Shqipëria është kthyer në një nga qendrat kryesore të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe ’25”, një ndër operacionet më të mëdha ushtarake në dekadën e fundit në Evropë dhe Afrikë, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e gatishmërisë dhe ndërlidhjes mes trupave të NATO-s dhe partnerëve strategjikë.
Pjesë e këtij operacioni të gjerë është edhe një histori personale që i jep një dimension të veçantë stërvitjes: ajo e kapitenes Hatixhe Çollaku, e cila ndonëse mban uniformën e Forcave Kombëtare të New Jerseyt në SHBA, është me origjinë shqiptare, nga qyteti i Peshkopisë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau sot publikisht historinë e saj duke e cilësuar “një krenari të dyfishtë” dhe një shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët.
“Kapitene Çollaku ndan përvojën e saj frymëzuese gjatë Defender Europe ’25, ku bashkëpunimi me Forcat e Armatosura të Shqipërisë është për të jo vetëm mision profesional, por edhe kthim në rrënjë,” u shpreh ministri Vengu.
Kapitene Çollaku, e cila ka emigruar në SHBA me familjen në vitin 1999, rrëfen se lidhja me vendin e saj të lindjes nuk është ndërprerë kurrë. “Familja ime ka bërë çmos që të mos harroj as gjuhën, as kulturën. Kemi ardhur çdo verë në Shqipëri,” tregon ajo.
E frymëzuar nga i ati, ish-ushtarak në Shqipëri, ajo vendosi të ndjekë një karrierë ushtarake në SHBA, duke përfituar fillimisht nga programet që i mundësuan të ndjekë studimet dhe më pas duke qëndruar në ushtri për t’i shërbyer vendit ku jeton, por gjithmonë me ndjenjën e mirënjohjes për vendin ku ka lindur.
“Për mua, të jem këtu në Shqipëri si pjesë e një misioni shumëkombësh është më shumë se një detyrë. Është ndjenjë. Ushtria shqiptare është pjesë e formimit tim shpirtëror dhe profesional,” thotë Çollaku, e cila në këtë stërvitje shërben në sektorin e inteligjencës.
“Defender Europe ’25”, i organizuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM) në bashkëpunim me vendet anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë, do të zgjasë deri më 9 qershor dhe përfshin një numër të madh trupash, pajisjesh dhe skenarësh operativë në disa shtete të rajonit.
Për Shqipërinë, pjesëmarrja në këtë stërvitje është një tregues i qartë i angazhimit të saj në arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Por për kapitenen Çollaku, ky është edhe një udhëtim personal, që bashkon dy atdhe në një uniformë.