Zvicra është gjithnjë e më shumë nën kërcënimin e krimit të organizuar, me grupet kriminale nga Shqipëria dhe Kosova në qendër të vëmendjes. Kështu paralajmëron Eva Wildi-Cortés, drejtorja e re e Policisë Federale të Zvicrës, në një intervistë për gazetën prestigjioze “NZZ am Sonntag”.
Wildi-Cortés, që prej 1 shkurtit 2025 mban postin më të lartë të rendit në nivel federal, deklaron se shërbimet sekrete zvicerane kanë rritur nivelin e kërcënimit nga kriminaliteti i organizuar nga shkalla e tretë në të pestën, në një shkallë gjashtë pikëshe.
“Tregtia me njerëz, armë dhe drogë përbën rrezik serioz për demokracinë, shtetin ligjor dhe sigurinë publike. Nëse nuk veprojmë tani, Zvicra mund të përjetojë të shtëna dhe përleshje si në Holandë, Belgjikë apo Suedi”, u shpreh ajo.
Në këtë kontekst, ajo renditi grupet më aktive kriminale që veprojnë në Zvicër:
Organizata mafioze italiane ‘Ndrangheta, që pastron para.
Mafia shqiptare dhe kosovare, të përfshira në prodhim dhe shpërndarje droge.
Krimi i organizuar maroken që shpërthen bankomatë në Holandë.
Grupi nigerian “Black Axe”, që mashtron dhe shfrytëzon gra të reja në gjithë botën.
Duke përshkruar bashkëpunimin ndërkombëtar të këtyre grupeve, Wildi-Cortés sqaroi: “Mafia shqiptare sjell kokainën në Europë, mafia italiane e financon, ajo marokene e shpërndan nga porti i Rotterdamit, dhe më pas përhapet nga rrjetet lokale në qytete si Bern e Zürich.”
Një shembull konkret ishte agjencia e udhëtimit në qendër të Luzernit, e cila, sipas hetimeve të policisë, u përdor si pikë takimi nga rrjeti i drejtuar nga mafia kosovare. Brenda një viti, aty u regjistruan 750 vizita nga persona të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash.
Sipas Wildi-Cortés, shumë sallone berberësh, shpërndarës picash dhe agjenci udhëtimesh shërbejnë realisht si mbulesa për aktivitetet kriminale. “Pikërisht aty duhet të fillojë beteja kundër krimit të organizuar në Zvicër,” përfundoi ajo.