Si funksionon marrëveshja e pensioneve Shqipëri–Itali?

E enjte, 3 Korrik, 2025

Marrëveshja për sigurimet shoqërore Shqipëri-Itali e cila hyri në fuqi më 1 korrik 2025 pritet të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e mijëra qytetarëve që kanë punuar dhe jetuar në të dy vendet. Kjo marrëveshje dypalëshe synon të garantojë ruajtjen e të drejtave të fituara nga kontributet në sistemet përkatëse të sigurimeve shoqërore, si dhe të lehtësojë përfitimin e pensioneve dhe shërbimeve të tjera, pa u penalizuar për shkak të lëvizjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

Sipas marrëveshjes qytetarët shqiptarë tani nuk do të kenë nevojë që të paraqiten fizikisht apo të marrin vërtetime shkresore, pasi mund të aplikojnë online në faqen zyrtare që është hapur posaçërisht nga ISSH, por edhe IMSI në Itali. Shkurton kohën nga aplikimi, te pagesa e pensionit

Diaspora Shqiptare publikon një udhëzues të detajuar që synon të ofrojë informacion të qartë dhe të thjeshtuar për qytetarët shqiptarë dhe italo-shqiptarë që kanë punuar në Shqipëri dhe/ose Itali, përfshirë:

  • kategoritë e përfituesve dhe kushtet që duhet të plotësojnë;

  • përfitimet që mbulon marrëveshja, si pensionet e pleqërisë, invaliditetit, të mbijetesës, sëmundjet, papunësia dhe barrëlindja;

  • mënyrën e bashkimit të periudhave të sigurimit në të dy vendet;

  • institucionet ku duhet të drejtoheni dhe dokumentacionin e nevojshëm për çdo rast;

  • shembuj konkretë për aplikim në praktikë.

Udhëzuesi i cili gjendet edhe në faqen e ISSH është hartuar për të ndihmuar çdo qytetar të kuptojë të drejtat dhe hapat që duhet të ndjekë, duke shmangur konfuzionin dhe vonesat në përfitimin e shërbimeve të merituara.

***

Zbatimi i marrëveshjes – për kë aplikohet?

Marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë për sigurimet shoqërore është një marrëveshje e hapur, që zbatohet për:

 Personat që kanë punuar dhe paguar kontribute në skemat e sigurimeve shoqërore në Shqipëri, në Itali, ose në të dy vendet, në çdo periudhë kohore;

 Anëtarët e familjes dhe pasjetuesit e personave të siguruar.

Kombësia dhe vendbanimi i përfituesit nuk përbëjnë kusht, pra marrëveshja zbatohet edhe për shtetas të tretë që kanë kontribuar në sistemet përkatëse.

Marrëveshja hyn në fuqi më 1 korrik 2025 dhe rregullon marrëdhëniet në fushën e sigurimeve shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane.

Fushat e mbuluara nga marrëveshja

Sipas legjislacionit shqiptar:

 Pension pleqërie;

 Pension invaliditeti;

 Pension familjar;

 Përfitime për sëmundje dhe barrëlindje;

 Përfitime nga papunësia.

Sipas legjislacionit italian:

 Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar për punonjës të sektorit privat, publik, të vetëpunësuar dhe të regjistruar në skema të veçanta;

 Përfitime nga papunësia;

 Përfitime në para për sëmundje, tuberkuloz dhe barrëlindje.

Institucionet kompetente për zbatimin e marrëveshjes

 Në Shqipëri: Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH)

 Në Itali: Istituto Nazionale della Previdenza Sociale (INPS)

Çfarë garanton marrëveshja ?

Trajtim të barabartë

Të gjithë punëtorët, përfshirë emigrantët, trajtohen në mënyrë të barabartë me shtetasit e vendit pritës, përsa i përket të drejtave nga sigurimet shoqërore.

Zbatimi i legjislacionit të vendit të punës

Në përgjithësi, punëmarrësit dhe të vetëpunësuarit i nënshtrohen legjislacionit të shtetit ku ushtrojnë aktivitetin e punësimit, me disa përjashtime të parashikuara në marrëveshje sikurse është dërgimi i përkohshëm (Neni 6).

 Punëtorët e dërguar përkohësisht në një vend tjetër, (deri në 24 muaj), mbeten subjekt i ligjit të vendit të origjinës.

 E njëjta gjë vlen për të vetëpunësuarit që kryejnë aktivitet të përkohshëm në shtetin tjetër.

Për diplomatët, zyrtarët publikë apo punonjësit e transportit ndërkombëtar, zbatohen rregullat e vendit të origjinës.

Personeli që shërben në përfaqësitë diplomatike mund të zgjedhë legjislacionin që do të zbatohet, me kusht që të jetë shtetas i shtetit dërgues.

Në interes të të punësuarit apo të të vetëpunësuarit, autoritetet kompetente të të dy shteteve mund të bien dakord për përjashtime nga rregullat e mësipërme, për të garantuar për ta zgjidhje më të favorshme.

Eksportueshmëri të përfitimeve

Përfitimet në para (si pensionet) që burojnë nga periudha të sigurimit në Shqipëri apo Itali mund të paguhen edhe jashtë vendit. Kushtet e pagesës janë të njëjta me ato që aplikohen për qytetarët rezidentë në shtetin që e paguan përfitimin.

Bashkim i periudhave të sigurimit dhe llogaritje pensioni

Periudhat e sigurimit të realizuara në Shqipëri dhe Itali bashkohen, për të mundësuar përfitimin e të drejtave nga sigurimet shoqërore – me kusht që periudhat të mos mbivendosen.

