Në ambientet e Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me fokus toponiminë shqiptare, nën titullin simbolik “Thirre vendin tënd”. Aktiviteti mblodhi profesorë të gjuhësisë, të letërsisë dhe studiues të fushës, të cilët ndanë gjetjet e tyre nga ekspeditat kërkimore në terren.
Tryeza u organizua nga Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë dhe Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Studiuesja dhe nismëtarja e këtij projekti, Ledi Shamku, theksoi rëndësinë e mbledhjes së emrave të vendeve si një akt përjetësimi të memories kolektive. “Është një projekt që synon të mbledhë të gjithë emrat e vendeve, jo thjesht si fjalë të thata, por si shprehje e jetës dhe përvojës së banorëve. Ashtu siç është jetuar vendi, ashtu edhe është emërtuar”, u shpreh Shamku.
Në këtë veprimtari u theksua se toponimia është një element thelbësor i identitetit kombëtar dhe një pasuri që duhet ruajtur dhe dokumentuar me kujdes.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe pedagogë, studentë dhe mësues nga i gjithë qarku i Korçës, të cilët u ftuan të kontribuojnë në këtë nismë me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe historike shqiptare.