Nga Parku Olimpik, ku po vazhdon numërimi i votave të diasporës, Taulant Balla, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën u shpreh për mediat se PS i ka kërkuar Komisionit të Administrimit, Vlerësimit dhe Numërimit të vazhdojë me pjesën e mbetur të procesit — rreth 25% të votave nga Greqia.
“Qëllimi ynë është i qartë: çdo votë e ardhur nga motrat dhe vëllezërit tanë në diasporë të lexohet dhe procesi të përmbyllet sa më shpejt,” tha Balla.
Ai shtoi se janë hasur vështirësi për marrjen e vendimeve brenda komisioneve, për shkak të mungesës së kuorumit, që vjen nga balanca politike brenda tyre.
Për këtë arsye, PS është drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili sipas Kodit Zgjedhor ka kompetencë për të garantuar vijimin e numërimit.
“Kemi konstatuar mungesë kuorumi në komisionet për numërimin e votave nga jashtë, për shkak të balancës politike. Tani i kemi drejtuar kërkesë Komisionerit Celibashi, që me kompetencat e tij të sigurojë vijimin e procesit,” tha Balla.
Duke aluduar te përpjekjet për të penguar përfundimin e procesit, Balla theksoi se disa humbës po tentojnë të bllokojnë shpalljen e rezultatit përfundimtar.
“Disa përfaqësues politikë kanë kërcënuar numëruesit për të mos vazhduar numërimin, një situatë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë,” tha Balla.
Ai bëri thirrje që vëzhguesit e të gjitha forcave politike të garantojnë normalitetin e procesit.
“Nuk ndodhemi në një fazë kontestimi, por çdo votë duhet të administrohet me ligj, para se subjektet të fillojnë kundërshtimet në instancat përkatëse,” përfundoi Balla.



