Shqipëria shpallet destinacioni më i mirë për turizëm në vitin 2025 nga platforma ndërkombëtare HelloSafe
Në një renditje të përvitshme të vendeve më të preferuara për t’u vizituar në vitin 2025, Shqipëria është kurorëzuar si destinacioni kryesor, sipas analizës së platformës ndërkombëtare HelloSafe. Vlerësimi është bazuar në faktorë kyç si siguria, përballueshmëria ekonomike, klima dhe prezenca në mediat sociale, ku Shqipëria mori një rezultat të lartë prej 75.8 pikësh.
HelloSafe e cilëson Shqipërinë si një perlë të Mesdheut në zhvillim e sipër, duke u bërë një alternativë gjithnjë e më tërheqëse ndaj destinacioneve tradicionale si Greqia dhe Kroacia. Raporti nxjerr në pah bukuritë natyrore të bregdetit shqiptar, veçanërisht plazhet e jugut, të cilat përshkruhen si të paprekura dhe magjepsëse.
Ksamil konsiderohet një prej destinacioneve më tërheqëse në rajon, me gjiret, ishujt e vegjël, kepat e pyllëzuar dhe lagunat që shkëlqejnë në rrezet e diellit, duke ofruar një përvojë të veçantë për vizitorët. Gjiri i Dafinës në gadishullin e Karaburunit, zonë e mbrojtur natyrore, përmendet si një tjetër thesar që çdo turist duhet ta eksplorojë.
Por Shqipëria nuk është vetëm bregdet. Natyrat e bukura të brendshme të vendit janë po aq të mahnitshme. Lugina e Thethit, në zemër të Alpeve Shqiptare, është përshkruar si një nga eksperiencat më të veçanta të vitit 2025, me peizazhe alpine, pyje pishe dhe liqene të kthjellëta, të rrethuara nga maja të thepisura që ofrojnë aventura autentike larg turmave.
“Në një kohë kur udhëtarët kërkojnë destinacione autentike dhe të paprekura nga turizmi masiv, Shqipëria renditet si një zgjedhje kryesore për shkak të natyrës së egër, kulturës aktive dhe përballueshmërisë ekonomike,” thekson raporti i HelloSafe.
Ky vlerësim ndërkombëtar vjen në një kohë kur Shqipëria po konsolidon pozicionin e saj si destinacion turistik i qëndrueshëm, duke sjellë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.