Për profesione specifike, merren parasysh vetëm periudhat e punës që janë bërë në të njëjtin profesion ose në një profesion të ngjashëm, edhe nëse vendi tjetër (si Italia) nuk ka një skemë të veçantë për atë profesion. (Psh, nëse personi ka punuar minator nëntoke në Shqipëri dhe ka periudha sigurimi në këtë profesion edhe në Itali, për efekt përfitimi të pensionit të pleqërisë si minatorë, periudhat në të dy shtetet në këtë profesion bashkohen)

 Pensioni llogaritet sipas legjislacionit të njërit shtet. Një person që plotëson kushtet e pensionit në një shtet, pa nevojën e bashkimit të periudhave të sigurimit nga shteti tjetër, pensioni i llogaritet vetëm mbi bazën e atyre periudhave (p.sh. nëse ka plotësuar 15 vite periudha sigurimi në Shqiperi, periudhat e realizuara në Itali nuk merren parasysh)

 Pensioni llogaritet sipas legjislacionit të të dy shteteve me bashkimin e periudhave. Nëse nuk mjaftojnë periudhat për përfitim në një shtet, totalizimi i periudhave në të dy vendet lejon përfitimin e pensionit proporcional.

 Pensioni nuk llogaritet nëse periudha e sigurimit në një shtet është më pak se 1 vit (52 javë), por kjo periudhë mund të bashkohet me periudhat e realizuara në shtetin tjetër, vetëm nëse personi ka të drejtë për përfitim në atë shtet.( P.sh., nëse një person ka plotësuar 14 vjet e 1 muaj periudhë sigurimi në Shqipëri dhe 11 muaj në Itali, ai do të përfitojë vetëm pension shqiptar dhe jo italian )

Në rastet kur pensioni i përfituar është më i ulët se minimumi i garantuar, shteti përkatës mund të japë një shtesë vetëm nëse përfituesi banon në atë shtet.

Nëse një personi i ka lindur e drejta për pension sipas legjislacionit shqiptar apo legjislacionit italian, merren parasysh edhe periudhat e sigurimit në një vend të tretë, nëse Shqipëria dhe Italia kanë marrëveshje për sigurimet shoqërore me atë vend.

Përfitimet për sëmundje dhe barrëlindje

Përfitimet për barrëlindje jepen nga institucioni kompetent i shtetit ku është kryer veprimtaria e punës dhe ku personi është i siguruar, mbi bazën e njohjes reciproke të certifikatave përkatëse, si certifikatat mjekësore apo dokumentet që vërtetojnë barrëlindjen, të lëshuara nga institucionet e njërës palë dhe të pranuara nga pala tjetër.

Nëse personi i siguruar nuk plotëson kushtet minimale të sigurimit sipas legjislacionit të shtetit ku paraqitet kërkesa, ai/ ajo mund të përfitojë gjithsesi, nëse periudhat e sigurimit të realizuara në shtetin tjetër kontraktues merren në konsideratë përmes bashkimit të këtyre periudhave. (P.sh., në Shqipëri, për të përfituar të drejtën e pagesës së barrëlindjes, kërkohet që personi i siguruar të ketë të paktën 12 muaj sigurim. Në rast se kjo periudhë sigurimi nuk është plotësuar në Shqipëri, por i siguruari ka kontribuar më parë në Itali, atëherë periudhat e sigurimit italian mund të merren parasysh, me kusht që të mos ketë mbivendosje midis periudhave të sigurimit në të dy vendet.)

Përfitime papunësie

Nëse një person që ka punuar në të dy vendet, nuk plotëson kushtet për të përfituar papunësinë vetëm me periudhat e sigurimit në njërin prej tyre (p.sh. Shqipëri), mund të merren parasysh edhe periudhat e sigurimit në shtetin tjetër (në këtë rast Itali). Kushti është që personi të ketë qenë i siguruar së fundmi për të paktën 6 muaj në Shqipëri, përpara se të paraqesë kërkesën për përfitimin e papunësisë.

Nëse një person që përfiton pagesën e papunësisë shkon përkohësisht në shtetin tjetër (p.sh. Itali) për të kërkuar punë, ai ruan të drejtën për të vazhduar të përfitojë papunësinë për një periudhë deri në 3 muaj, sipas rregullave të shtetit ku është fituar kjo e drejtë (në këtë rast, Shqipëria). Lëvizja në një shtet tjetër nuk e cënon të drejtën për përfitim.

  1. PROCEDURA E APLIKIMIT NË ZBATIM TË MARRËVESHJES
  2. Aplikim për Certifikatë Mbulimi, sipas legjislacionit që zbatohet.

Punonjësit, të cilët për arsye pune do të transferohen nga punëdhënësi, përkohësisht (maksimumi deri në 2 vite), në shtetin tjetër dhe do të vazhdojnë të jenë të mbuluar nga sistemi i sigurimeve shoqërore të shtetit të parë, nuk kanë detyrime të kontribuojnë në sistemin e sigurimeve shoqërore në shtetin ku shkojnë për të punuar, por duhet të pajisen me formularin “Çertifikatë Mbulimi”. Ky formular konfirmon se kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të vazhdojnë të paguhen nga shteti që ka plotësuar formularin. (P.sh, në rastin kur një i punësuar është i mbuluar nga skema shqiptare e sigurimeve shoqërore dhe dërgohet nga punëdhënësi përkohësisht me punë në Itali, ai pajiset me formularin AL/IT 101 “Çertifikatë mbulimi”. Ky formular plotësohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. E njëjta procedurë aplikohet në drejtim të kundërt, kur çertifikatat e mbulimit plotësohen nga INPS (Instituti Kombëtar i Mbrojtjes Shoqëore), për rastet kur punonjësi i dërguar mbulohet nga skema italiane e sigurimeve shoqërore).

