Për të katërtën herë të rinjtë me origjinë shqiptare në diasporë marrin një mundësi të jashtëzakonshme: të prekin nga afër tokën e të parëve, të ndiejnë emocionet e rrënjëve të tyre, të shijojnë aromën e ushqimeve tradicionale dhe të kuptojnë mallin e prindërve e gjyshërve të tyre për vendlindjen. OriginAL nuk është thjesht një udhëtim—është një përvojë transformuese që forcon ndjenjën e identitetit dhe lidhjen e pazgjidhshme me atdheun.
Këta të rinj nuk janë thjesht vizitorë; janë ambasadorë (do të thuhej në gjuhën standarde) por influencerët (do të thoja në gjuhën e të rinjve), influencuesit e identitetit shqiptar, që me përvojën e tyre personale do të tregojnë në vendet ku jetojnë, historinë e një Shqipërie dhe Kosove të gjallë, mikpritëse dhe të mbushur me pasuri kulturore. Vetëm ai që e ka njohur nga afër mund ta përçojë këtë histori me të vërtetë.
Në këtë intervistë për Diaspora Shqiptare, Lirim Krasniqi, bashkëdrejtues i organizatës GERMIN e cila së bashku me GAF (Global Albanian Foundation) organizon OriginAL, ndan evolucionin e programit, ndikimin e tij te pjesëmarrësit dhe planet për të ardhmen. OriginAL nuk është vetëm një udhëtim dyjavor—është një përvojë që mbetet në zemër përjetësisht.
Çfarë e bën edicionin e katërt të OriginAL të veçantë krahasuar me vitet e kaluara?
Viti i katërt i OriginAL vjen me një dimension edhe më të thellë të njohjes me origjinën për të rinjtë nga diaspora. Pasi kemi ndërtuar një bazë të fortë organizative në tre edicionet e kaluara, këtë vit po fokusohemi më shumë në ndërveprimin e drejtpërdrejtë të të rinjve nga diaspora me komunitetet lokale, vizita më të personalizuara dhe histori frymëzuese – me qëllim të forcimit të lidhjeve emocionale të pjesëmarrësve me vendet amë. Gjithashtu, sivjet presim të kemi numrin më të madh të pjesëmarrsve brenda vitit. Jemi duke organizuar tre grupe me nga 35-40 persona secili.
Si ka evoluar ky program që nga edicioni i parë dhe çfarë ka ndryshuar në qasjen tuaj?
Nga edicioni i parë në 2022, OriginAL ka kaluar nga një pilot i suksesshëm në një program të konsoliduar dhe shumë të kërkuar nga gjeneratat e reja nga diaspora. Fillimisht, sfida jonë kryesore ishte të testonim modelin dhe të shihnim ndikimin real të këtij udhëtimi. Sot, ne kemi një strukturë organizative, një bord këshilldhënës, një rrjet më të gjerë mbështetësish, dhe një grup alumni të 150 të rinjve nga 25 shtete që janë bërë pjesë e këtij rrugëtimi.
OriginAL synon të forcojë identitetin kulturor të të rinjve shqiptarë në diasporë. Çfarë ndikimi konkret keni parë tek ata që kanë marrë pjesë deri tani?
Ndikimi është i jashtëzakonshëm! Ne aplikojmë pyetësorë para dhe pas udhëtimit për të matur pritjet e pjesëmarrësve dhe për të vlerësuar ndikimin e menjëhershëm që ka programi tek ta. Mbi 90% e tyre shprehin lidhje më të forta me kulturën dhe traditat shqiptare; 90% ndihen shumë më shumë pjesë e një komuniteti global shqiptar; 97% e tyre shprehin lidhje më të forta emocionale ndaj Shqipëriaë dhe Kosovëa, dhe të gjithë-100% shprehin lidhje më të forte me historinë shqiptare.
Dimensioni tjetër i ndikimit që e vërejmë është ndryshimi në sjelljen e pjesëmarrësve pas programit. Shumica e tyre janë më të angazhuar dhe aktiv komunitetin shqiptar në vendet ku jetojnë, duke u bërë pjesë e organizatave të diasporës dhe formave të tjera të organizimit. Disa prej tyre kanë nisur iniciativa për rrjetëzim me të rinj të tjerë, për promovimin e kulturës shqiptare, apo çështje tjera që lidhen me komunitetin e tyre. Përtej kësaj, pothuajse të gjithë vazhdojnë të mbajnë lidhje me njëri-tjetrin përmes vizitave dhe komunikimit digjital.
Programi ka pritur tashmë 150 të rinj nga 25 vende. Cilat janë disa nga historitë më frymëzuese të pjesëmarrësve?
Dy prej pjesëmarresve janë kthyer në Kosovë për të jetuar pas programit. Falë lidhjeve dhe kontakteve që kanë krijuar gjatë udhëtimit, ato kanë arritur të angazhohen edhe profesionaisht në Kosovë, dhe tash e më shumë se 1 vit jetojnë në Prishtinë. Një tjetër pjesëmarrëse nga ShBA-të, e cila më parë (sic shprehej vetë) nuk donte të identifikohej me komunitetin shqiptar, sot është bashkë-themeluese e një organizate rinore të vajzave dhe grave dhe advokon për to brenda dhe jashtë komunitetit shqiptar.
Si përzgjidhen pjesëmarrësit dhe cilat janë kriteret kryesore që duhet të plotësojnë?
