Ambasadori shqiptar në Britani z. Uran Ferizi ka zhvilluar së fundmi disa vizita në qytete të ndryshme të Irlandës ku jetojnë dhe punojnë bashkëatdhetarë.
Një nga ndalesat e para ishte qyteti Cork, ku ambasadori u prit nga disa prej anëtarëve të komunitetit shqiptar, i cili në këtë zonë përbëhet nga rreth 400 persona – 150 prej tyre nga Kosova dhe 250 nga Shqipëria. Gjatë bisedës së përzemërt me ta, u diskutua për sfidat që hasin në përditshmëri, për nevojën e ruajtjes së identitetit kulturor dhe për mbështetjen institucionale që ambasada mund të ofrojë.
Një tjetër qytet si Tralee, në jugperëndim të Irlandës, ku ndodhet komuniteti shqiptar më i madh jashtë Dublinit. Me rreth 500 shqiptarë – 350 nga Kosova dhe 150 nga Shqipëria – Tralee është kthyer në një vatër të rëndësishme të diasporës shqiptare. Ambasadori vlerësoi kontributin e tyre në jetën sociale dhe ekonomike të qytetit, si dhe ruajtjen e gjuhës e kulturës kombëtare ndër breza.
Në qytetin Galway, ambasadori zhvilloi një sërë takimesh institucionale dhe komunitare. Vizita nisi me një pritje zyrtare nga Kryetari i Bashkisë Mike Cubbard, ish-Kryetari Frank Fahy dhe këshilltarë lokalë, me të cilët u diskutua për komunitetin shqiptar që jeton atje (rreth 350 persona, nga të cilët 200 nga Shqipëria dhe 150 nga Kosova), si dhe për mundësinë e një marrëdhënieje binjakëzimi mes Galway-t dhe një qyteti shqiptar.
Në vijim, ambasadori u takua me Prof. Becky Whay, zëvendëspresidente e Universitetit të Galway-t, me të cilën bisedoi për mundësi bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe shkëmbimeve akademike ndërmjet universiteteve shqiptare dhe irlandeze.
Një pjesë e veçantë e vizitës ishte takimi me biznesmenë shqiptarë në Galway, të cilët, përmes përkushtimit dhe punës së ndershme, kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të qytetit.
Ambasadori falënderoi me mirënjohje të gjithë shqiptarët për mikpritjen e ngrohtë dhe veçanërisht bashkatdhetarët që ndihmuan në organizimin e takimeve: Azem Kolecin në Cork dhe Ndrek Gjinin në Galway, për angazhimin dhe shoqërimin e papërtueshëm.
“Këto takime janë një kujtesë se kudo që perfundojmë, ne mbetemi një familje. Jam thellësisht mirënjohës për kontributin e diasporës sonë në Irlandë dhe do të jem gjithmonë pranë tyre për çdo nevojë apo bashkëpunim të mundshëm,” u shpreh ambasadori pas vizitave.




