Në shkollën e mesme “Susan E. Wagner” në Staten Island
Këto letra mirënjohjeje nga prindër amerikanë plot kulturë të studentëve tanë janë nga më të çmuarat dhe me frymëzueset e jetës sime. Nuk kanë çmim!
Mësuesit, edukatorët mbajnë në duart e tyre të ardhmen e brezave dhe shumica e tyre punojnë me një ndërgjegje të plotë.
Emigrimi në Amerikë kishte disa male për t’u ngjitur, por autizmi nuk ka qenë mali im i ëndrrave, sepse isha zero në njohjen e tij, por ndërkohë që mësova këtu e pranova që me intervistën e parë të punësimit. Programi i Autizmit në shkollën e mesme, ishte mundësia më e madhe e jetës sime për një ndër sukseset shpirtërore, jetësore.
Shumë studentë më mësuan përfshirë dhe Philipin se “Autizmi nuk është një sëmundje, por është një mënyrë tjetër e të parit të botës.” sipas neurologut dhe Autorit të dëgjuar Temple Grandin.
Për ecjen e tij akademike Philipi është ftuar nga Drejtori i Shkollës z. Cugini në zyrën e tij dhe pati një bisedë shumë interesante, për ëndrrat, arritjet. Ai u përzgjodh të intepretojë Himnin, betimin para Flamurit Amerikan në mëngjesin e përditshëm shkollor, është anëtar në Student’s Government në shkollë, mbajti fjalimin para gjithë shkollës në muajin e Autizmit, aktroi në rolin e Mbretit Dunkan, King në tragjedinë “Makbethi” të shkrimtarit botëror Shekspirit, në skenën magjike të teatrit para gjithë publikut.
Këto janë arritje të mëdha, sfida që bëhen jo lehtë, natyrisht nuk është vetëm puna ime, por puna në grup me respekt dhe profesionalizëm bashkë me kolegët e nderuar arritem suksesin. Mirënjohje pafund për të gjithë!
Dita e fundit e vitit akademik 2024-2025 e shkollave publike amerikane erdhi dje dhe çuditërisht gjithmonë ndjej trishtim, kur i shoh koridoret bosh, pa tingujt muzikorë të zhurmës së nxënësve që në veshët e mi është thjesht jetë, gjallëri, vazhdimësi, më besoni dhe vallëzim…
Kur Philipi më dha dhuratën në emër të familjes së tij me zarfin të mbishkruar: “Faleminderit” që mbante brenda një ndër letrat më të bukura të jetes sime, shkruar nga nëna e tij mjeke në spital dhe gjithë familja, pikëzat e lotit lagën qerpikët e mi dhe më dhanë muzë, një frymëzim të paparë për të punuar më fort për Philipin dhe gjithë studentët e tjerë. Bija ime gjeneroze, Klodiana, më shkruajti t’i blente biletë për në stadium duke më pyetur se cilën skuadër pëlqen ai më shumë?
Unë po e ndaj me ju të dashur miqtë tanë të vyer kudo ku jeni, jo për punen time, jo për suksesin, por shpesh njerëzit i mbyt rutina përfshirë dhe mua dhe harrojmë të çmojmë pikërisht atë që duhet, atë që prek zemra njerëzish dhe bëhet frymëzim. Mirënjohja për të vërtetën sfumon “mashtrimet” që bëhen për antivlerat duke i kthyer verbërisht në vlera pa i dhënë komunitetit kudo ku jetojnë pikën e djersës së ndershme.
Kjo letër më shërben si një platformë për amplifikimin dhe si avokate e zërave të vetë individëve autikë. Duke ndarë këtë përvojë të hatashme me ju të dashur miq ne ngremë zërat e tyre dhe promovojmë përfshirjen dhe avokatësinë, ndërkohë ëndrrat e mia për ta çuar në instanca të tjera më të larta vazhdojnë…
Mirënjohje pafund Familja Franchina!
Pushime të mbara Senator Philip!
Pushime të mbara ju, gjithë fëmijët dhe studentët në At-Mëmëdhe dhe botë!
Letra nga familja:
E dashur Kozeta,
Unë nuk e di nga ta filloj me parë dhe t’ju falënderoj për çfarë ju keni bërë për birin tim Philip, jo vetëm këtë vit, por qëkur ju e takuat atë. Ju keni qenë burim frymëzimi, suportuese ndër vite dhe përgjithmonë inkurajuese në çdo hap të tij.
Ai është student me i mirë duke ju pasur ju, duke e mësuar atë dhe duke i dhënë udhëzime. Faleminderit që kurrë nuk keni thënë jo, dhe gjithmonë keni besuar në të gjitha ëndrrat e tij.
Ne të gjithë si familje jemi krenar me arritjet, sfidat e tij, dhe duhet të falënderojmë që keni qenë bashkë me të në çdo hap.
Paçi një verë të shkëlqyer.
Të duam prindëit e Filipit dhe të dy vëllezërit e tij.
New York
27 Qershor, 2025