Shqipëria ka qenë këto tre ditë qendra e një prej evenimenteve sportive më të rëndësishme të sezonit, Giro d’Italia. Sigurisht, një aktivitet sportiv – por që nuk mbeti vetëm brenda kësaj kornize. Përveç peizazheve të mrekullueshme shqiptare që u transmetuan drejtpërdrejt në Rai 2 dhe në kanale të tjera sportive në mbarë botën, vëmendje mori edhe historia dhe kultura shqiptare. Mes kartolinave televizive dhe materialeve historike, shikuesit u njohën me rrëfimin tonë kolektiv dhe trashëgiminë që shpesh mbetet në hije shkruan Diaspora Shqiptare.
Por një “xhiro” të fundit Giro d’Italia e kishte rezervuar përmes shijes — dhe përmes gatimit. Në bashkëpunim me një nga shefat më të njohur italianë në media sociale e më gjerë, Max Mariola, Giro d’Italia ka prezantuar edhe tre receta që, nëse nuk janë krejtësisht autentike, janë padyshim shumë të njohura për shqiptarët shkruan Diaspora Shqiptare.
Max Mariola nga kuzhina e improvizuar, me sfond detin dhe kodrat e jugut, ai solli për publikun italian (dhe jo vetëm) një përzierje të këndshme midis recetave shqiptare dhe stilit të vet të njohur. Që nga qoftet, tek fërgesa e deri te një version i ëmbël i byrekut, Shqipëria nuk u pa vetëm si peizazh i bukur, por edhe si vend me shije të forta, identitet të spikatur dhe një histori që të mbetet në mendje — dhe në shije.
Sepse ndonjëherë, për të kuptuar një vend, nuk mjafton ta shohësh nga lart me helikopter. Duhet të hash diçka nga kuzhina e tij.
Etapa e parë: Qofte shqiptare. Sigurisht, shefi Max Mariola qoftet do ti prezantonte me një version të vetin të sallatës – një miks mes sallatës me domate dhe kastravecë dhe diçka që të kujton xaxiqin. Jo keq! Videoja ka mbledhur mbi 1.1 milion shikime në Instagram.
Etapa e dytë: Fërgesë. Po, nga ajo shqiptarja ama. Speca, gjizë dhe – meqë shqiptarët duan shijen e kripur dhe jo ëmbëlsinë e rikotës italiane – i shtojmë edhe djathë të bardhë. E thjeshtë, e drejtëpërdrejtë dhe plot shije.
Etapa e tretë: Byrek i ëmbël me krem. Me copëza çokollate sipër. Jo ai tradicionali, por byreku mbetet byrek.
Ndërsa çiklistët mbaronin etapën e tyre të tretë në Vlorë dhe Mads Pedersen ngjitej në majën e podiumit, Shqipëria kishte fituar një tjetër garë — atë të imazhit dhe mikpritjes. Të pasionuarit e çiklizmit mund të kenë ndjekur garën për adrenalinë, por shumë të tjerë, falë qofteve, fërgesës dhe byrekut zbuluan një vend që, përveç sfidës sportive, të fton edhe në tavolinë.
View this post on Instagram
View this post on Instagram
View this post on Instagram