Nëse punonjësi është i mbuluar nga skema shqiptare e sigurimeve, procedura për pajisjen me certifikatë mbulimi është si më poshtë:

Paraqitja e kërkesës pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Punëdhënësi, i punësuari ose i vetëpunësuari, duhet të paraqesë kërkesë për pajisje me formular mbulimi. Aplikimi (kërkesa) kryhet nëpëmjet shërbimit postar, në adresën: Instituti i Sigurimeve Shoqërore – Rruga e Durrësit, nr. 83, Tiranë.

Dokumentacioni i nevojshëm:

 Kopje e kontratës së punës së punonjësit të dërguar nga punëdhënësi në Shqipëri.

 Kopje e kontratës ndërmjet kompanisë shqiptare dhe kompanisë së shtetit të huaj, në të cilën dërgohet punonjësi.

 Dëshmi për pagesën e kontributeve në skemën shqiptare për llogari të punonjësit të dërguar, për të paktën tre muaj përpara transferimit të tij.

Miratim përpara nisjes:

Çertifikata e mbulimit miratohet dhe lëshohet nga ISSH, para se punonjësi të transferohet në Itali. Struktura përgjegjëse në ISSH përpunon kërkesën dhe lëshon formularin e mbulimit brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.

Nëse aplikimi për çertifikatë mbulimi bëhet me vonesë dhe certifikata nuk lëshohet në kohë, mund të bëhet një përjashtim në rrethana të veçanta dhe të arsyeshme, me kusht që kërkesa të mbërrijë brenda periudhës së vlefshmërisë së çertifikatës.

  1. Aplikimi dhe paraqitja e kërkesës për pension

Pensionet, sipas legjislacionit të të dy vendeve, jepen vetëm me kërkesë. Për këtë arsye, data e dorëzimit të kërkesës është thelbësore për fillimin e procedurës së përfitimit dhe të drejtën e pagesës. Në zbatim të marrëveshjes dypalëshe, një kërkesë e paraqitur për pension në Shqipëri, vlen njëkohësisht edhe si kërkesë për pension në Itali, dhe anasjelltas nëse e drejta për pension ka lindur njëkohësisht në të dy vendet.

Duke qenë se mosha e daljes në pension dhe kushtet për përfitim mund të jenë të ndryshme në secilin vend, qytetarët duhet të informohen më herët nëse plotësojnë kriteret për një përfitim nga skemat e pensioneve si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali.

Në vijim të këtij materiali do të gjeni të përshkruara në vija të përgjithshme kushtet për përfitimin e një pensioni sipas legjislacionit italian1 dhe legjislacionit shqiptar, me qëllim që personat e interesuar të mund të vlerësojnë nëse i plotësojnë kriteret për përfitim përpara se të paraqesin kërkesën.

Shembuj konkretë të aplikimit për pension në bazë të marrëveshjes

Më poshtë paraqiten disa raste të zakonshme që ilustrojnë procedurat e aplikimit për pension, në varësi të vendbanimit të qytetarit dhe të drejtës për përfitim, në përputhje me marrëveshjen për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

RASTI I:

Aplikuesi është rezident në Shqipëri, përfiton pension shqiptar dhe kërkon të përfitojë edhe një pension në Itali

  Personi plotëson formularin e kërkesës për pension, i cili mund të shkarkohet nga faqja zyrtare e ISSH-së, në rubrikën “Marrëveshje ndërkombëtare” / Formular aplikimi për pension të huaj / Italia.

 Kërkesa, e shoqëruar me dokumentacionin përkatës, paraqitet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore ose në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) që mbulon vendbanimin e aplikuesit.

 Në rastet kur kërkesa dorëzohet pranë DRSSH-së, kjo e fundit ja përcjell dokumentacionin Institutit të Sigurimeve Shoqërore për shqyrtim dhe procedim të mëtejshëm.

 Bazuar në kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar, struktura përgjegjëse në ISSH plotëson formularin përkatës AL/IT 2, AL/IT 3 ose AL/IT 4, në varësi të llojit të përfitimit të kërkuar (pleqëri, invaliditet, pension i parakohshëm ose familjar), si dhe formularin AL/IT 205, që vërteton periudhat e sigurimit të reflektuara në dosjen e pensionit të tij. Të gjitha formularët i përcillen INPS-it për shqyrtim.

RASTI II:

Aplikuesi është rezident në Shqipëri dhe i lind e drejta vetëm për pension shqiptar

 Qytetari aplikon online në platformën qeveritare e-Albania, përmes formularit “Aplikim për pension” në varësi të llojit të pensionit të kërkuar.

Nëse gjatë aplikimit konstatohet se nuk plotësohet kushti minimal i sigurimit në Shqipëri (15 vite), qytetari duhet të klikojë kutinë përkatëse që tregon se ka periudha sigurimi jashtë Shqipërisë (p.sh. në Itali apo në ndonjë shtet tjetër).

 Përveç dokumentacionit për pension shqiptar, ngarkohet gjithashtu edhe dokumentacioni që vërteton periudhat e sigurimit jashtë shtetit.

