Drejtuesja politike për Diasporën nga radhët e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka ngritur sot alarmin për parregullsitë serioze në procesin e shpërndarjes dhe administrimit të votës së emigrantëve, me fokus të veçantë në Greqi dhe Itali. Nga një deklaratë për mediat në selinë blu, Topalli i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të nisin hetime të menjëhershme për atë që e quajti “shkelje flagrante të ligjit dhe të Kodit Zgjedhor”.
Sipas saj, kompania DHL, e kontraktuar për shpërndarjen e zarfeve të votimit, ka nënkontraktuar palë të treta që nuk respektojnë detyrimet ligjore. “Në Greqi po shkelet ligji në mënyrë të organizuar. Jo vetëm që zarfi nuk dorëzohet më individualisht në banesë, siç parashikon ligji, por qytetarëve u dërgohet një e-mail ku u kërkohet të paraqiten në pika të caktuara, si zyrat e lojërave të fatit, për ta tërhequr zarfin. Shumë prej tyre, kur shkojnë në vendin e treguar, nuk e gjejnë më zarfin e tyre,” – deklaroi Topalli.
Situata nuk është më e mirë as në Itali. Topalli denoncoi një rast konkret në ambasadën shqiptare në Romë, ku sipas saj, një punonjëse e quajtur Marjeta Mikeli, ka mbledhur dhe dorëzuar zarfa në kundërshtim me çdo normë ligjore. “Kjo është e papranueshme dhe e përsëritur edhe gjatë fazës së regjistrimit të votuesve,” – theksoi ajo.
Duke vijuar me denoncimet, Topalli tha se në Greqi ka raste kur makina të marra me qira në Shqipëri dërgohen për të mbledhur votat e emigrantëve. “Në një rast konkret, një ish-kryetar komune nga Carcova, aktualisht zyrtar në Bashkinë e Përmetit, i identifikuar si Veli Mehmeti, ka marrë pagesë për të plotësuar vetë fletët e votimit në emër të emigrantëve shqiptarë,” – u shpreh ajo.
Topalli e përmbylli deklaratën me një thirrje të fortë për institucionet shtetërore: “Nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por me një sistem të tërë të shndërruar në mekanizëm manipulimi. Njerëzit e Partisë Socialiste janë kthyer në zyra paralele të DHL. Kjo është e papranueshme dhe kërkon veprim urgjent.”



