Parku Arkeologjik i Bylisit, një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë dhe një pasuri e çmuar e trashëgimisë kulturore shqiptare, po hyn në një fazë të re të ruajtjes dhe promovimit falë mbështetjes së Bashkimit Evropian.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka njoftuar nisjen e fushatës “Unë jam Bylis”, që ka në fokus ndërgjegjësimin për rëndësinë e këtij qyteti antik dhe potencialin që ai ka për zhvillimin ekonomik të zonës përreth. Sipas njoftimit, “një zë nga gurët që formësuan identitetin shqiptar po ngrihet përsëri përmes shkencës dhe bashkëpunimit”, duke ju referuar punës së përbashkët mes arkeologëve shqiptarë dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).
Mbështetje financiare deri në 50,000 euro për projekte lokale
Në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik – drejtuar nga turizmi”, çdo individ apo grup që ka një ide për trashëgiminë kulturore ose zhvillimin ekonomik të zonës së Bylisit, mund të aplikojë për një grant që varion nga 30,000 deri në 50,000 euro. Afati i aplikimeve është deri më 23 gusht 2025.
Plani i Menaxhimit 2024–2029 për transformimin e zonës
Ky program përfshin ndërhyrje të shumanshme si restaurimi profesional i monumenteve, mbrojtja e qëndrueshme, përmirësimi i infrastrukturës për vizitorët, mbështetje për turizmin dhe artizanatin lokal si dhe programe edukative për brezat e rinj.
I ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës, Bylisi ofron mure monumentale të shekullit IV p.K, një teatër antik mbresëlënës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane – një thesar kulturor që po rifiton vendin e tij të merituar në hartën e destinacioneve kulturore të Shqipërisë.
“Ejani dhe vizitoni Bylisin”, është thirrja e BE-së për qytetarët dhe turistët, ndërsa Bylisi shndërrohet në një qendër të re për edukim, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik përmes trashëgimisë kulturore.



