Më 2 korrik 1990, Shqipëria përjetoi një nga ngjarjet më të mëdha dhe më tronditëse politike në fundin e regjimit komunist, e njohur si “eksodi i ambasadave”, që për shumëkënd simbolizon rrëzimin e “murit shqiptar të Berlinit”. Në mbrëmjen e kësaj date, i riu Ylli Bodinaku, me një akt të guximshëm dhe të paprecedentë, çau murin e Ambasadës Gjermane në Tiranë me një kamion “Skoda”, ku ndodheshin gruaja, fëmijët dhe 36 persona të tjerë – miq dhe të afërm – të cilët kërkonin një rrugë shpëtimi nga izolimi dhe represioni.
Pas këtij akti, dhjetëra qytetarë vërshuan drejt ambasadës përmes murit të rrëzuar, në një lëvizje që për mediat ndërkombëtare u cilësua si akt heroik dhe shenjë e qartë e dëshirës për liri të shqiptarëve. Ambasadori gjerman i asaj kohe, Werner Daum, urdhëroi hapjen e dyerve dhe mbajtjen e dritave ndezur, duke lejuar hyrjen e mbi 3 mijë qytetarëve që për ditë të tëra përballuan mungesë ushqimi, uji dhe pasigurie në kushte tejet të vështira. Brenda pak ditësh, mijëra shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, të shtyrë nga uria, represioni dhe ëndrra për liri, u drejtuan drejt ambasadave të huaja në Tiranë, duke e çuar numrin e refugjatëve në afro 4.795 vetë, sipas dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, prej të cilëve 3.163 u larguan drejt Gjermanisë Perëndimore. Këto ngjarje nuk u raportuan menjëherë nga mediat e kontrolluara, por presioni ndërkombëtar dhe përmasat e krizës e bënë të pamundur heshtjen.
Për regjimin komunist kjo ishte goditja më e rëndë dhe një shenjë e qartë e humbjes së kontrollit: strukturat e Sigurimit dhe të Ministrisë së Brendshme kishin dështuar të parandalonin shpërthimin social, ndërsa vetë regjimi, në dokumentet e brendshme, i cilësonte refugjatët si “elementë me pakënaqësi politike, huliganë, të papunë, të degjeneruar”, duke u përpjekur të diskreditonte revoltën që në fakt ishte një thirrje e fortë për demokraci.
Në Tiranën e atyre ditëve ishin të pranishme vetëm 17 përfaqësi diplomatike dhe ambasadat e vendeve perëndimore si Gjermania, Italia, Franca, Greqia u bënë strehë për ata që sfiduan frikën. Nga data 13 korrik 1990, me ndërhyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, mes tyre të dërguarit e OKB-së, u vendos leja për largimin e shqiptarëve drejt Perëndimit. Me autobusë të shoqëruar nga forcat e policisë, ata u transportuan drejt portit të Durrësit dhe u nisën me anije drejt Europës, në një lëvizje që për Shqipërinë shënonte përfundimisht fundin e izolimit.
Ky eksod i mijërave qytetarëve nuk ishte vetëm një krizë humanitare, por një akt politik me peshë të jashtëzakonshme që do të përshpejtonte proceset demokratizuese në vend. Pas kësaj ngjarjeje erdhën demonstratat e studentëve në dhjetor, që çuan në rrëzimin e regjimit komunist dhe fillimin e epokës së pluralizmit politik. 2 Korriku 1990 mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë moderne, sepse shënoi një kthesë vendimtare, duke shuar frikën kolektive dhe duke hapur rrugën për lirinë dhe integrimin në botën perëndimore. Sot, 35 vjet më pas, ky përvjetor nuk kujtohet vetëm si një ngjarje historike, por si një ditë krenarie kombëtare për guximin e një populli që vendosi të mos jetonte më në errësirë. Ai akt i guximshëm i një qytetari me kamion u shndërrua në simbolet më të mëdha të ndryshimit – një zgjim që Shqipëria nuk e ndali më.