Shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra u shpall sot fituese e edicionit të tretë të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Në një finale plot emocione dhe konkurrencë të fortë u përballën shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra dhe shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan.
Të dyja shkollat finaliste gjatë fazës gjysmëfinale kishin grumbulluar më shumë pikë.
Nxënësit nga të dyja shkollat dëshmuan aftësitë e tyre të larta në gjuhën shqipe, duke u përballur me njëri-tjetrin në një konkurrencë tepër të ngushtë deri në fund, duke e mbajtur publikun në ankth.
Në finalen e këtij konkursi ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të institucioneve arsimore etj.
Ministrja Manastirliu në fjalën e saj tha se “jemi në përmbyllje të këtij rrugëtimi dymujor ku në 700 shkolla rreth 11 mijë nxënës kanë garuar përmes dijeve të tyre në gjuhën shqipe në këtë konkurs kombëtar”.
“Është një moment feste për gjuhës shqipe ku ne kemi zbuluar shumë talente, pasionin tuaj mbi të gjitha për gjuhën tonë të bukur përmes shumë elementëve dhe komponentëve që ky konkurs ka ofruar. Ne kemi parë se sa shumë ju e doni gjuhën, se sa shumë kontribuoni që përmes mësimit të gjuhës shqipe dhe asaj që ju kanë mësuar mësuesit tuaj ju dini kaq mirë ta përcillni, të komunikoni por edhe të krijoni projekte kaq të bukura inovatore”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “në këtë garë të bukur për promovimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe nuk ka humbës, të gjithë janë fitues dhe të gjithë ju jeni skuadra e fituesve që jeni krenaria jonë”.
“Ndaj dua të përcjell tri iniciativa që ne i kemi nisur por do t’i thellojmë. Së pari, rrjeti i konkurseve kombëtare për të gjitha lëndët për ne tashmë është kthyer në një prioritet dhe duke filluar nga viti i ardhshëm nuk do të kemi thjesht një konkurs të gjuhës shqipe por një festival të gjuhës shqipe dhe gjithashtu do ta ndërthurim edhe me festivalin e shkencës dhe inovacionit edhe për gjimnazet. Nisma jonë tashmë shumëvjeçare për pasurimin e fondit të bibliotekave në shkolla do të zgjerohet për të gjitha shkollat, ndaj nisma ‘Biblioteka ime në shkollë’ do të vijojë edhe vitin e ardhshëm në më shumë se 500 shkolla. Dhe e treta, është një program i rëndësishëm për ne të cilin e kemi shtrirë në 200 shkolla të vendit dhe në dy vitet e ardhshme ne do ta shtrijmë edhe në 400 shkolla të tjera dhe është programi Art, Zeje, Sport”, tha Manastirliu.
Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të kthehet në një traditë të përvitshme, me synim ruajtjen, nxitjen dhe promovimin e gjuhës sonë të bukur shqipe ndër breza.