Kongresistja amerikane Julie Johnson (TX-32), anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ka paraqitur një rezolutë dypartiake që nderon banoren e Teksasit Verior dhe aktivisten nga Kosova për të drejtat e njeriut, Vasfije Krasniqi-Goodman – e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës së Kosovës më 1999. Përmes kësaj rezolute, Johnson kërkon drejtësi të vonuar për krimet e luftës të kryera nga forcat serbe.
Vasfije Krasniqi-Goodman ishte vetëm një adoleshente kur u rrëmbye, torturua dhe u përdhunua nga forcat serbe gjatë luftës. Pavarësisht tmerrit që përjetoi, askush nuk është nxjerrë ende para drejtësisë. Guximi i saj për të ndarë publikisht rrëfimin ka bërë që ajo të kthehet në një zë të fuqishëm global për të mbijetuarit e dhunës seksuale në kohë lufte.
“Fuqia e Vasfijes ka frymëzuar mijëra njerëz në mbarë botën, por drejtësia për atë që ka përjetuar nuk ka ardhur kurrë,” tha kongresistja Johnson. “Kjo rezolutë dërgon një mesazh të qartë: komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të mbyllë sytë para krimeve të luftës. Të mbijetuarit meritojnë drejtësi – jo heshtje. Nuk është thjesht çështje e asaj që ndodhi para 25 vitesh, por e asaj që jemi të gatshëm të bëjmë sot për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të fuqizuar të mbijetuarit dhe për të thënë të vërtetën.”
Vasfije Krasniqi-Goodman shprehu mirënjohjen për përkrahjen: “Jam jashtëzakonisht krenare për kongresisten Julie Johnson dhe bashkësponsorët e rezolutës për përkushtimin e tyre ndaj drejtësisë për 20,000 të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo rezolutë është dëshmi e angazhimit të palëkundur për drejtësi dhe llogaridhënie. Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme dhe pres me padurim zhvillimet e mëtejshme në Komisionin për Punë të Jashtme.”
Edhe organizata “Rally For Her Justice” reagoi me mirënjohje. Vera Mjeku tha: “Si një zë i të mbijetuarve në kërkim të drejtësisë, jemi thellësisht mirënjohës për udhëheqjen e kongresistes Johnson dhe për të gjithë anëtarët e Kongresit që bënë këtë një çështje dypartiake. Vasfije dhe të mbijetuarit e tjerë na kujtojnë se kemi një detyrim të përbashkët për të qëndruar përballë padrejtësisë dhe për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte.”
Rezoluta prezantohet pak para përvjetorit të Rezolutës 2467 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila riafirmon përgjegjësinë e shteteve për të ndalur pandëshkueshmërinë për dhunën seksuale në konflikte.
Pikat kryesore të rezolutës përfshijnë:
Nxitjen e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur angazhimet ndaj të mbijetuarve dhe për të prioritetizuar rastet e pazgjidhura të dhunës seksuale nga lufta e vitit 1999;
Thirrje për Qeverinë e Serbisë që të ndjekë penalisht autorët e krimeve të dhunës seksuale në luftë;
Kërkesë për Qeverinë e SHBA-së që të përfshijë rastin e Vasfije Krasniqi-Goodman në dialogjet diplomatike me Serbinë dhe të forcojë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore në nivel global.
Rezoluta gëzon mbështetje dypartiake, me bashkësponsorë përfshirë përfaqësuesit Marc Veasey (D-TX-33), Alexandria Ocasio-Cortez (D-NY-14), Ritchie Torres (D-NY-15), Keith Self (R-TX-03), George Latimer (D-NY-16), Ilhan Omar (D-MN-05) dhe Jim McGovern (D-MA-02).
Lexo rezoluten e plotë këtu: https://www.congress.gov/bill/119th-congress/house-concurrent-resolution/26/text?s=2&r=3