 Pas marrjes së kërkesës, strukturat përkatëse (DRSSH dhe Drejtoria e Zbatimit të Marrëveshjeve në ISSH), koordinohen për të kërkuar nga INPS, periudhat italiane të sigurimit, (formularin IT/AL 205) ose nëse qytetari ka punuar në ndonjë shtet të tretë me të cilin Shqipëria ka marrëveshje, i drejtohen institucionit përkatës të atij vendi në mënyrë që periudhat përkatëse të përfshihen në vlerësimin e të drejtës për përfitim.

RASTI III:

Aplikuesi është rezident në Shqipëri i lind njëkohësisht e drejta për pension shqiptar dhe Italian

 Personi aplikon online në portalin e-Albania, duke zgjedhur Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) që mbulon vendbanimin e tij/ saj.

 Gjatë plotësimit të formularit online “Aplikim për pension” (pleqërie, invaliditeti ose familjar), qytetari duhet të plotësojë edhe rubrikën që lidhet me periudhat e sigurimit jashtë Shqipërisë.

 Kjo kërkesë trajtohet njëkohësisht si kërkesë për pension në Itali, nëse ngarkohet formati i kërkesës së plotësuar, i cili shkarkohet nga faqa zyrtare e ISSH-së në rubrikën “Marrëveshje ndërkombëtare”/ Formular aplikimi për pension të huaj/ Italia, së bashku me dokumentacionin përkatës.

 Struktura rajonale shqyrton kërkesën për pension shqiptar me ose pa bashkim periudhash dhe i përcjell strukturës përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjeve në ISSH kërkesën dhe dokumentacionin për pensionin e huaj së bashku me konfirmimin e periudhave shqiptare të sigurimit.

 Bazuar në kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar, struktura përgjegjëse në ISSH plotëson formularin përkatës AL/IT 2, AL/IT 3 ose AL/IT 4, në varësi të llojit të përfitimit të kërkuar (pleqëri, invaliditet, pension i parakohshëm ose familjar), si dhe Formularin AL-IT 205 që vërteton periudhat e sigurimit në Shqipëri, të cilët i përcillen INPS-it për shqyrtim.

RASTI IV:

Aplikuesi është rezident në Itali, nuk përfiton ende pension italian, por i lind e drejta për pension shqiptar me bashkim periudhash

 Personi paraqet kërkesën për pension në INPS, në përputhje me procedurat administrative të institucionit kompetent italian.

 Për informacion të detajuar mbi procedurën e aplikimit në Itali, qytetarët mund t’i referohen faqes zyrtare të INPS-it ose strukturave të patronateve apo ndërmjetësve të autorizuar, për të siguruar informimin e duhur dhe shmangien e humbjes së të drejtave për përfitim.

KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PENSION ITALIAN

  1. Pensioni i pleqërisë (Pensione di vecchiaia)

Ky përfitim i jepet punonjësve që kanë arritur moshën dhe kontributet e përcaktuara ligjërisht. Kushtet për përfitim janë si më poshtë:

 Mosha e kërkuar është 67 vjeç si për burrat edhe për gratë si dhe personi të ketë grumbulluar 20 vite periudha sigurimi (sistem i përzier ose kontributiv).

 Për ata persona që kanë periudha kontributive vetëm pas vitit 1996, kërkohet që pensioni i llogaritur të jetë të paktën sa shuma e asistencës/ ndihmës sociale, në Itali, ose mund të kërkohet në moshën 71 vjeç me të paktën 5 vite kontributive efektive.

Për personat e punësuar kërkohet ndërprerja e marrëdhënies së punës.

  1. Pensioni i parakohshëm (Pensione anticipata)

Ky lloj përfitimi lejon daljen në pension përpara moshës së pleqërisë, për ata që kanë plotësuar vite të caktuara me kontribute.

Kushtet për përfitim janë si më poshtë:

  1. Për personat me periudha kontributve para 1 janarit 1996:

 42 vjet e 10 muaj kontribute (2,227 javë) për burrat,  41 vjet e 10 muaj kontribute (2,175 javë) për gratë.

Këto kërkesa janë në fuqi deri më 31 dhjetor 2026. Kërkohen gjithashtu të paktën 35 vjet kontribute të vlefshme për llogaritje, duke përjashtuar periudhat e sëmundjes, papunësisë, dhe shërbimeve të ngjashme.

  1. b) Për personat me kontribute pas 1 janarit 1996 (sistemi kontributiv i pastër):

 Mund të kenë të njëjtat kërkesa kontributive si më sipër (41 vjet e 10 muaj për gratë, 42 vjet e 10 muaj për burrat), por pa përfshirë kontributet vullnetare;

 Për periudhat e punës para moshës 18 vjeç, kontributi shumëzohet me 1.5.

  1. Pensioni për paaftësi të plotë (Pensione di inabilità) Ky përfitim i jepet personave, të cilëve u është njohur paaftësia e plotë dhe e përhershme për të punuar, e konstatuar nga komisioni mjekësor i INPS, si dhe të jenë plotësuar këto kushte:

 Të ketë grumbulluar të paktën 260 javë kontribute (5 vite), nga të cilat të paktën 156 javë (3 vite), brenda 5 viteve para datës së kërkesës,

 Ndërprerja e çdo aktiviteti punësimi dhe çregjistrim nga çdo regjistër profesional, përfshirë regjistrat e profesioneve të lira apo të vetëpunësuarve,

 Heqje dorë nga çdo përfitim papunësie apo pagesë zëvendësuese të pagës. Personat që nuk mund të ecin ose të kryejnë veprimtari të përditshme vetë, mund të përfitojnë një kompensim për ndihmë personale dhe të vazhdueshme.

