Në një ceremoni madhështore të organizuar nga Bashkia e New York-ut, u festua 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, një moment historik për shtetin më të ri të Evropës dhe mbarë kombin shqiptar.
Nën përkujdesjen e Mark Gjonajt dhe këshilltares Kristy Marmorato, Këshilli i Bashkisë së New York-ut nderoi kontributin e mediave shqiptaro-amerikane në ruajtjen e identitetit kulturor dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ceremonia nisi me fjalët përshëndetëse të Kristy Marmorato dhe Mark Gjonajt, pas së cilave, anëtarët shqiptarë të NYPD Illyrian Society of Law Enforcement Officers parakaluan me flamujt e SHBA-së, Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa himnet kombëtare u interpretuan me mjeshtëri nga Isli Ademi dhe Mikejla Nonaj.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte lutja drejtuar nga Imami Edin Gjoni, i cili solli në vëmendje historinë e shqiptarëve në Ballkan, ndihmën e presidentit Woodrow Wilson për popullin shqiptar, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe shqiptarët në rajon, duke apeluar për përfshirjen e Kosovës në NATO.
Në këtë event u vlerësuan disa prej mediave shqiptaro-amerikane që kanë luajtur një rol kyç në pasqyrimin e realitetit shqiptar në SHBA dhe më gjerë. “Zëri i Amerikës”, gazeta “Dielli”, “Illyria”, “Kosova Press”, “RTV 21”, Televizioni “Alba Life”, “TV Victoria”, Radio “Zani i Malcisë”, Radio “Zëri i Kombit”, “Albanian Culture” dhe “Bota Sot” u vlerësuan si pasuri e çmuar për komunitetin shqiptar në Amerikë.
Në fjalën e tij, Mark Gjonaj theksoi progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës në vetëm 17 vjet, duke e përshkruar atë si një histori suksesi dhe shembull të qëndrueshmërisë së popullit të saj. “Në këtë përvjetor, ne kujtojmë ata që sakrifikuan për lirinë tonë dhe nderojmë ata që mbajtën gjallë zërin e Kosovës. Mediat shqiptaro-amerikane kanë qenë sytë dhe zëri ynë, duke dokumentuar historinë tonë dhe duke mbrojtur kauzën e lirisë”, u shpreh ai.
Këshilltarja Kristy Marmorato, nga ana e saj, shprehu mirënjohje për mediat dhe rolin e tyre në promovimin e çështjes shqiptare në SHBA, ndërsa ambasadori Blerim Reka theksoi se diaspora shqiptare ka qenë dhe mbetet një faktor kyç në mbështetjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Shqiptarët në Amerikë ishin zëri i Kosovës në Senat, Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë”, tha ai, duke nënvizuar se sot Kosova është një demokraci e konsoliduar me një Kushtetutë përfshirëse.
Shefi i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, Arben Xhixho, vlerësoi rolin e medias shqiptare në mbështetjen e shqiptarëve në rajon, duke kujtuar ndikimin e saj në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Momente emocionuese sollën edhe interpretimet artistike të fëmijëve të shkollës shqipe “Alba Life” me vallet tradicionale “Vallja e Flamurit” dhe “Vallja e Tropojës”, si dhe nxënësit e shkollës shqipe “Children of the Eagle”.
Në përfundim të ceremonisë, Mark Gjonaj shprehu mirënjohje të veçantë për diasporën shqiptaro-amerikane, duke theksuar rolin e saj të pazëvendësueshëm në mbështetjen e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai gjithashtu u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri.
Aktiviteti përfundoi me një fotografi simbolike, ku u përfshinë patriotë të shquar të komunitetit, si Toni Musaj, Vera Mjeku, Ismer Mjeku dhe Meri Camaj, si një dëshmi e unitetit dhe frymës atdhetare që mbizotëron në diasporën shqiptare.