Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me dy institute nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, organizoi më 3 dhe 4 qershor në Prishtinë konferencën shkencore me temë “Diaspora shqiptare dhe çështja e Kosovës 1912–2008”.
Veprimtaria u zhvillua nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë, Tiranë – pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë – dhe Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup.
Konferenca u hap nga drejtoresha e Institutit “Ali Hadri”, znj. Teuta Shala-Peli, e cila theksoi rolin jetik të diasporës shqiptare në mbështetjen dhe ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare ndër vite.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, prof. dr. Hamit Kaba, nënvizoi se diaspora ka qenë dhe mbetet katalizator për ruajtjen e identitetit dhe interesave kombëtare, si dhe theksoi rëndësinë e studimeve të vazhdueshme mbi këtë kontribut.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe prof. dr. Skënder Hasani nga Shkupi, i cili e vlerësoi diasporën si bartëse të kujtesës kolektive dhe promotore të sensibilizimit ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve.
Në katër seanca shkencore, rreth 50 studiues nga tre institute trajtuan kontributin historik të diasporës shqiptare në përpjekjet për liri dhe shtetformim, duke e vendosur në qendër të vëmendjes veprimtarinë e saj nga viti 1912 deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Studiues nga Instituti i Historisë, Tiranë – si akad. Marenglen Verli, akad. Beqir Metaj, prof. dr. Romeo Gurakuqi, prof. asoc. Sali Kadria, prof. asoc. Gjon Boriçi, dr. Eduart Caka, dr. Eralba Çiraku, dr. Jorina Verli e të tjerë – paraqitën kumtesa mbi figura e ngjarje kyçe që dëshmojnë për rolin aktiv të diasporës në të gjitha fazat e historisë shqiptare.
Kumtesat përfshinë temat: mërgata shqiptare në Egjipt dhe në SHBA, dokumente diplomatike mbi masakrat serbo-malazeze të viteve 1912–1913, dhe rolin e emigracionit politik gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore.
Konferenca u vlerësua si një hap domethënës në drejtim të ndriçimit të mëtejshëm të rolit të diasporës shqiptare në mbrojtje të identitetit dhe të drejtës historike të shqiptarëve në Kosovë.