  1. Pagesë për paaftësi të pjesshme (Assegno ordinario di invalidità)

Ky përfitim i jepet personave me ulje të aftësisë për punë në më pak se 1/3, për shkak të sëmundjes fizike apo mendore. Përveç njohjes mjeko-ligjore të paaftësisë për punë, e konstatuar nga komisioni mjekësor i INPS, duhet të plotësohen edhe këto kushte:

 Të jenë grumbulluar të paktën 260 javë kontribute ( 5 vite), nga të cilat 156 javë ( 3 vite) në 5 vitet para paraqitjes së kërkesës,

 Lejohet të punosh edhe gjatë marrjes së këtij përfitimi, por shuma ulet në bazë të të ardhurave.

 Për të përmbushur kushtet mund të përdoren periudhat kontributive të realizuara në vende të tjera (BE apo vende me marrëveshje me Italinë). Në këto raste pensioni llogaritet me metodën pro-rata, pra vetëm për pjesën italiane.

Ky lloj përfitimi jepet për 3 vite dhe mund të rinovohet. Pas 3 rinovimesh, bëhet automatikisht e përhershme.

Në moshë pensioni, kthehet automatikisht në pension pleqërie.

  1. Pensioni familjar për të mbijetuarit (Pensione ai superstiti )

Ky pension jepet në rast vdekjeje të një pensionisti (quhet pension i reverzibilitetit) ose të një punonjësi që ka kontribuar në sistemin e sigurimeve (quhet pension indirekt) dhe i takon familjarëve të mbijetuar, të cilët janë:

1) Bashkëshorti / Bashkëshortja ose partneri civil:

 Edhe në rast ndarjeje apo divorcit (me kushte specifike).

 Nëse martohet përsëri, humbet të drejtën por përfiton një kompensim prej dy vjetësh pension.

2) Fëmijët:

 Të mitur në momentin në momentin e ndarjes nga jeta të prindit

 Mbi moshën madhore, nëse janë studentë ose të paaftë për punë dhe janë në ngarkim të prindit.

 Studentë, deri në moshën 21 vjeç (shkollë e mesme/ profesionale) ose deri në 26 vjeç (universitet).

3) Prindërit:

 Në mungesë të bashkëshortit dhe fëmijëve.

 Mbi 65 vjeç, jo pensionistë, dhe në ngarkim të të ndjerit.

4) Vëllezër/ motra beqarë:

 Në mungesë të kategorive të mësipërme.

 Të paaftë për punë, pa pension tjetër, dhe në ngarkim të të ndjerit.

Kushtet për të përfituar pensionin indirekt janë si më poshtë:

 I ndjeri duhet të ketë të paktën 15 vite kontribute të paguara, ose 5 vite kontribute, nga të cilat 3 vite brenda 5 viteve të fundit para vdekjes.

  1. Pensioni i paaftësisë së plotë për nënpunësit publikë (Pensione di inabilità dipendenti pubblici)

Ky përfitim jepet për punonjës të sektorit publikë, bazuar në ligjin 335/1995, kur konstatohet paaftësi e plotë dhe e përhershme për çdo aktivitet pune, për arsye shëndetësore që nuk lidhen me shërbimin.

Kushtet për të përfituar janë si më poshtë:

 Të jenë grumbulluar të paktën 5 vite kontribute, nga të cilat 3 vite në 5 vitet para paraqitjes së kërkesës.

 Ndërprerje e punës për arsye shëndetësore, jo të lidhura me shërbimin.

 Vlerësim nga komisioni mjekësor dhe kërkesë nëpërmjet institucionit punëdhënës.

Ky lloj përfitimi ka disa kufizime:

 Nuk mund të punojë më, as në Itali e as jashtë;

 Nuk lejohet regjistrimi si i vetëpunësuar, në lista profesionale apo përfitime papunësie;

 Nëse zbulohen kontribute pasive pas datës së fillimit të pensionit, pensioni revokohet.

  1. Pension i zakonshëm i paftësisë për nëpunësit publikë (Inabilità ordinaria)

Ky përfitim u jepet punonjësve të sektorit publik të cilët nuk janë më në gjendje të vazhdojnë punën, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Për të përfituar kërkohet që:

 Personi duhet të ketë 15 vite shërbim të dokumentuar;

 Vlerësim mjekësor që vërteton paaftësi të përhershme për punë produktive;

 Pushim nga puna për shkak paaftësie.

Përfitimi përcaktohet bazuar në shërbimin e kryer në momentin e ndërprerjes dhe personit i lejohet të punojë  pas fillimit të përfitimit. Ky lloj përfitimi eshtë i përjetshëm dhe trashëgohet nga trashëgimtarët.

  1. Pensioni i privilegjuar (Pensione di privilegio)

Ky përfitim i jepet efektivëve të Forcave të Armatosura, Policisë, Zjarrfikësve dhe Shërbimeve të Emergjencës, në rast sëmundjeje apo dëmtimi për shkak të shërbimit.

Ky lloj përfitimi:

 Nuk kërkon vite kontributive;

 Mund të jepet në formë pensioni të përhershëm, pagesë e rinovueshme  (2–4 vjet) ose pagesë e njëherëshme;

 Kërkon dy verifikime: vlerësim mjekësor nga Komisioni (CMO) dhe vërtetim i lidhjes shkak-pasojë me shërbimin nga Komiteti i verifikimit të shkakut të shërbimit;

 Për çdo përkeqësim të paaftësisë, mund të bëhet kërkesë për rishqyrtim në çdo kohë.  Për infermierët që nuk kanë mbushur vjetërsinë e mjaftueshme për pension të zakonshëm, përfitimi është më i kufizuar (maksimumi 44%).

