Një simbol historik i kryeqytetit, monumenti “Shqiponja” dikur i vendosur në sheshin e njohur në hyrje të Tiranës, do të vendoset së shpejti tek rrethrrotullimi i Gostilit, në hyrje të qytetit të Kukësit.
Lajmi u bë i ditur nga deputeti Pandeli Majko, (ish drejtues qarku i PS-së në Kukës) i cili theksoi se kjo iniciativë u realizua falë bashkëpunimit të disa aktorëve të rëndësishëm.
“Kjo u realizua falë mirëkuptimit të mikut tim Lazim Destani (i cili është dhuruesi i saj), miratimit të Edi Ramës dhe bashkëpunimit të bashkisë së Tiranës” shkruan Majko.
Shqiponja e punuar prej bronzi, e cila peshon 16 ton, e lartë 6 metra, me një bazament prej 4 metrave është dhurata e biznesmenit Lazim Destani me rasin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiponja e sheshit të dikurshëm të Tiranës u hoq në vitin 2018 për shkak të projektit të Unazës së Madhe.
Protagonisti kryesor në këtë nismë është kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halili, i cili po koordonon punimet për vendosjen e monumentit në vendndodhjen e re.
“Shqiponja” pritet të shndërrohet në një simbol të ri të mirëseardhjes për qytetin e Kukësit, duke mbajtur të gjallë një pjesë të historisë dhe identitetit kombëtar.



