Gurakuç Kuçi, nga Instituti Octopus, ka ngritur shqetësime rreth një lufte hibride që po zhvillohet në veri të Kosovës nga disa organizata joqeveritare serbe. Ai thotë se disa OJQ nga veriu i Kosovës, si “NGO Aktiv”, po përpiqen të krijojnë një narrativë të re dhe po bëjnë një luftë hibride.
Ai thekson se, pasi kanë dështuar me sulme terroriste në Banjskë dhe Zveçan për të aneksuar veriun e Kosovës, tani po përdorin mjete të “fuqisë së butë”.
Ai thotë se ky skenar është “pjesë e luftës hibride duke përdorur edhe çështjet emocionale”.
“Ka pasur një deklaratë për media ku janë etiketuar edhe organizata ndërkombëtare si EULEX-i dhe KFOR-i, dhe nga NGO Aktiv me tri apo katër organizata të cilat janë nga veriu i Kosovës, NGO Aktiv që mundohet ta paraqesë veten si një organizatë e cila është multietnike, e cila realisht nuk ka asnjë nga komunitetet tjera dhe 95% apo 90%, janë vetëm të komunitetit serb, më duket vetëm një është nga komunitet tjera. Dhe në këtë formë po mundohen që të nxisin një narrativë të re, kjo është në kuadër të luftës hibride. Por përderisa me mjete të forta, me mjete terroriste siç ishte sulmi në Banjskë, sulmi në Zveçan, dështuan të aneksojnë veriun e Kosovës dhe ta krijojnë një gjendje kaotike në atë zonë, atëherë tani po mundohen duke përdorur mjete soft power – fuqia e butë, duke prekur aty ku është pika më e dobët e karakterit të shqiptarëve dhe karakterit të ballkanasve, pjesën më të madhe, pra që është femra – gratë dhe vajzat, dhe në këtë mënyrë duke i paraqitur Policinë e Kosovës se janë duke i ngacmuar vajzat dhe gratë në veri”, tha ai.
Kuçi thotë se akuzat ndaj Policisë së Kosovës për ngacmime ndaj grave dhe vajzave në veri, duke përdorur një çështje që është shumë emocionale për popujt e Ballkanit, bëhen me qëllim që të delegjitimohet Policia dhe të nxitet ndërhyrja e KFOR-it dhe EULEX-it, në atë zonë.
Sipas tij, kjo bëhet për t’i hapur rrugë rikthimit të strukturave paralele dhe terroriste të Radojçiçit.
Ai thekson se këto struktura preferojnë praninë e KFOR-it dhe EULEX-it, sepse ata nuk i njohin aq mirë taktikat e tyre sa Policia e Kosovës./ Kosova Press/