Nesër Shqipëria zhvillon një nga proceset më të rëndësishme dhe më të gjera elektorale në historinë e saj të tranzicionit demokratik. Rreth 3.7 milionë shtetas shqiptarë janë thirrur të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare për të përcaktuar se kush do ta qeverisë vendin dhe do ta përfaqësojë në Kuvend gjatë katër viteve të ardhshme.
Në një risi historike për sistemin zgjedhor shqiptar, emigrantët u përfshinë për herë të parë si votues përmes postës, duke ushtruar të drejtën e tyre nga vendet ku jetojnë e punojnë – një hap i gjatëpritur për diasporën që ka kontribuar në mënyrë të pandërprerë në ekonominë dhe jetën sociale të vendit.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, 114,642 qytetarë do të votojnë për herë të parë, ndërsa 1,081 janë të përjashtuar nga procesi për shkak të ligjit të dekriminalizimit, një dispozitë që ka synuar të pastrojë politikën nga individët me të shkuar kriminale.
Për administrimin e votimit brenda territorit shqiptar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur 5,225 qendra votimi të shpërndara në 12 qarqet e vendit. Procesi do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19:00.
Në total,245,935 shqiptarë me banim jashtë vendit janë regjistruar për të votuar, me kërkesat më të mëdha për regjistrim nga Italia (40.6%), Greqia (28.3%), Gjermania (10%) dhe SHBA (6.6%). Shpërndarja e votuesve sipas qarqeve tregon se Tirana ka numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga diaspora me 49,837, e ndjekur nga Fieri (30,829) dhe Durrësi (23,924).
Deri më 10 maj, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 181,609 zarfe me vota nga emigrantët shqiptarë, nga një total prej 245,935 zarfe të dërguara. Shtetet me numrin më të lartë të zarfeve janë Italia (71,273), Greqia (45,560), Gjermania (20,016) dhe SHBA (16,085). Këto zarfe i përkasin votuesve të shpërndarë në të gjitha qarqet, të cilët kanë dërguar votat me postë në Tiranë.
Fletët e votimit të dërguara nga jashtë janë mbledhur në Parkun Olimpik në Tiranë, ku do të ruhen deri në përfundimin e votimit në vend, për t’u numëruar më pas, nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të autorizuar.
Veçanërisht shqetësues është rasti i Greqisë, vendi me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë në Evropë, ku mijëra shtetas raportojnë se nuk kanë marrë kurrë fletët e votimit në adresat e tyre të banimit. Qytetarët flasin për vonesa të mëdha në sistemin postar, mungesë informacioni dhe një proces verifikimi të ngadalshëm, duke ngritur dyshime për efektivitetin dhe transparencën e gjithë mekanizmit të votimit nga jashtë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë ende një shpjegim të plotë për këto pengesa, ndërsa organizata të shoqërisë civile kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe vlerësim të pavarur të procesit.
Zgjedhjet zhvillohen në një sistem proporcional rajonal, me Shqipërinë të ndarë në 12 zona zgjedhore, ku numri i mandateve varion nga 3 në Qarkun e Kukësit deri në 37 në Qarkun e Tiranës, duke reflektuar përqendrimin demografik dhe peshën elektorale të secilës zonë.
Në këtë proces marrin pjesë 53 parti politike, disa në mënyrë të pavarur dhe të tjera të bashkuara në tre koalicione parazgjedhore. Lista pjesërisht e hapur i lejon një të tretën e kandidatëve të renditen sipas një rendi të përcaktuar nga partitë, ndërsa pjesa tjetër i nënshtrohet votës preferenciale të zgjedhësve, një tjetër përpjekje për të rritur përfaqësimin dhe llogaridhënien politike.
Teksa vendi shkon drejt kutive të votimit, sfida nuk është vetëm në shifrat apo në sistemin, por në besimin e qytetarëve ndaj proceseve demokratike. Votimi nga jashtë përbën një hap simbolik drejt përfshirjes më të gjerë të shqiptarëve të diasporës, por do të jetë zbatimi dhe transparenca që do të përcaktojë nëse kjo risi do të rrënjoset si normë apo mbetet një eksperiment një herë në katër vjet.