Një sukses i ri për poeten shqiptare Irma Kurti: botohet në Portugali përmbledhja e saj me poezi dygjuhëshe (portugalisht – italisht) me titull “Anima incrinata/Alma fracturada” (Shpirt i lënduar). Libri botohet nga Edições Fantasma, në Portugali. Përkthimi është bërë nga Carlos Ramos, poet, përkthyes dhe botues mbi versionin në gjuhën spanjolle të poezive të autores të përkthyera nga Rafael Carcelén.
Në parathënien e librit, Vesna Andrejević, ndër të tjera, shkruan: “Poezia e Irma Kurtit është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse sa prek menjëherë telat e zemrës me një lloj “naiviteti”, pikërisht atë që kanë vetëm fëmijët dhe poetët. Krijimtaria e saj udhëton poetikisht në dy binarë kryesorë: në të parin dominon tema e vetmisë dhe rrjedhimisht e tjetërsimit njerëzor e parë përmes kaleidoskopit poetik të shpirtit të poetes. Binari i dytë poetik i përmbledhjes, më i ndjeshmi dhe më prekësi që përshkon poetikën e Kurtit, është shpirti që pikon dhembje teksa përshkruan trishtimin dhe humbjen personale të prindërve, tashmë engjëjt e saj mbrojtës, të larguar drejt një dimensioni tjetër, nga i cili ende frymëzojnë ndjesitë e saj të thella dhe unike, duke vëzhguar çdo hap lirik të poetes.”
Botimi në Algjeri
Libri titullohet “سماء بدون نجوم”(A sky without stars) – “Një qiell pa yje” dhe mban logon e shtëpisë botuese Tohfa Publishing House. Përmbledhja poetike është përkthyer në gjuhën arabe nga Dr. Abdelkadir Kechida. Imazhi i kopertinës është i fotografit italian Biagio Fortini. Në komunikatën për shtyp të botuesit shkruhet: “Shtëpia Botuese Tohfa në Algjeri publikon librin e titulluar “Një qiell pa yje” nën përkthimin mjeshtëror të Dr. Abdelkadir Kecihda, – të shkruar nga poetja italo-shqiptare Irma Kurti, e cilësuar si një nga zërat poetikë bashkëkohorë më interesantë në Evropë. Kjo përmbledhje poetike trajton temat e ekzistencës, dashurisë, izolimit dhe dhimbjes së humbjes, duke ruajtur njëkohësisht simbolikën karakteristike dhe elegancën ritmike të krijimtarisë së Irma Kurtit. Përkthimi arrin një ekuilibër delikat midis besnikërisë ndaj tekstit origjinal dhe talentit krijues të artit letrar arab. Vetë përkthyesi e përshkruan veprën si një ‘urë kulturore midis botës arabe dhe asaj evropiane’”.
Shkrimtari, dramaturgu dhe kritiku letrar Hamid Oqabi lidhur me krijimtarinë e poetes shqiptare shkruan: “Irma Kurti, një poete dhe shkrimtare shqiptare, e natyralizuar italiane, shkruan në tri gjuhë (shqip, italisht dhe anglisht). Ajo është një nga zërat fëmërorë më të rëndësishëm në diasporë. Ka botuar dhjetëra libra me poezi dhe prozë, dhe veprat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë, duke reflektuar një prani të gjerë të saj në skenën letrare evropiane. Poezia e saj përqendrohet në tema të ngarkuara emocionalisht dhe thellësisht njerëzore, veçanërisht: dashuria, humbja, plakja, mungesa, vetmia dhe dëshira për ngrohtësi. Megjithatë, ajo nuk i trajton këto tema në mënyrë filozofike apo abstrakte; përkundrazi, ato shfaqen përmes momenteve të vogla, të përditshme që u japin poezive sinqeritet dhe rrjedhshmëri. Një fjalë, një vështrim, një lule, një foto ose një palë pantofla bëhen gjurmë poetike të gjendjeve të brendshme emocionale. Ajo që e dallon veprën e Irma Kurtit është ndershmëria emocionale dhe identiteti i saj shumështresor, pasi krijimet e saj lindin nga kryqëzimi i personales dhe kulturës, duke ofruar një zë poetik që i kapërcen kufijtë pa pretendime apo ekzagjerime.”
Irma Kurti ka botuar mbi 100 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 21 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Gjermani, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë, Moldavi, Portugali dhe Algjeri.