Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian nuk e kanë detyruar Qeverinë e Kosovës të ndryshojë kursin e saj, por kanë pasur ndikim në mirëqenien e qytetarëve.
Pa një konsensus të qartë brenda BE-së se kur mund të hiqen, pasiguria vazhdon të formësojë situatën.
Njëzet muaj pas ngrirjes së fondeve për Kosovën dhe pezullimit të vizitave të nivelit të lartë BE vazhdon të refuzojë heqjen e këtyre masave, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Prishtinës, por edhe të Parlamentit Evropian.
Një zëdhënës i BE-së tha për Evropa e Lirë se masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri.
BE-ja ndëshkoi Kosovën në qershor 2023 për shkak të siç vlerësoi rolit të kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit, zonë e banuar me shumicë serbe. Pavarësisht masave, Kurti nuk u zmbraps – hoqi nga përdorimi dinarin serb, mbylli shumicën e institucioneve të Serbisë dhe mbrojti këtë politikë si shtrirje të autoritetit. Në disa raste, ai i cilësoi si të padrejta masat e BE-së duke thënë se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit dhe kushtetueshmërinë e vendit.BE-ja nuk bëri të ditur se cilat projekte janë prekur konkretisht nga pezullimi i fondeve për Kosovën, por burime të REL-it marrin vesh se ato arrijnë variojnë nga kultura deri te infrastruktura dhe se vlera e tyre arrin deri në 100 milionë euro.
Fisnik Osmani, kryeshef ekzekutiv i ngrohtores së qytetit të Prishtinës Termokos konfirmon se një projekt i ndërmarrë për dyfishimin e kapaciteteve të ngrohjes në kryeqytet është pezulluar për shkak të ngrirjes së një granti prej 17.6 milionë eurosh nga BE-ja. Këto mjete, thotë ai, ishin pjesë e programit IPA që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në, por që në rastin e Kosovës është bllokuar.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit ballkanik për politika në Prishtinë thotë se Kosova ka mënyra për ta bindur BE-në për heqjen e masave. Ai thotë se Prishtina duhet të merret me procesin e agjendës evropiane, e cila përfshin dialogun dhe të hartojë planin e veprimeve në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në veri pas kthimit të serbëve në institucione.
Rashiti thotë se masat ndëshkuese nuk kanë pasur ndikim në sjelljen e institucioneve të Kosovës dhe i quan “fatkeqësi me pasoja afatgjate”, duke vendosur barriera shtesë drejt proceseve integruese.Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidate për anëtarësim në BE. Ajo ka aplikuar për t’iu bashkuar BE-së në dhjetor 2022, por nuk ka marrë ende përgjigje.