  1. Dokumentacioni i nevojshëm gjatë paraqitjes së kërkesës për pension

Kërkesës për pension pleqërie/ pension të parakohshëm/ pension invaliditeti/ kompensim për invaliditet i bashkëlidhet dokumentacioni i mëposhtëm:

Dokumentacioni bazë:

 Dokumentacion që dëshmon punësimin ose sigurimin shoqëror në Itali;

 Dokumentacion italian për kryerjen e shërbimit ushtarak, në rastin e shtetasve italianë, rezidentë jashtë shtetit, që kanë kryer shërbim ushtarak në Itali, periudha sëmundjesh, periudhë barrëlindjeje, etj;

 Dokumentacion lidhur me ndërprerjen e aktivitetit punëdhënës;

 Çertifikatë familjare;

 Kopje e kodit fiskal të vërtetuar nëpërmjet zyrës së taksave (ose përmes Konsullatës Italiane në Shqipëri) të familjarit/ ëve në ngarkim që nuk ka/ kanë punuar kurrë në Itali;

 Dokumentacion bankar ku të specifikohet titullari/ bashkë-titullari i llogarisë bankare në të cilën duhet kryer pagesa e përfitimit;

 Kopje e dokumentit të identitetit

Dokumentacioni shtesë:

  1. a) Për kërkesën për pension invaliditeti dhe kompensim për invaliditet

 Deklarata e të ardhurave të kërkuesit;

 Karta e shëndetit.

  1. b) Për kërkesën për pension familjar (kur i/e ndjeri/a ka qenë përfitues/e pensioni ose kur nuk ka përfituar pension):

 Çertifikatë familjare e përditësuar me datën e vdekjes së personit të siguruar, nga i cili rrjedh e drejta;  Çertifikatë vdekjeje e personit të siguruar;

 Dokumentacion që vërteton të drejtën e bashkëshortit të divorcuar për të marrë ndihmën periodike të mirëmbajtjes/ kujdesit sipas nenit 5 të ligjit nr. 898/70 (njohja/miratimi i vendimit të divorcit ose çdo dokument tjetër i përshtatshëm për këtë qëllim);

 Çertifikatë martese/ bashkimi civil (në rastin kur trashëgimtari i ligjshëm është bashkëshorti ose bashkëjetuesi zyrtar);

 Deklaratë sipas së cilës rezulton se nuk është shpallur asnjë vendim i formës së prerë për zgjidhjen ose ndërprerjen e efekteve civile të martesës;

 Deklaratë e dhënë përpara Autoritetit Konsullor, nga e cila rezulton se pas vdekjes së bashkëshortit nuk është lidhur asnjë martesë e re ose një vërtetim njësoj të barasvlershëm;

 Deklaratë e të ardhurave, nga e cila rezulton shuma e të ardhurave që kërkuesi përfitonte në çdo cilësi në datën e vdekjes së personit, nga i cili rrjedh e drejta (nëse pensioni kërkohet nga fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat që nuk bashkëjetonin 11 me të ndjerin, ose nëse pensioni kërkohet nga fëmijë nën tetëmbëdhjetë vjeç që nuk bashkëjetonin me të ndjerin, nëse mundet specifikoni edhe në çfarë mase i ndjeri kujdesej për mirëmbajtjen e kërkuesit dhe nëse kjo ndodhte në mënyrë të vazhdueshme);

 Çertifikatë e frekuentimit të shkollës për kërkesat për pension familjar kur i siguruar ka qenë punonjës i pavarur (artizan, tregtar, bujk me qiramarrje të plotë ose të pjesshëm) për fëmijë nën 26 vjeç;

 Çertifikatë e barasvlershmërisë së frekuentimit të kurseve universitar për fëmijët nën 26 vjeç;

 Çertifikatë mjekësore për fëmijët, vëllezërit ose motrat e paafta për punë (në rastin e kërkesës për pension nga ana e tyre).

  1. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PENSION SHQIPTAR
  2. Kriteret dhe dokumentacioni për pension pleqërie:

Për të përfituar pension pleqërie në Shqipëri, personat e siguruar duhet të plotësojnë këto kushte:

  • Të kenë një periudhë minimale sigurimi, jo më pak se 15 vite në të dyja vendet.
  • Të kenë arritur moshën e përcaktuar me ligj për përfitimin e pensionit të pleqërisë, si më poshtë:

1.Mosha e daljes në pension për burrat:

  • Deri në vitin 2032: 65 vjeç.
  • Nga viti 2032 deri në vitin 2056: mosha e daljes në pension rritet me 1 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç.
  1. Mosha e daljes në pension për gratë:
  • Nga viti 2015: mosha rritet me 2 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç në vitin 2056.
  • Në vitin 2025: mosha e daljes në pension për gratë është 61 vjeç e 10 muaj.

Dokumentacioni i nevojshëm:

  1. Deklaratë personale e historikut të punësimit.
  2. Librezë pune (nëse e disponon).
  3. Certifikatë martese (vetëm për gratë).
  4. Vërtetim nga gjendja civile, në rastet kur ka pasur ndryshim të gjeneraliteteve.
  5. Diplomë e shkollës së lartë vetëm për gratë (nuk kërkohet pas datës 31.12.2032).
  6. Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe periudhën e vuajtjes së tij (nëse e disponon).
  7. Vendim gjykate për njohjen e vjetërsisë në punë (nëse e ka).
  8. Të dhëna bankare të firmosura nga institucioni bankar për pagesën e pensionit.
  9. Kopje e dokumentit të identifikimit shqiptar/italian.

