Qendra Kulturore “Oda” u krijua në Brescia me synimin për të promovuar gjuhën, kulturën dhe imazhin e Shqipërisë. Kjo falë edhe pranisë së rreth 25 mijë shqiptarëve që banojnë në zonën e Brescias. “Oda” në shqip do të thotë dhomë ndenjie dhe është dhoma ku mblidhet familja për të marrë vendime të rëndësishme, për të diskutuar dhe për të festuar.
E krijuar 13 gushtin e kaluar nga tetëmbëdhjetë anëtarë themelues, aktualisht ka rreth 120 anëtarë, kryesisht shqiptarë, por ka edhe një komponent italian (10-15%), (duke qenë se përfshirja është një nga të drejtat e projektit).
“Ne synojmë të shndërrohemi në një hapësirë takimi dhe shkëmbimi kulturor dhe një pikë referimi për përhapjen e rrënjëve kulturore dhe artistike shqiptare”, thotë Valbona Xibri.
Një hapësirë që aktualisht i mungon një vendndodhje reale fizike
Pikërisht për këtë janë hapur edhe dialogët me Bashkinë dhe institucione te tjera rajonale për kërkimin e një ndërtese që të plotësojë nevojat e shoqatës, e cila do të donte ta bënte atë një qendër artistike me një bibliotekë me vepra shqiptare, një teatër të vogël, dhoma ku mund të ofrohen kurse, punishte dhe një bujtinë për mikpritjen e artistëve.
Për ta bërë këtë, Oda kërkimin e ka shtrirë edhe në periferi.
“Një strukturë që do të mund të rregullohej dhe do të sillej brenda standardeve do të ishte gjithashtu e mirë. Brenda shoqatës ka ndërtues të gatshëm për të rindërtuar një godinë”, thotë presidentja Xibri. Ndërkohë organizatorët nuk kanë “ndenjur duarkryq”.
Më 15 dhjetor, në teatrin Alberti të mbushur me njerëz në Desenzano u organizua një aktivitet muzikor me artistë të mëdhenj nga Shqipëria si tenori Kastriot Tusha, këngëtarët Iir Shaqiri, Nikollë Nikprelaj, Selami Kolonja dhe Enkelejda Arifi.
Tashmë janë në pritje disa evente, si Festa e Ditës së Verës, e cila do të mbahet këtë të diel nga ora 10:00 në Ducos Park.
Një festë jopartiake dhe jokonfesionale që bashkon të gjithë shqiptarët, një festë që përfaqëson hyrjen e parë në shoqëri për vajzat e reja dhe përfshin një piknik, muzikë, valle, lojëra popullore dhe një paradë me veshje tradicionale.
Për gjysmën e dytë të shtatorit “Oda” po mendon për një festival ndërkombëtar teatror me temën e diasporës teatrore shqiptare: shfaqje, konferenca, workshope me aktorë dhe regjisorë shqiptarë që punojnë në një gjuhë që nuk është e tyre. Çdo muaj shpallen propozime letrare me shkrimtarë dhe artistë dhe së shpejti do të hapen dy shkolla në gjuhën shqipe në Chiari dhe Salò. Për informacion mund të dërgoni një email në [email protected].
“Ne synojmë cilësinë dhe përpiqemi të bëjmë ndryshimin janë synimet e shprehura nga bordi i Oda” përfundon Xibri.
Përktheu dhe përshtati nga “Giornale di Brescia” Diaspora Shqiptare