Është hapur zyrtarisht portali për të kontrolluar përgjigjet e Lotarisë Amerikane DV-2026. Të gjithë aplikantët që kanë marrë pjesë në regjistrimin që u zhvillua nga data 2 tetor deri më 7 nëntor 2024, mund të kontrollojnë nëse janë përzgjedhur për të vijuar me procesin për vizë të përhershme (Green Card) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për të kontrolluar statusin, aplikantët duhet të përdorin numrin e konfirmimit që kanë marrë gjatë regjistrimit në këtë link zyrtar: https://dvprogram.state.gov. Ky numër duhet ruajtur deri më 30 shtator 2026, edhe nëse nuk rezultoni përfitues këtë vit, për shkak të mundësive të ndryshme që mund të shfaqen gjatë procesit.
Gjithashtu, aplikantët e Lotarisë DV-2025, të cilët aplikuan në periudhën 4 tetor – 7 nëntor 2023, mund të vazhdojnë të kontrollojnë statusin e tyre deri më 30 shtator 2025 në të njëjtin portal.
Shtetet pjesëmarrëse në Lotarinë Amerikane përzgjidhen çdo vit nga Departamenti i Shtetit i SHBA. Aplikuesit e lindur në vendet nga të cilat kanë emigruar më pak se 50,000 persona drejt SHBA-së gjatë pesë viteve të fundit janë të kualifikuar për të aplikuar, me kusht që të plotësojnë edhe kriteret për arsim ose përvojë pune.
Gjithashtu, çdo vit, Green Card-et përmes këtij programi shpërndahen në mënyrë të barabartë në gjashtë rajone gjeografike, dhe asnjë vend nuk mund të marrë më shumë se 7% të totalit të vizave të disponueshme në një vit të vetëm.
Kujdes! Për ata që përzgjidhennë fazën e parë të procesit, përzgjedhja nuk është një garanci për marrjen automatike të vizës, por është hapi i parë drejt procesit të intervistës në ambasadën përkatëse të SHBA.
Fituesit nga Shqipëria në 6 vitet e fundit
COUNTRY | DV-2025 | DV-2024 | DV-2023 | DV-2022 | DV-2021 | DV-2020 | DV-2019 | |
ALBANIA | 1,598 | 2,667 | 2,001 | 2,756 | 3,962 | 3,603 | 2503 |
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se njoftimet për përzgjedhjen bëhen vetëm online dhe nuk dërgohen email-e ose mesazhe telefonike. Kujdes nga mashtrimet dhe faqe të rreme që mund të kërkojnë pagesa apo informacione personale.
Të gjithë të interesuarit këshillohen të kontrollojnë me kujdes të dhënat e tyre dhe të ndjekin hapat zyrtarë në rast se janë përzgjedhur. Përzgjedhja nuk garanton automatikisht marrjen e vizës, por është vetëm hapi i parë drejt një interviste në ambasadën amerikane.