Kriteret dhe dokumentacioni për pension pleqërie të reduktuar

Pensioni i reduktuar mund të kërkohet duke filluar nga 3 (tre) vjet përpara se i siguruari të ketë plotësuar kushtin e moshës së përcaktuar nga ligji për përfitimin e pensionit të pleqërisë, por vetëm nëse plotësohen këto kushte:

  1. Kërkuesi duhet të jetë i shkëputur nga çdo aktivitet ekonomik, si punëmarrës, punëdhënës apo i vetëpunësuar;
  2. Të ketë plotësuar vitet e sigurimit të kërkuara me ligj. (Për vitin 2025, kjo periudhë është 38 vjet e 8 muaj.)

Pensioni i reduktuar llogaritet duke aplikuar një koeficient uljeje prej 0.6% në muaj dhe përbën një pjesë të pensionit të plotë, duke ruajtur këtë ulje për gjithë kohëzgjatjen e përfitimit.

Dokumentacioni i nevojshëm:

  1. Deklaratë e historikut të punësimit.

  5. Diplomë e shkollës së lartë (vetëm për gratë, nuk kërkohet pas 31.12.2032).

  8. Dokument ose deklaratë që vërteton se kërkuesi ka ndërprerë aktivitetin ekonomik dhe që nuk posedon tokë bujqësore në emrin e tij
  9. Të dhënat bankare të firmosura nga institucioni bankar për pagesën e pensionit.

10.Kopje e dokumentit të identifikimit shqiptar/ italian.

  1. Kriteret dhe dokumentacioni për pension familjar

Kanë të drejtë për pension familjar, personat e mëposhtëm, familjarë të të ndjerit, të cilët ishin në ngarkim të tij në momentin e vdekjes, nëse i ndjeri në momentin e ndarjes nga jeta, plotësonte kushtet për një lloj pensioni ose nëse e përfitonte një të tillë.

1) Bashkëshorti pasjetues (e veja / vejani) përfiton nëse:

 Kujdeset për një fëmijë që ishte në ngarkim të të ndjerit (deri në moshën 8 vjeç), ose

 E veja ka mbushur moshën 55 vjeç dhe vejani 60 vjeç, ose

 Është i/ e paaftë për punë (me kusht që paaftësia të mos ketë ndodhur më vonë se 10 vjet pas vdekjes së bashkëshortit).

E veja/ Vejani e humbasin të drejtën për pension familjar në rast martese.

2) Jetimët, përfitojnë nëse:

  Ishin në ngarkim të të ndjerit dhe janë nën 18 vjeç, ose

  Deri në 25 vjeç, nëse ndjekin studimet, ose

  Janë të paaftë për punë (para se të arrijnë kufijtë e moshës).

3)  Prindërit dhe të afërmit të tjerë, përfitojnë nëse:

 Janë në mungesë të kujdestarëve ligjorë, dhe

 Kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, dhe

 Kanë bashkëjetuar me të ndjerin për të paktën 1 vit para vdekjes.

4) Nipërit e mbesat, përfitojnë nëse:

 Ishin në ngarkim të të ndjerit dhe jetonin në të njëjtën familje.

 Në këtë rast trajtohen si jetimë.

Dokumentacioni i nevojshëm:

  1. Deklaratë e historikut të punësimit të të ndjerit (vetëm nëse i ndjeri nuk ka marrë pension në momentin e vdekjes).
  2. Librezë pune (e të ndjerit/ ës nëse e disponon).
  3. Certifikatë martese (që vërteton lidhjen martesore me të ndjerin ose me kërkuesin e përfitimit).
  4. Certifikatë vdekjeje.
  5. Certifikatë familjare.
  6. Vërtetim nga gjendja civile, në rastet kur ka pasur ndryshim të gjeneraliteteve (për të ndjerin/ ën).
  7. Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe periudhën e vuajtjes së tij (për të ndjerin/ ën, nëse e disponon).
  8. Vendim gjykate për njohjen e vjetërsisë në punë (e të ndjerit/ ës nëse e ka).
  9. Vërtetim nga shkolla (universiteti) që konfirmon vazhdimin e studimeve, kur jetimi është 18 deri në 25 vjeç.
  10. Dokument që vërteton se kërkuesi është i paaftë për punë.
  11. Dokumenta që vërtetojnë se kërkuesi (bashkëshorti pasjetues), ka ndërprerë marrëdhëniet e punësimit. 12.Të dhënat bankare të firmosura nga institucioni bankar për pagesën e pensionit.

13.Kopje e dokumentit të identifikimit shqiptar/italian.

  1. Kriteret për pension invaliditeti:

Për të përfituar pension invaliditeti, personat e siguruar duhet të plotësojnë këto kushte:

 Personi duhet të jetë i paaftë për çdo veprimtari ekonomike, e vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).

 Paaftësia nuk duhet të ketë ardhur si pasojë e aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale, pasi për këto raste përfitimet trajtohen nga degë të tjera të sigurimeve shoqërore.

 Të ketë plotësuar një periudhë minimale sigurimi, e cila përcaktohet si 3/4 e diferencës midis moshës së personit në momentin e lindjes së paaftësisë për punë dhe moshës 20 vjeç.  Periudha minimale =3/4 x (mosha në momentin e lindjes së paaftësisë – 20)

 Në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës për pension, personi duhet të ketë të paktën 12 muaj sigurim shoqëror

Kriteret mjekësore për klasifikimin e invaliditeti:

Sipas vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë në Punë (KMCAP), invaliditeti klasifikohet në:

 Invaliditet i plotë:

Personi është tërësisht i paaftë për çdo lloj pune.

