuar diçka që është në favor të komunitetit nga unë vij dhe atij gjithëkombëtar gjithçka mund të kapërcehet, pra në këtë mënyrë edhe i kemi kapërcyer ato.
A planifikoni ta shfaqni dramën “Dasma Jonë” edhe me shkolla e fëmijë të tjerë me origjinë shqiptare ne USA?
Që prej ditës që kam dalë nga shfaqja, pasi u përshëndeta dhe grumbullova një “buqetë” urimesh nga të pranishmit, duke e parë se çfarë kemi bërë të gjithë së bashku me grupin punues me punën tonë dhe sa është pranuar, pëlqyer e duartrokitur nga të pranishmit, nuk më është larguar nga mendja që kjo dramë me ato vogëlush e vogëlushe, me ato petale e gonxhe të brezit të ardhshëm komunitar besian e krajanë në veçanti, kurse atij kombëtarë në përgjithësi të realizohet edhe në shkolla tjera. Sa i përket shfaqjes së dramës “Dasma Jonë” edhe me shkolla e fëmijë të tjerë me origjinë shqiptare në SHBA, varet nga udhëheqësit e shkollave shqipe këtu në diasporë dhe ftesës së tyre për të realizuar një gjë të tillë me nxënësit e tyre. Po a do pranoja? Me grupin punues që realizove këtë dramë me gjithë dëshirën më të madhe do të pranoja nëse grupi dhe ndihmës-regjisoret e mija do të pranonin një gjë të tillë. Gjithësesi kjo mbetet për tu parë. Ftesa është më kryesorja për momentin.





