Tradita arbëreshe e verërave artizanale rifillon me pasion në edicionin e 20-të të Konkursit të Verërave Arbëreshe, që do të mbahet të shtunën më 5 korrik në zemër të “Salotto Diffuso” në Vakarici. Në kantina, catoi dhe bodrume të komuniteteve italo-shqiptare, verërat e lëna të fermentojnë sipas zakoneve të trashëguara brez pas brezi po përzgjidhen me kujdes për të garuar në këtë konkurs që i kushtohet identitetit dhe autenticitetit.
“Edhe këtë vit kemi një pjesëmarrje mbresëlënëse nga prodhues vendas të pasionuar,” – thekson kryetari i Bashkisë, Antonio Pomillo, duke falënderuar edhe këtë vit Padre Elia Hagi, somelier dhe dashamirës i verës, i cili ndihmon në mbledhjen e shisheve pjesëmarrëse.
Nga studenti i mjekësisë në Frascineto, te prifti i ritit bizantin që kujdeset për vreshtin e familjes në Ejanina, nga zonja e San Giorgio Albanese që gjen kohë për verën mes angazhimeve familjare, te baristi i Vaccarizzo-s e pensionisti i San Demetrio Corone – mozaiku i prodhuesve është po aq i shumëllojtë sa edhe komunitetet që i përfaqësojnë. Pjesë e këtij rrugëtimi janë mbi 100 prodhues nga më shumë se 15 komunitete arbëreshe në Kalabri e Basilicata, nga Civita në Frascineto, nga Plataci në Lungro, nga San Costantino Albanese në San Paolo Albanese.
Shishet do të vlerësohen nga një juri e posaçme e drejtuar nga Gennaro Convertini, President i Enotekës Rajonale të Kalabrisë. Fituesit – nga tre për secilën kategori: e kuqe, e bardhë dhe rozé – do të shpallen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që do të zhvillohet në orën 18:30 në Piazza Scura.
Pas ceremonisë, në orën 20:00, do të inaugurohet zyrtarisht ndërtesa historike “Palazzo Elmo”, e dhuruar në përdorim nga trashëgimtarët Elmo për komunitetin dhe që do të shërbejë për veprimtari kulturore e sociale.
Në orën 20:30, në Piazza Scura do të firmoset edhe protokolli i mirëkuptimit Il Salotto Diffuso, me praninë e Kryetarit Pomillo, Presidentes së Komisionit të Tretë të Këshillit Rajonal dhe përfaqësuese e Presidentit të Rajonit të Kalabrisë për raportet me komunitetet italo-shqiptare, Pasqualina Straface, dhe të assessorit për bujqësinë dhe pakicat gjuhësore, Gianluca Gallo.
Në mbrëmje do të çelet edhe ekspozita kolektive “A piccoli sorsi d’arte”, e kuruar nga Rossella D’Aula dhe shoqata Adrobart, që synon përmes artit të frymëzojë brezin e ri për të njohur dhe ruajtur trashëgiminë kulturore arbëreshe.
Ky edicion i veçantë shënon jo vetëm një konkurs, por një festë të gjallë të rrënjëve, pasionit dhe bashkimit përmes verës së pastër dhe artizanale.