Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish ndaj deklaratave të ish-emisarit të posaçëm të SHBA, Richard Grenell, i cili e cilësoi atë si një partner të pabesueshëm për Uashingtonin. Në një intervistë për “Top Story”, një ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Kurti i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të forta dhe të bazuara në partneritet.
“Kurrë Kosova nuk ka pasur marrëdhënie më të mira partneriteti dhe aleance me Perëndimin se sa tani. Dikur ose ishim servilë ose kishim armiqësi, ndërsa tani kemi një partneritet të vërtetë. Ne jemi miq edhe përkundër moskuptimeve,” deklaroi Kurti.
Ai përmendi investimet e qeverisë së tij në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përfshirë blerjen e helikopterëve dhe sistemeve antitank, si dhe marrëveshjet e mëdha të arritura me SHBA. “Kush e mori grantin më të madh amerikan? Qeveria jonë. Nuk janë marrëdhënie të këqija politike, është partneritet,” theksoi ai.
Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri dhe pritshmëritë e Kurtit
Gjatë intervistës, Kurti foli edhe për bashkëpunimin me Shqipërinë, duke nënvizuar se janë nënshkruar 58 marrëveshje mes dy vendeve dhe se është arritur progres në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë, arsimin dhe sportin. “Për herë të parë, fëmijët në Kosovë dhe Shqipëri po mësojnë me një abetare të përbashkët,” tha ai.
Ai theksoi se Shqipëria është tani partneri kryesor tregtar i Kosovës, duke lënë pas Serbinë, dhe se janë hapur 26 vendkalime të reja mes dy vendeve. Kurti paralajmëroi gjithashtu projekte të përbashkëta si ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Durrës dhe forcimi i bashkëpunimit në mbrojtje.
“Ne jemi dy shtete, por një komb. Duhet të ndërtojmë një të ardhme ku asnjë brez të mos ketë frikë nga agresionet e shteteve fqinje. Për këtë na duhet një ushtri e fortë,” u shpreh ai, duke theksuar se Kosova i gëzohet çdo suksesi të Shqipërisë, por pret një mbështetje më të madhe nga Tirana.
Polemika me Grenellin
Replikat mes Kurtit dhe Richard Grenellit nisën pasi ky i fundit deklaroi se Kurti nuk është një partner i besueshëm për SHBA dhe se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër tij. Në përgjigje, Kurti tha se raportet mes Kosovës dhe SHBA janë më të forta se kurrë, duke hedhur poshtë çdo pretendim për krizë në marrëdhëniet dypalëshe. Në kundërpërgjigje, Grenell këmbënguli se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të ulëta.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 9 shkurt, me 28 subjekte politike dhe 1280 kandidatë që garojnë për vendet në Kuvend.