Aeroporti i ri Ndërkombëtar i Vlorës pritet të realizojë më 8 maj testin e parë të uljes në pistën prej 3.2 kilometrash. Lajmi u bë i ditur sot nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi mbi ecurinë e projekteve strategjike në këtë qytet, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas Ballukut, operimet komerciale në aeroport do të nisin brenda sezonit veror të këtij viti, duke përmbushur një objektiv të kahershëm për zhvillimin ekonomik të rajonit. “Vlora pret që në vitin e parë të operimit të përpunojë rreth 3 milionë pasagjerë,” deklaroi ajo.
Aeroporti i Vlorës, i cilësuar si “krenaria e aviacionit civil shqiptar”, është konceptuar si një projekt me tre komponentë kryesorë: transporti i pasagjerëve, mirëmbajtja e avionëve dhe zhvillimi industrial i sektorit të aviacionit. Balluku nënvizoi se ky është aeroporti i parë në Shqipëri që bashkon këto tre funksione në një strukturë të vetme.
Investimi fillestar për aeroportin ishte planifikuar në 104 milionë euro, por për shkak të ndryshimeve dhe zgjerimeve të kryera nga viti 2021 deri në 2024, konsorciumi ndërtues ka investuar deri tani 140 milionë euro.
Aeroporti do të ketë një kapacitet përpunimi prej 4.5 milionë pasagjerësh në vit dhe pritet të krijojë 1.200 vende të reja pune për profesionistë të aviacionit civil dhe sektorë të lidhur. Procesi i rekrutimit ka nisur dhe, sipas ministres, pagat në këtë sektor do të jenë të krahasueshme me ato të vendeve të tjera evropiane.
Balluku theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të njësisë së mirëmbajtjes së avionëve, një nënsektor i ri për Shqipërinë, i cili do të sjellë jo vetëm më shumë fluturime, por edhe të ardhura shtesë ekonomike nga qëndrimi afatgjatë i avionëve në vend.
“Ky është një investim me impakt ekonomik të jashtëzakonshëm, që nuk ndihmon vetëm industrinë e aviacionit, por edhe ekonominë lokale përmes rritjes së punësimit dhe shërbimeve mbështetëse,” tha Balluku.
Aeroporti i Vlorës shihet si një gur themeltar në ambicien e Shqipërisë për ta shndërruar bregdetin jugor në një nyje të rëndësishme të transportit ajror në rajon.