Shqiptarët e Kosovës po shkruajnë histori në Gjermani! Për herë të parë, pesë kandidatë me prejardhje nga Kosova do të garojnë në zgjedhjet për parlamentin e landit të Hamburgut, duke shënuar një moment të rëndësishëm për diasporën shqiptare dhe përfaqësimin e saj në politikën gjermane.
Në një takim të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg, ambasadori Faruk Ajeti dhe konsulli Mizbah Mustafa pritën kandidatët shqiptarë që synojnë të jenë zëri i komunitetit të tyre në institucionet gjermane:
Dafina Berisha (SPD)
Kushtrim Lulaj (CDU)
Muhamet Idrizi (CDU)
Nikola Tunici (CDU)
Sami Musa (FDP)
Një moment historik për diasporën shqiptare
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm për forcimin e rolit të shqiptarëve në Gjermani dhe integrimin e tyre në jetën politike të vendit. Një dekadë më parë, zëri i mërgatës shqiptare në Hamburg dëgjohej kryesisht në rrugë përmes protestave dhe demonstratave për të drejtat e tyre. Sot, ky zë synon të dëgjohet në parlament, duke ndikuar drejtpërdrejt në politikbërjen e landit.
“Ky është një moment historik dhe një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për diasporën shqiptare, por edhe për forcimin e zërit të saj në politikën dhe politikbërjen gjermane,” – u shpreh ambasadori Ajeti.
Thirrje për pjesëmarrje në votime
Ambasada dhe kandidatët u bënë thirrje të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote në Hamburg që të marrin pjesë në zgjedhje, duke e konsideruar pjesëmarrjen jo vetëm si një detyrim demokratik, por edhe si një mundësi për të pasur përfaqësues që mbrojnë interesat e komunitetit shqiptar në institucionet gjermane.
“Këta pesë kandidatë vijnë nga parti të ndryshme politike, por ajo që i bashkon është më e madhe se ajo që mund t’i ndajë. Prandaj, bëhu pjesë e kësaj historie, duke qenë dëshmitar i saj,” – thuhet në mesazhin e Ambasadës së Kosovës.
Për herë të parë, shqiptarët e Hamburgut kanë mundësinë të votojnë për përfaqësues që e njohin nga afër historinë dhe sfidat e komunitetit të tyre. A do të shndërrohet kjo në një sukses elektoral? Pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë vendimtare për të shkruar kapitullin e radhës të kësaj historie.