Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se qytetarët kosovarë që deri më tani janë regjistruar në Gjermani si shtetas të Serbisë, tani kanë mundësinë ta ndryshojnë këtë status. Ky zhvillim vjen si rezultat i një qarkoreje të lëshuar nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, e cila njeh dhe mundëson përditësimin e regjistrimit të shtetësisë për shtetasit e Kosovës.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ambasadori Ajeti theksoi rëndësinë e këtij hapi për komunitetin kosovar në Gjermani.
“Më shumë se 17 vjet, qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar si shtetas të Serbisë. Sot kam kënaqësinë të njoftoj se, falë angazhimit tonë diplomatik dhe bashkëpunimit me institucionet gjermane, ky problem i trashëguar do të marrë fund,” deklaroi ambasadori Ajeti.
Sipas tij, ky ndryshim është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të diplomacisë kosovare, në koordinim me Kancelarinë Federale të Gjermanisë, Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme dhe Ministrinë Federale të Drejtësisë. Qarkorja e re tashmë është shpërndarë në mbi 5,200 qendra të regjistrimit civil në të gjithë Gjermaninë, duke u kërkuar autoriteteve që të njohin vetëm shtetësinë kosovare për qytetarët e saj.
Ambasadori Ajeti u bëri thirrje të gjithë kosovarëve që janë të prekur nga ky problem, të drejtohen te institucionet gjermane për të kërkuar korrigjimin e regjistrimit të shtetësisë.
“Duhet të kërkoni që në kategorinë e shtetësisë në dokumentacionin përkatës të largohet përfundimisht shtetësia e Serbisë,” sqaroi ai, duke nënvizuar se për çdo pyetje apo asistencë shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën e Kosovës në Berlin ose misionet konsullore në Gjermani.
Ky vendim i ri shënon një arritje të rëndësishme për komunitetin kosovar në Gjermani dhe përforcon identitetin e shtetësisë kosovare në nivel ndërkombëtar.