Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së hënës në Kaçanik, ku Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika – ngjarje që tronditi vendin më 1 prill 2025.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, konfirmoi për mediat se operacioni është zhvilluar si pjesë e hetimeve intensive për zbardhjen e vrasjes së efektivit Lika, i cili u gjet i qëlluar për vdekje në hyrje të banesës së tij në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.
Ndër të arrestuarit rezulton të jetë edhe një ish-polic dhe një ish-ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët dyshohet se i përkasin një grupi të organizuar me prirje ekstremiste. Një nga emrat kyç të përfshirë është Rejhan Bela, një 18-vjeçar i cili dyshohet si autor i drejtpërdrejtë i vrasjes. Në momentin e krimit, Bela ishte ende i mitur, vetëm 17 vjeç.
Sipas një komunikate të Prokurorisë në Ferizaj, mësohet se vrasja është kryer me paramendim dhe në bashkëpunim me persona të tjerë. “Pas përfundimit të orarit të punës, viktima është ndjekur deri te banesa e tij dhe është qëlluar nga pas me armë zjarri në shkallët e objektit ku banonte,” thuhet në njoftim. Si pasojë e plagëve të marra, rreshteri Lika nuk mundi të mbijetojë, duke ndërruar jetë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media bëri të ditur se disa nga të dyshuarit kanë të kaluar kriminale dhe kanë qenë të përfshirë më herët në raste me karakter ekstremist. “Ne kemi siguruar prova që i lidhin të arrestuarit me vrasjen. Janë persona të dyshimtë dhe të rrezikshëm. Megjithatë, lidhjet me terrorizmin mbeten për t’u verifikuar, pasi hetimet do të vazhdojnë në thellësi,” deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se rreshteri Muhamed Lika ka qenë në detyrë zyrtare në kohën e ngjarjes, duke ndihmuar hetimet për disa raste të mëhershme në Kaçanik, përfshirë edhe djegien e gjykatës dhe shpërndarjen e pamfleteve.
Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të mituri të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit policor duke shkruar: “Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi.” Ai theksoi se ky aksion është një hap domethënës drejt zbardhjes së një rasti që ka lënë gjurmë të thella në institucionet e rendit dhe në opinionin publik.
Hetimet për këtë vrasje tronditëse janë ende në vijim, ndërsa autoritetet janë të vendosura për të çuar para drejtësisë autorët e krimit dhe për të garantuar sigurinë e oficerëve të Policisë së Kosovës në krye të detyrës.



