Komuna e Ulqinit, një nga qendrat më të rëndësishme shqipfolëse në Mal të Zi, vijon përpjekjet për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare. Pas hapjes së librarisë në shqip, organizimit të kinemave dhe festivaleve që jehojnë shqip, autoritetet vendore kanë shpallur një thirrje ndërkombëtare për skulptorët, me qëllim realizimin e shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Sipas drejtuesve të komunës, është përcaktuar edhe vendndodhja ku do të ngrihet monumenti – bulevardi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, një nga arteriet kryesore të qytetit. Skulptorët pjesëmarrës në këtë konkurs pritet të sjellin ide sa më kreative për një vepër që do të përfaqësojë figurën dhe trashëgiminë e heroit tonë kombëtar.
Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është 29 prill 2025. Një juri me pesë anëtarë do të vlerësojë të gjitha projektet dhe do të zgjedhë atë fitues, i cili do të marrë dritën jeshile për realizim. Përveç veprës së përzgjedhur, dy skulpturat më të spikatura do të shpërblehen financiarisht, si një vlerësim për punën artistike dhe kreativitetin e autorëve.
Ky projekt pritet të pasurojë peizazhin kulturor të Ulqinit dhe të forcojë lidhjen e komunitetit me historinë e tij kombëtare.