Për herë të parë, një shfaqje me aktorë shqiptarë ngjitet në një nga skenat më prestigjioze të teatrit evropian. “Vizita” e Herbert George Wells me interpretimin e trupës së Teatrit “Migjeni”, pasi ka udhëtuar në disa qytete evropiane, do të jetë për katër netë radhazi edhe në Milano.
Jozef Shiroka është një aktor shqiptar, prej kohësh i dashuruar me teatrin dhe kinemanë, i cili është pjesë e kompanisë që do të vërë në skenën e “Teatro Fontana”, në Milano, nga sot deri në 2 mars, shfaqjen “Vizita”.
Pjesa vjen me regjinë e Davide Iodice, (Ubu Award 2024), dhe muzikë origjinale nga Lino Cannavacciuolo, partner mediatik Albania Letteraria.
Shiroka është jo vetëm një nga interpretuesit e “Vizitës”, por është edhe shpirti i këtij eventi, emocion të cilin e ndan në intervistën e mëposhtme.
Jozef ti je pulsi i organizimit të “Vizitës”. Cili është roli juaj në planin e punës dhe cili është roli juaj në shfaqje?
Po është e vërtetë. Më kujtohen shumë mirë komunikimet fillestare, të cilat ishin të dobishme për fillimin e projektit. Më kujtohet dita e parë e punëtorisë me Daviden, në Shqipëri dhe kur në pushimin e seancës së parë, ai më kërkoi të isha asistenti i tij, pra shtylla kurrizore e shfaqjes. Që në atë moment fillova të kujdesesha për përkthimet gjatë provave, pasi që në fëmijëri e kam folur shumë mirë italishten.
Kam mbajtur dhe vazhdoj të mbaj rolin e asistentit dhe menaxherit të nismës për gjithçka që ka të bëjë me palën shqiptare. Jam në kontakt të vazhdueshëm me regjisorin dhe me Danilo Soddu, drejtorin e produksionit të “Sardegna Teatro”, të cilin dua ta falënderoj për punën e jashtëzakonshme që po bën me ne. Pa angazhimin e tij dhe të “Sardegna” Teatro, asgjë nuk do të ishte e mundur.
Në shfaqje luaj rolin e mjekut, një personazh që më pëlqen shumë, që më kënaq shumë, si i gjithë shfaqja, që tani besoj se është pjesë e imja.
Le të flasim për çmimet që ka marrë “Vizita” dhe sa të rëndësishme, sipas jush, janë për kompaninë dhe për suksesin e spektaklit.
Udhëtimi i “Vizitës” deri në këtë pikë ka qenë i mrekullueshëm. Festivali Shqiptar i Teatrit “Moisiu” na shpërbleu për skenografinë më të mirë, për muzikën më të mirë origjinale (nga Lino Cannavacciuolo) dhe me vlerësimin e rëndësishëm të shfaqjes më të mirë të eventit. Në Festivalin “MESS” në Sarajevë morëm çmimin Oslobodenje Press dhe Çmimin e Kritikës.
Vizita është shfaqja e parë shqiptare që ka marrë pjesë në Festivalin “MESS” dhe rrjedhimisht e pari që është shpërblyer. Çmimin e kam marrë vetë, bashkë me grupin e aktorëve dhe fjalët e falenderimit që thashë atëherë janë pothuajse profetike sot.
Në atë kohë nuk e imagjinoja të arrija atë që po bëjmë tani, por doja të besoja në ëndrrat e mia dhe ia dola mirë.
Kush është Jozef Shiroka?
Unë jam një adhurues i teatrit dhe kinemasë. Isha njëzet e një vjeç kur mora pjesë në Festivalin e Filmit në Venecia me një film serbo-shqiptar, (Honeymoons 2009) duke luajtur protagonistin. Për mua ishte një përvojë magjike, e pabesueshme.
Që nga ditët e universitetit kam luajtur në shfaqje dhe filma. Kam punuar vazhdimisht me regjisorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe kjo doli të ishte një eksperiencë e madhe në rritje. Nuk është e lehtë të përfshihesh në Shqipëri. Vështirësitë janë të shumta, mbijetesa është e vështirë, por nëse reziston, kënaqësitë vijnë, ashtu siç po ndodh me Vizitën, një projekt që shpresojmë të shkojë përtej kufijve evropianë dhe jam i lumtur që po bën histori. Unë besoj fort se do të flitet shumë për të dhe se do të jetë një shembull i madh. Rroftë teatri, rroftë arti!
Përktheu dhe përshtati DiasporaShqiptare