 Invaliditet i plotë me nevojë për asistencë:

Personi është në kushte të tilla shëndetësore, që kërkon ndihmën e vazhdueshme të një personi tjetër për të kryer veprimtaritë e jetës së përditshme. Në këtë rast, ai ka të drejtë të marrë një pagesë shtesë prej 15% të bazës së vlerësuar neto të pensionit.

 Invaliditet i pjesshëm:

Personi ka humbur aftësinë për të kryer punën e tij të fundit ose profesionin e mëparshëm, por mund të kryejë punë të tjera të përcaktuara nga Komisioni Mjekësor.

Dokumentacioni i nevojshëm:

  1. Deklaratë personale e historikut të punësimit;
  2. Librezë pune (nëse e disponon);
  3. Certifikatë martese (vetëm për gratë);
  4. Certifikatë familjare;
  5. Vërtetim nga gjendja civile, në rastet kur ka pasur ndryshim të gjeneraliteteve;
  6. Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe periudhën e vuajtjes së tij (nëse e disponon);
  7. Vendim gjykate për njohjen e vjetërsisë në punë (nëse ka);
  8. Vërtetim shkolle për fëmijët 18–25 vjeç për efekt të shtesës mbi pensionin për fëmijët në ngarkim;
  9. Të dhënat personale bankare të firmosura nga institucioni bankar për pagesën e pensionit;
  10. Kopje e vlefshme e dokumentit të identifikimit shqiptar/ italian.

Sqarim:

 Në rastet kur aplikuesi për pension invaliditeti është rezident në Itali, Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) shqyrton dokumentacionin mjekësor të përcjellë nga autoritetet italiane nëpërmjet formularit IT/AL 213 “Raport i Detajuar Mjekësor”, pa qenë e nevojshme prania fizike e aplikuesit.

 KMCAP kryen vlerësimin mbi bazën e raportit të detajuar mjekësor të dërguar nga pala italiane, por në përputhje me kriteret mjekësore të përcaktuara në legjislacionin shqiptar.

 Vendimi për njohjen ose jo të paaftësisë për punë merret sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, pavarësisht vlerësimit të bërë nga autoritetet italiane.

  1. Rikomisionim për vazhdim të pensionit të invaliditetit

Rivlerësimi për vazhdimin e pensionit të invaliditetit është një proces i rëndësishëm që synon të rishqyrtojë gjendjen shëndetësore të përfituesit dhe të verifikojë nëse ai vazhdon të plotësojë kriteret për të përfituar këtë pension.

Ky rivlerësim kryhet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) dhe zhvillohet:

  • Në varësi të gjendjes shëndetësore;
  • Gjithmonë dy muaj para përfundimit të afatit të vendimit të mëparshëm.

Invalidët me gjendje të përhershme (pa mundësi përmirësimi, gjymtime fizike të përhershme, pamundësi për riaftësim) mund të rivlerësohen çdo tre vjet.

Dokumentacioni i nevojshëm:

1.Kërkesë për rivlerësim invaliditeti nga KMCAP-i  (Në rastet kur aplikuesi për pension invaliditeti është rezident në Itali, kërkesa për rivlerësim invaliditeti nga KMCAP plotësohet sipas formatit bashkëlidhur këtij udhëzuesi)

  1. Kalimi nga pensioni i invaliditetit në pension pleqërie

Kur përfituesi i pensionit të invaliditetit arrin moshën për pension pleqërie, ai mund të kërkojë kalimin në këtë pension, nëse ai rezulton më i favorshëm.

Ligji parashikon të drejtën e përfituesit për të zgjedhur ndërmjet përfitimeve pensionale më të favorshme.

Periudha gjatë së cilës është marrë pensioni i invaliditetit, në rast kalimi në pension pleqërie, njihet si periudhë sigurimi.

Dokumentacioni i nevojshëm:

  1. Deklaratë vetjake e kërkuesit për ushtrimin e të drejtës së zgjedhjes së përfitimit më të favorshëm;
  2. Diplomë e shkollës së lartë, vetëm për gratë. (nuk kërkohet pas 31.12.2032)

SQARIM SHTESË DHE SHTOJCA

 Dokumentet që i bashkëlidhen kërkesës për përfitim nuk kanë nevojë të përkthehen, noterizohen apo të firmosen nga zyrat konsullore. Ato do të merren si të mirëqena nga zyra pritëse dhe më pas verifikohen nga zyra ndërlidhëse e palës tjetër.

 Procesi i shqyrtimit të kërkesës për përfitim në Shqipëri, zgjat deri në 2 (dy) muaj nga data e mbërritjes së kërkesës përmes shkëmbimit ndërinstitucional.

Këtij udhëzimi i bashkëlidhen si shtojca:

  1. Kërkesë për përfitime, bazuar në marrëveshjen për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane”.
  2. Deklaratë e historikut të punësimit, në rastet e kërkesave për pension shqiptar në kuadër të kësaj marrevshjeje.
  3. Kërkesë për rivlerësim invaliditeti nga KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të paaftësisë në Punë), në rastet kur kërkohet rivlerësim i pensionit të invaliditetit sipas legjislacionit shqiptar.

Për më shumë informacion, ju lutemi drejtohuni:

 Rubrikës “Marrëveshje Ndërkombëtare” në faqen zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore:

🌐 www.issh.gov.al

 Adresës elektronike:

📧 [email protected]

 Drejtorisë së Integrimit dhe Zbatimit të Marrëveshjeve, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH): 📍Rruga e Durrësit, Nr. 83, Tiranë

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.