“Të marrë Amerika me të mira”, një udhëtim i brendshëm në New York

E martë, 1 Korrik, 2025

Nga Bona Bonis

Sa prej jush e kanë dëgjuar shprehjen “Të marrë Amerika me të mira”? Hm… (qesh) unë e dëgjova për herë të parë para ca muajsh, kur erdha në New York. Shumë njerëz, të njohur e të panjohur më thanë me buzëqeshje, por unë e lexova edhe si shpresë në sytë e tyre: “Të marrë Amerika me të mira.” Duket një urim i thjeshtë, i padëgjuar më pare, por me peshë të madhe. Një fjali që përmbledh gjithë dëshirën për një fillim të mbarë, për mundësi të reja, pra për një jetë më të mirë.

Një fjali që më shoqëroi pikërisht kur lashë pas gjithçka të njohur dhe u nisa drejt një bote krejt tjetër. Në fillim, më tingëlloi si një përkëdhelje e ëmbël, si një ngushëllim për mallin që të pret dhe për sfidat që nuk vonojnë këtu. Por tani, ndërsa kalojnë ditët dhe mësohem me ritmin, zhurmën, vetminë dhe shpresën që sjell kjo tokë, ndjej që ajo fjali më ka hyrë në zemër, jo si një fjalë kalimtare, por si një shoqëruese e heshtur në çdo hap. Jo vetëm kaq, kam filluar ta përdor, duke ia përcjell të sapoardhurve në Amerikë… Muajt e parë në New York kanë qenë një përzierje emocionesh dhe përvojash të reja për mua.

Çdo ditë ka sjellë me vete diçka të papritur, ka sjellë një ndjesi të çuditshme, e ndryshme nga ajo që isha mësuar, por në të njëjtën kohë, e fuqishme dhe formuese për mendjen dhe shpirtin. Ky qytet nuk të paralajmëron, por të vë përballë sfidave, por edhe të jep mundësinë të rritesh, të njohësh më mirë veten dhe të kuptosh sa i fortë mund të jesh kur nuk ke zgjidhje tjetër veçse të ecësh përpara. Jeta këtu ecën me një ritëm marramendës, por në të njëjtën kohë Amerika të ofron një ndjesi të veçantë mundësie. Është ndjesia që, në çdo moment, gjithçka mund të ndryshojë për mirë. Është qetësia e heshtur që vjen nga fakti se ke një shans (ndoshta të vogël, por real) për të ndërtuar diçka që është vërtet e jotja.

Mendoj se, në këtë tokë të madhe, edhe pse mund të ndihesh i vogël, ndihesh njëkohësisht i lirë. Ka qenë një periudhë sfiduese, por që më ka shtyrë të gjej forcën për të bërë atë që di të bëj më mire, të jem vetvetja. Në këtë proces, po ndërtoj një version më të pjekur të vetes, ky version beson se mund t’ia dalë edhe në mes të pasigurisë. New York-u të mëson, jo vetëm të mbijetosh, por edhe të krijosh qëndrueshmëri, të ngulësh këmbë dhe më e rëndësishmja të mos harrosh kush je!

Uroj me gjithë shpirt që ajo shprehja, në  dukje e thjeshtë, “Të marrë Amerika me të mira”, të mos mbetet vetëm një urim, por të më shoqërojë gjatë gjithë qëndrimit tim këtu (i gjatë apo i shkurtër të jetë ai). Kjo shprehje dua që të më rikujtojë gjithmonë se e bukura, e mira dhe e mundura janë përpara.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.