Në Senigallia, ka nisur ditën e djeshme “Agro Marino Festival” një nga eventet më të dashur të gastronomisë, të kulturës dhe argëtimit me patronazhin e komunës së Senigallias dhe falë impenjimit të Dana Frashërit, organizatores së festivalit.
Ky festival i cili do të ofrojë një copëz Shqipërie edhe ditën e sotme nuk është thjesht një event, është një pikë vjetore takimi, një urë lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë, që e shndërron komunën e Senigallias në një zemër që rreh shqip nga krenaria. Një udhëtim i vërtetë mës shijeve dhe traditave shqiptare. Sigurisht, ky festival është edhe një rast i veçantë për të festuar dashurinë për atdheun e të parëve, si edhe për të mbledhur bashkë familjet, miqtë dhe bashkëkombasit në një atmosferë drithëruese emocionesh.
E pasuroi këtë event ikona e kulinarisë dhe kulturës gastronomike shqiptare, Ceren Ismet Shehu, një shef nga më të famshmit në Shqipëri. Prania e tij është sinonim i autenticitetit, cilësisë dhe pasionit, duke sjellë me vehte shijet e veçanta të traditës shqiptare. Publiku vendas dhe shqiptar pati mundësi të shijonte traditat gastronomike të tokës sonë, një menu tipike shqiptare me dromka (rosnica) me kërpudha të Pukës, fërgesë me speca të Tiranës, tavë dheu e mish qingji të pjekur, pa lënë mënjanë hasuden.
Gjallëria u shtua edhe më shumë nga pjesëmarrja e këngëtares Eglantina Toska dhe nga vallet e krahinave të ndryshme shqiptare të interpretuara me aq mjeshtëri nga Grupi Folklorik i Ansamblit të Elbasanit.
Nuk mungoi edhe pjesëmarrja e Shoqatës shqiptare “Iliranët”, Fano, me përfaqësuese znj. Irma Arapi. Në fjalën përshëndetëse, znj. Arapi nuk harroi të përmendë edhe aktivitetet kulturore, shoqërore dhe edukuese që zhvillohen nga kjo shoqatë në ndihmë të komunitetit shqiptar, duke përmendur veçanërisht punën e madhe që bëhet nga mësueset e shkollës shqipe “Migjeni”, për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë mes brezave të rinj. Kishin ardhur posaçërisht për këtë takim mësueset e kësaj shkolle, si edhe një grup nxënësish. Madje, një nxënëse interpretoi një këngë në gjuhën e zemrës duke emocionuar të pranishmit dhe duke na bindur që shqipja ka shpresë.
Mes flamujve shqiptarë dhe italianë, në një atmosferë hareje dhe argëtimi të përbashkët, ku këndohej shqip, kërcehej shqip, shijohej shqip, nuk mund të mungonin edhe tezgat me produkte shqiptare, si mjaltë e raki.
Agro Marino Festival është një nismë që zhvillohet vit për vit, me qëllimin për t’i dhënë vlerë dhe për të festuar traditat bujqësore dhe detare, duke zbuluar njëkohësisht bukurinë dhe autenticitetin e një stili jete të bazuar në thjeshtësinë dhe në përdorimin e shëndetshëm të burimeve natyrore.
Nga Anila Berberi