Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Mirditë, ku mori pjesë në ceremoninë e binjakëzimit midis Bashkisë së Mirditës dhe Komunës arbëreshe të San Cosmo Albanese në Itali. Kjo iniciativë, e ndërmarrë me nxitjen e Kreut të Shtetit, synon forcimin e lidhjeve kulturore dhe historike midis shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit ndërshqiptar. “Më vjen mirë që sot jam së bashku me Kryetarin e Fondacionit Arbëresh të Kalabrisë, me Kryetarin e Bashkisë së San Cosmo Albenese dhe Kryetarin e Bashkisë së Junikut në Kosovë. E ku më mirë se në Mirditë mund të bëhen bashkë Arbëria, Shqipëria dhe Kosova. Unë ndihem mjaft i lumtur që më së fundi është një vend ku ne jemi bashkë. Së bashku mendoj se mund të bëjmë gjëra të mira. Ku ka vullnet dhe dëshirë, gjithmonë gjenden mundësi dhe këto mundësi gjithmonë duhet të shfrytëzohen në të mirë të qytetarëve”, u shpreh Begaj.
Presidenti vlerësoi gjithashtu projektin “Mirditë-Junik,” një bashkëpunim ndërkufitar midis Bashkisë së Mirditës dhe Komunës së Junikut në Kosovë, i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Ai e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një infrastrukture turistike që pasuron potencialin e zonës dhe rrit bashkëpunimin mes rajoneve shqiptare.
Në kuadër të kësaj vizite, Presidenti prezantoi një nismë të re, të titulluar “Rrënjët,” që synon të forcojë vëllazërinë, kulturën dhe traditat shqiptare kudo në botë. “Ashtu siç rrënjët ushqejnë pemën, edhe ne duhet të ushqejmë lidhjet tona për të garantuar një të ardhme të fortë dhe të begatë për brezat e ardhshëm,” deklaroi Begaj.
Vizita e Presidentit kulmoi me një festival kulturor në sheshin “Abat Doçi,” ku ai përcolli urimet e tij për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. “Gëzuar Krishtlindjet dhe një vit të mbarë 2025! Paqja, dashuria dhe mirëqenia qofshin përherë me ju,” u shpreh ai para qytetarëve të Mirditës.
Presidenti vizitoi gjithashtu një panair artizanal, ku takoi mjeshtrit vendorë që punojnë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ai vlerësoi punën e tyre si një kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit shqiptar.







