Nga muaji qershor pritet të hyjë në fuqi marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë, një zhvillim i rëndësishëm për mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë dhe një numër të konsiderueshëm shtetasish italianë.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), përfaqësuesja e UIM Albania, Tresjana Elmazi, sqaroi se kjo marrëveshje u jep mundësi qytetarëve që kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore në të dy vendet të përfitojnë pension përmes bashkimit të viteve të punës. “Nëse një person ka 10 vite punë në Shqipëri dhe 10 në Itali, mund të marrë pension proporcionalisht nga të dyja vendet, sipas kontributeve të derdhura,” theksoi Elmazi.
Pensionet do të llogariten ndaras dhe do të derdhen në mënyrë të pavarur nga institucionet përkatëse, Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Shqipëri dhe Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (IMS) në Itali. Sipas Elmazit, pensioni italian nuk bashkohet me atë shqiptar, por lëvrohet veçmas, si një transfertë mujore në llogarinë bankare të përfituesit.
Në këtë fazë, aplikimet ende nuk mund të nisin, për shkak se marrëveshja nuk ka hyrë zyrtarisht në fuqi. Megjithatë, Elmazi këshillon qytetarët që të përgatiten që tani duke verifikuar kontributet e tyre në të dy sistemet, për të shmangur vonesat sapo të hapet aplikimi. “Është e rëndësishme që qytetarët të kenë gati dokumentet dhe të bëjnë verifikimet për të shmangur vonesat, sidomos për periudhat para vitit 2012 në Shqipëri apo për rastet kur ka kaluar shumë kohë nga qëndrimi në Itali”, u shpreh ajo.
Qytetarët që jetojnë në Itali e kanë më të thjeshtë aksesin përmes sistemit të IMS-it dhe përdorimit të identifikuesit personal (SPID), ndërsa për ata që janë kthyer në Shqipëri dhe kanë vështirësi në përdorimin e sistemeve digjitale, UIM Albania ofron asistencë falas përmes zyrave të saj në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Lezhë.
Elmazi nënvizoi gjithashtu se shumë shtetas italianë vijnë në Shqipëri për të ndjekur procedurat e përjashtimit nga taksat, pasi pensioni në Shqipëri nuk tatohet. Për këtë kategori dhe për shqiptarët që kthehen në atdhe, zyrat e patronatit ndjekin procedurat për defiskalizimin.
Në fund, përfaqësuesja e UIM Albania dha një thirrje për të gjithë qytetarët që mund të përfitojnë nga marrëveshja: “Të mos presin momentin e fundit, por të fillojnë tani verifikimet dhe mbledhjen e dokumentacionit. Koha është e shkurtër dhe fluksi është i madh”.
Marrëveshja është një hap i rëndësishëm në drejtim të mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë që kanë emigruar dhe kanë punuar në Itali, si dhe një model për bashkëpunime të ngjashme me vende të tjera në të ardhmen.