Për shumë vite me një slogan të qartë që mbulonte një çështje të caktuar kombëtare Albanian Roots ka organizuar në New Yor një nga manisfestimet më të mëdha të komunitetit shqiptar. Kjo paradë krenarie shqiptare ka qenë gjithmonë pjesë e një zinxhiri kremtimesh dedikuar komuniteteve të ndryshme etnike në SHBA.
“Për herë të parë më 21 qershor 2025 shqiptarët rikthehen të marshojnë nën flamurin kuqezi — jo si pjesë e një feste tjetër etnike, por me një zë të vetin” njofton Albanian Roots. “Pa 16 viteve kërkesë dhe 3 viteve betejë me qytetin e Nju Jorkut, më në fund aprovohet parada e parë shqiptare. Sot e tutje jemi të pavarur dhe kemi paradën tonë, thuhet në njoftim.
Nën organizimin Albanian Roots, parada pritet të mbledhë mijëra pjesëmarrës nga komunitete shqiptare në të gjithë SHBA-të, përfshirë përfaqësues të diasporës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Flamujt, daullet, kostumet kombëtare dhe një valë krenarie kulturore pritet të përfshijnë rrugët e Manhattan-it në një ditë që organizatorët e përshkruajnë si “shqiptarisht madhështore”.
Historikisht, shqiptarët në SHBA kanë marshuar si pjesë e paradës ballkanike ose të komuniteteve të tjera etnike, por përpjekja për të pasur një paradë tërësisht shqiptare ka qenë sfiduese. Vendimi i qytetit të Nju Jorkut për të dhënë miratimin këtë vit përkon me një rritje të angazhimit qytetar dhe institucional të diasporës shqiptare në Amerikë, e cila po e konsolidon gjithnjë e më shumë zërin e saj në arenën publike.
Sipas organizatorëve, parada do të nisë në mesditë dhe do të përfshijë një numër rekord organizatash shqiptare, artistë nga diaspora, si dhe figura publike nga vendet tona të origjinës. Në skenën kryesore do të interpretojnë këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare, ndërsa rrugët do të gumëzhijnë nga tingujt e çiftelive dhe jehona e thirrjeve të “Shqipëri Etnike”.
Për shumë pjesëmarrës, kjo nuk është vetëm një ditë festive. Është një ditë që mishëron historinë e emigrimit, luftës për identitet dhe krenarinë për trashëgiminë. Në një qytet si Nju Jorku, ku përditshmëria shpesh i tret komunitetet në mozaikun e madh urban, parada e 21 qershorit premton të jetë një kujtesë e fuqishme e asaj që na bashkon.




