14 marsi shënon Ditën e Verës, një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, e cila rrënjët i ka në lashtësi dhe vazhdon të ruajë magjinë e saj ndër breza. Kjo festë simbolizon ndarjen me dimrin dhe ardhjen e pranverës, duke krijuar një traditë të fuqishme, veçanërisht në qytetin e Elbasanit, por edhe në mbarë vendin, ku festimet kanë marrë një përmasë kombëtare.
Në këtë ditë të veçantë, qyteti i Elbasanit kthehet në qendrën kryesore të festimeve. Rrugët mbushen me njerëz, atmosfera ngrohet nga gëzimi i fëmijëve dhe të rriturve, ndërsa organizohen aktivitete të ndryshme, nga eksursionet në natyrë, tek koncertet dhe panairet festive.
Një pjesë e pandashme e kësaj dite është dreka e bollshme familjare, ku nuk mungojnë ushqimet tradicionale, me ballokumin si simbolin më të njohur të kësaj feste. Aroma e ballokumeve mbush rrugët e Elbasanit, duke e bërë këtë qytet destinacionin kryesor për të gjithë ata që duan ta përjetojnë Ditën e Verës në formën e saj më autentike.
Zanafilla e Ditës së Verës
Origjina e kësaj feste lidhet me faltoren e Zanës së Çermenikës, e cila nderohej si perëndesha e pyjeve, gjuetisë dhe natyrës. Sipas gojëdhënave, 14 marsi ishte dita kur kjo zanë dilte nga faltorja e saj, duke shënuar kështu fillimin e stinës së re. Kjo traditë u trashëgua brez pas brezi dhe sot është kthyer në një simbol identiteti për qytetin e Elbasanit dhe mbarë Shqipërinë.
Ballokumja është ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës dhe ka një recetë unike, që ruhet me fanatizëm nga amvisat elbasanase. E përgatitur me miell misri të situr, gjalpë dhe sheqer të imët, ajo gatuhet vetëm për këtë ditë, duke e bërë edhe më të veçantë.
Një tjetër simbol i kësaj feste është verorja, një byzylyk me fije të bardha dhe të kuqe, i cili lidhet në kyçin e dorës në mëngjesin e 14 marsit dhe hiqet kur shfaqet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, kjo verore vendoset në degët e pemëve, me besimin se dallëndyshet do ta marrin dhe do të sjellin mbarësi për familjen.
Dita e Verës në zonat tradicionale: Shpati dhe Shënavlashi
Shpati, një zonë malore 22 kilometra larg Elbasanit, ka pasur gjithmonë një mënyrë të veçantë të festimit të Ditës së Verës. Aty, tradita diktonte që festa të niste me eksursione në malet e Bukanikut, ku të rinjtë përgatisnin një ditë më parë shilarse dhe lojëra tradicionale, duke përfshirë gjithë komunitetin, nga fëmijët tek të moshuarit.
Dreka e kësaj dite shoqërohej me mish gjahu, ndërsa pasdite fëmijët endeshin shtëpi më shtëpi, duke trokitur dyert për të marrë vezë, fruta të thata dhe pala fiku. Edhe pse me kalimin e viteve kjo festë ka humbur disa nga veçoritë e saj, ajo vazhdon të ruajë simbolikën e saj të ngrohtësisë dhe gëzimit.
Në fshatin Shënavlash, festa ka mbetur thuajse e pandryshuar. Përgatitjet nisin dy ditë më parë, ndërsa në mëngjesin e Ditës së Verës fëmijët enden nga një shtëpi në tjetrën me hithra në duar, duke trokitur derë më derë. Askush nuk kthehet duarbosh, dhe madje, ata që mungojnë marrin pjesën e tyre më vonë. Pas këtij riti, të rinjtë dhe të moshuarit dalin jashtë shtëpive, duke uruar njëri-tjetrin: “Gëzuar Ditën e Verës! Qoftë një verë e mbarë!”.
Besimet popullore dhe lidhja me natyrën
Besimet popullore e shoqërojnë Ditën e Verës me respekt për natyrën. Sipas traditës, gratë nuk duhet të qepin apo të punojnë me shtiza në këtë ditë, pasi besohet se janë të mbrojtura nga gjarpri. Po ashtu, 12 ditë pas festës, në disa zona festohet edhe Baba Nevruzi, një ditë kur besohet se i gjithë pylli falet, ndaj dhe ndalohet prerja e pemëve.
Nga një festë lokale në një festë kombëtare
Në dekadat e fundit, Dita e Verës ka tejkaluar kufijtë e Elbasanit dhe është kthyer në një festë kombëtare, duke u festuar me aktivitete të mëdha edhe në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Çdo vit, kryeqyteti organizon koncerte, panaire dhe aktivitete për të gjitha moshat, duke i dhënë festës një frymë moderne, por pa e humbur lidhjen me traditat e saj të lashta.
Në një botë ku festat tradicionale shpesh humbasin përballë modernizimit, Dita e Verës mbetet një nga festat më autentike shqiptare, që vazhdon të mbledhë familjet, të lidhë njerëzit me natyrën dhe të përcjellë mesazhin e gëzimit dhe mbarësisë. 14 marsi nuk është thjesht një ditë kalendarike, por një simbol i rilindjes, bashkimit dhe trashëgimisë sonë kulturore.