Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, është takuar me komandantin suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO, gjeneralin Christopher Cavoli, me të cilin ka diskutuar mbi rolin dhe angazhimin e aleancës në Kosovë.
Gjatë bisedës, Osmani ka ritheksuar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n, duke e konsideruar organizatën si një faktor kyç për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
“Diskutuam mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 vjetëve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë kohë përcaktuese për kontinentin evropian, riafirmova përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën, duke kontribuar aktivisht në sigurinë e rajonit dhe më gjerë,” shkroi Osmani në një postim në Facebook.
NATO është e pranishme në Kosovë përmes misionit paqeruajtës KFOR, i cili mbetet një nga garantuesit kryesorë të sigurisë në vend dhe në rajon.



