Ambasada Shqiptare në Londër organizon shfaqjen e dokumentarit historik ‘Në besë të shqiptarëve’
Në kuadër të projektit kulturor të muajit mars, dedikuar figurës dhe rolit të gruas, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër organizoi një aktivitet të veçantë, ku u shfaq dokumentari historik “Në besë të shqiptarëve”.
Në hapje të mbrëmjes, Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, SH.T. Z. Uran Ferizi, përshëndeti të pranishmit, duke i ftuar të njiheshin më nga afër me këtë organizim me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore.
E ftuara speciale e kësaj mbrëmjeje ishte gazetarja dhe autorja e dokumentarit, Rudina Xhunga, e cila solli për publikun një rrëfim unik mbi një episod të panjohur të historisë shqiptare. Ky dokumentar sjell në fokus shpëtimin e 30 infermiereve amerikane, të cilat mbijetuan një aksident ajror në Liqenin e Çestijes, Belsh, 81 vite më parë. Për 62 ditë, ato përshkuan Shqipërinë, duke u strehuar dhe ndihmuar nga shqiptarët, deri sa arritën të riktheheshin në Itali dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dokumentari është një vepër e rrallë arkivore, që përmban dëshmi autentike, histori të pabotuara më parë dhe rrëfime të mbijetesës e humanizmit të popullit shqiptar. Në mënyrë të veçantë, ky dokumentar është një homazh për Kostaq Stefën, një personalitet i cili u pushkatua më 3 mars 1948 nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i akuzuar si bashkëpunëtor i amerikanëve.
Në të vërtetë, ai ishte caktuar nga vetë Shtabi i Luftës Çlirimtare si përkthyes dhe mbrojtës i 30 infermiereve amerikane.
Ngjarja e rrallë, e treguar përmes një kombinimi të dëshmive dhe arkivave historike, sjell jo vetëm një përkujtim të së shkuarës, por edhe një reflektim të thellë mbi humanizmin dhe kodin e nderit shqiptar. Përmes rrëfimeve autentike dhe imazheve arkivore, dokumentari sjell në jetë një histori të harruar, ku shqiptarët, me mikpritjen dhe besën e tyre, vendosën jetën në rrezik për të shpëtuar të huajt.
Mbrëmja u ndoq nga i gjithë trupi diplomatik i Ambasadës Shqiptare në Londër, si dhe nga gazetarë, historianë dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Të pranishmit përjetuan me emocion këtë dëshmi të rrallë, e cila mbetet një homazh për vlerat e shqiptarëve dhe kontributin e tyre në historinë botërore.