Kriteret kryesore janë: mosha (18-24 vjec); prejardhja shqiptare dhe elementi i shkëputjes nga origjina – për këtë ne kërkojmë nga aplikantët të jenë idealisht të lindur jashtë ose të dëshmojnë që nuk kanë jetuar në vendet amë pas moshës 12 vjeçare. Pas këtyre elementeve, ne mundohemi që në çdo grup të kemi balancë gjinore, dhe shpërndarje sa më të madhe të shteteve nga ku vijnë pjesëmarrësit. Kjo për të rritur diversitetin e çdo grupi. Gjithashtu, ne pranojmë aplikime edhe nga të rinjtë që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi dhe Lugina e Preshevës. 5-10% e çdo grupi janë të rinj nga trojet tona, dhe kjo bëhet me qëllim të krijimit të lidhjeve sociale mes bashkëmoshatarësh. Për çdo vit ka një periudhë aplikimi, dhe ne pranojmë aplikime që plotësojnë këto kritere më shumë se çmund t’I akomodojmë në program. Aktualisht, e kemi të hapur thirrjen për aplikime për grupet e këtij viti, e cila zgjatë deri më 31 mars.
A ka ndonjë ndryshim në itinerarin ose përvojën e këtij viti për t’ia përshtatur më mirë nevojave dhe interesave të të rinjve?
Po, këtë vit, në itinerarin e njërit nga grupet do të përfshihen për herë të pare qytetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo për të plotësuar edhe më shumë mozaikun të mësuarit të origjinës shqiptare në të gjitha trevat ku jetojmë si komb në Ballkanin Perendimor.
Si ndihmon OriginAL këta te rinj në krijimin e një lidhjeje më të fortë mes diasporës dhe vendeve të origjinës?
OriginAL i ndihmon të rinjtë e diasporës të forcojnë lidhjet përmes disa dimensioneve:
Përvojës së drejtpërdrejtë – Pjesëmarrësit i përjetojnë vendet amë jo si turistë, por si individë që po rizbulojnë rrënjët e tyre. Ata vizitojnë vende historike, pika kulturore dhe rajone me rëndësi të madhe për identitetin shqiptar.
Lidhje me bashkëmoshatarët – Një element kyç i programit është udhëtimi së bashku me të rinj shqiptare nga e gjithë bota. Këto ndërveprime krijojnë lidhje personale dhe një kuptim më të thellë të jetës bashkëkohore shqiptare.
Edukimi kulturor dhe historik – Programi përfshin mësimin dhe njohjen me historinë, traditat dhe realitetet moderne përmes udhëtimeve të mirë-planifikuara, diskutimeve dhe aktiviteteve interaktive, duke i ndihmuar pjesëmarrësit ta shohin Shqipërinë dhe Kosovën si një pjesë të gjallë të trashëgimisë së tyre.
Identiteti personal dhe reflektimi – Përmes tregimeve, diskutimeve në grup dhe guidave, pjesëmarrësit reflektojnë mbi identitetin e tyre personal dhe kolektiv shqiptar, duke forcuar lidhjen e tyre emocionale me atdheun.
Angazhim pas udhëtimit – OriginAL nuk përfundon me udhëtimin 2-javor. Alumni inkurajohen të mbeten të përfshirë përmes mundësive të rrjetëzimit, programeve të praktikave dhe angazhimit profesional dhe aktiviteteve të vazhdueshme edukative dhe kulturore, duke thelluar angazhimin e tyre ndaj vendeve të origjinës dhe komunitetit shqiptar.
A ka pasur raste kur pjesëmarrësit janë angazhuar më shumë me çështjet shqiptare pas këtij programi?
Po, shumica prej tyre janë bërë më aktiv të komunitetit shqiptar jashtë vendit, kanë organizuar takime, kanë promovuar vendet që i kanë vizituar, kutlurën dhe traditat tona.
Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur në realizimin e këtij projekti?
Sfida më e madhe është sigurimi i fondeve të nevojshme për të zgjeruar programin dhe për të përfshirë më shumë të rinj çdo vit. Ky program është bërë realitet vetëm falë mbështetjes nga donatorët dhe komuniteti shqiptar në diasporë, nga të cilët mbulohet mbi 80% e kostove. Por, për të pasur një rritje eksponenciale, nevojitet mbështetje institucionale nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës.
A keni plane për të zgjeruar programin ose për të krijuar edicione të ndryshme të OriginAL në të ardhmen?
Po! Qëllimi ynë është të shtojmë çdo vit nga një grup të pjesëmarrësve çdo vit. Gjithashtu, po eksplorojmë ide për edicione të veçanta për të rinjtë që duan pas programit të angazhohen profesionalisht në vendet amë – një lloj OriginAL plus.
Çfarë mesazhi do t’u dërgonit të rinjve shqiptarë të diasporës që ende hezitojnë të aplikojnë?
Ky është një udhëtim që do t’ju ndryshojë jetën! Do të njihni një pjesë të vetes që ndoshta nuk e keni eksploruar kurrë më parë. Nuk është thjesht një vizitë në vendet e të parëve—është një përvojë transformuese që do t’ju lidhë me rrënjët, me njerëz të rinj dhe me një komunitet që do të bëhet pjesë e jetës suaj.
Si mund të kontribuojë komuniteti shqiptar, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, për të mbështetur këtë program?
Mbështetja më e madhe vjen përmes donacioneve dhe përhapjes së mesazhit mbi mundësitë që ofron programi. Çdo bursë për një pjesëmarrës kushton mesatarisht 2,000 dollarë, dhe sa më shumë mbështetje të kemi, aq më shumë të rinj mund të përfitojnë nga kjo përvojë. Ne besojmë që ky program i shërben interesave kombëtare.
Apliko këtu për tu bërë pjesë e aventurës OriginAL: