Migjeni, planeti i argëtimit” në “Città da Giocare”
Një e diel ndryshe, e mbushur me ngjyra, lojëra dhe emocione fëmijësh, u zhvillua në kuadër të aktivitetit “Città da Giocare” në Sassonia, Fano ku shkolla shqipe “Migjeni”, me mbështetjen e Shoqatës “Ilirianet”, solli një atmosferë të paharrueshme.
Nën hijen e një gazeboje ku valëvitej krenarisht flamuri shqiptar, fëmijët e shkollës, bashkë me bashkëmoshatarë të tjerë, u bënë pjesë e një bote të vogël plot gëzim dhe krijimtari.
“Migjeni, planeti i argëtimit” ishte një hapësirë ku gjithçka rrotullohej rreth fëmijëve. Lojërat tradicionale si loja me thasë, balonat tabake, u ndërthurën me aktivitete krijuese si laboratori “Pema me qershi”, Kripore etj..duke ofruar një eksperiencë të paharrueshme për çdo pjesëmarrës të vogël. Aty, fantazia, buzëqeshja dhe energjia e pafundme e fëmijëve u shfaqën në çdo cep.
Prania e shkollës “Migjeni” nuk ishte vetëm një përfaqësim simbolik, por një dëshmi e gjallë e ruajtjes së kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar në diasporë. Mësuesit, me përkushtim dhe dashuri, udhëhoqën fëmijët në çdo aktivitet, duke i dhënë ngjarjes një shpirt të veçantë komunitar dhe edukativ.
“Città da Giocare” një aktivitet që zhvillohet çdo vit në qytetin e Fanos u shndërrua kështu në një festë të vërtetë për fëmijët dhe një moment reflektimi për rëndësinë e përfshirjes kulturore. Në një botë që shpesh nxit përçarje, kjo ditë ishte një shembull i mrekullueshëm se si luhet dhe mësohet bashkë, përtej kufijve gjuhësorë dhe kombëtarë.
Me shpirtin e pastër të fëmijëve dhe flamurin kuqezi që i shoqëronte, kjo e diel do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve: një ditë ku fëmijëria, shqiptarësia dhe dashuria për lojën u bashkuan në një festë të paharrueshme në Sassonia. Sot në zemër të Fanos përveç gjuhës shqipe përcollëm një gjuhë tjetër, atë të lojës!
Në përfundim të kësaj dite të mbushur me dritë, hare dhe ngjyra, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij aktiviteti. Një falënderim i përzemërt shkon për mesueset dhe vullnetarët, të cilët me përkushtim dhe dashuri u bënë ura që lidhin kulturat dhe femijeve u përcollën mesazhin e bashkëjetesës dhe të respektit të ndërsjellë. Faleminderit fëmijëve tanë, që me sytë plot shkëlqim dhe shpirtin plot gëzim, e bënë “Migjeni – planetin e argëtimit” të rrezatojë në zemër te Fanos si një yll shprese dhe bashkimi.Një falënderim të veçantë por Shoqatën “Ilirianët”, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare.Së bashku treguam se gjuha e lojës dhe e dashurisë për atdheun është universale. Le të vazhdojmë të ndërtojmë ura, të kultivojmë vlerat tona dhe të sjellim gjithnjë e më shumë dritë Shqiptare në botë!
Me respekt dhe mirënjohje të thellë.
Nga Valbona Prendaj Marku