Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka shënuar një tjetër sukses në zgjerimin e rrjetit të tij ajror ndërkombëtar, me realizimin e fluturimit të parë direkt Lisbonë–Tiranë nga kompania ajrore easyJet. Ky zhvillim e bën kryeqytetin portugez më të aksesueshëm se kurrë për shqiptarët, duke hapur gjithashtu mundësi të reja për turizëm, bashkëpunim ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.
Në ceremoninë përuruese të linjës së re, Drejtori Operacional i TIA, Piervittorio Farabbi, theksoi rëndësinë e këtij destinacioni të ri:
“Jemi të lumtur që kemi shtuar këtë destinacion, edhe pse sezonal. Shpresojmë që easyJet dhe Portugalia të mbeten pjesë e rrjetit tonë gjatë gjithë vitit. Avioni ishte plot në ardhje dhe do të jetë gjithashtu i mbushur edhe në kthim. Shqipëria është tashmë një destinacion që të gjithë duan ta vizitojnë. Pothuajse 90% e pasagjerëve janë portugezë të interesuar për të zbuluar vendin tonë,” tha ai.
easyJet, një nga linjat më të njohura me kosto të ulët në Evropë, vijon të zgjerojë praninë e saj në Shqipëri, duke konfirmuar interesin për tregun shqiptar dhe rritjen e kërkesës për fluturime të reja. Rrjeti i destinacioneve që ofrohen nga TIA po zgjerohet me ritme të shpejta, duke sjellë përfitime jo vetëm për pasagjerët shqiptarë, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.
Lidhja direkte me Lisbonën nuk shihet thjesht si një rrugë ajrore e re, por si një urë e re bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Portugalisë. Ajo hap perspektiva të reja për projekte në fushën e kulturës, arsimit dhe investimeve të ndërsjella.
TIA është porta kryesore ajrore e Shqipërisë dhe ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon. Në vitin 2024, ka pritur mbi 10.7 milionë pasagjerë, ndërsa nën drejtimin e Grupit Kastrati, po zbaton investime të mëdha në infrastrukturë dhe shërbime moderne.
Ndërkohë, easyJet operon mbi 1,000 linja në 35 vende, duke u vlerësuar për shërbimin cilësor, përballueshmërinë dhe fokusin në qëndrueshmëri. Prania e saj në Ballkan po rritet me hapa të qëndrueshëm, duke reflektuar potencialin në rritje të rajonit.
TIA pritet të shpallë së shpejti linja të tjera të reja, si pjesë e strategjisë afatmesme për të kthyer Shqipërinë në një qendër të rëndësishme të transportit ajror në Ballkan.



