Kjo histori e veçantë, jo aktuale e megjithatë koherente ka mjaft arsye të shpaloset në detaje, madje jo kur ndodhi, por pikërisht sot. Ndërsa Greqia është sërish nën ethet elektorale, brenda pak muajve, këtë herë të zgjedhjeve për pushtetin lokal, një grup emigrantësh shqiptarë tërheqin vëmendjen me një dëshmi tepër domethënëse e mesazhe shumë të rëndësishme. Asnjë prej tyre nuk numërohet në radhët e kandidaturave të shumta shqiptare që hasim këto zgjedhje lokale, në çdo skaj të vendit. Faktor që e bën akoma më interesant momentin që kanë zgjedhur për të ndarë me lexuesin jo vetëm betejën e tyre në emigracion- një tjetër histori e admirueshme suksesi – por edhe konstatimin esencial se nëse fillon e ekziston udhëheqja shembullore, me frymë tolerance e mbështetje reale, atëherë po, ndalon së ekzistuari e pamundura që dukej e pamposhtur. Shpresa që u fali duarhapur Luela Hajdaraga!
Grupi i punëtorëve për pastrim në shkollat publike fillore e të mesme të Bashkisë së Athinës, të gjithë emigrantë shqiptarë, papritur u gjetën të pushuar nga puna në fundin e vitit shkollor 2019-2020, pas një ndryshimi në rregulloren e punësimit, sipas së cilës kriter bazë i kontratës ishte shtetësia greke. Megjithëse të punësuar prej shumë vitesh me të drejta minimale e pagesë tepër të ulët, akoma edhe këto kontrata të padrejta e krejtësisht ksenofobike nuk do të rinovoheshin më. Dëshpërimin dhe shokimin fillestar e shoqëroi indinjata e thellë, e indinjatën shpresa se nëse reagonin e gjenin zëra mbështetës, diçka mund të ndryshonte. Në fund të fundit, kërcënime për humbjen e vendit të punës kishin përjetuar mjaft herë, në metoda e rrethana të ndryshme secili, këtë radhë situata ishte më e qartë dhe problemi një i vetëm. Thua se nuk donin të bëheshin shtetas grekë, pas një jete në Greqi! Me kënaqësi do të ndryshonin procedurat tërkuzë për lejet e qëndrimit me një zgjidhje përfundimtare, që thjesht nuk u ofrohej…
Diçka vërtet ndryshoi rrënjësisht për gjithë grupin, beteja e tyre rezultoi në një triumf të vërtet atëherë, dy vite më parë, ndërsa në këto prag zgjedhjesh kërkohet një tjetër votë mirëbesimi.
Biseda e gjatë, plot pyetje e reagime, me katër anëtarët më aktivë të grupit, me Ana Zangjalin, banore prej 28 viteve në Greqi, me Merita Muja që jeton thuajse 30 vite këtu, me Merita Lireza, banore e Greqisë për 26 vjet dhe Fredi Birakun, jo pak po 33 vite emigracion në Athinë të surprizon këndshëm për shumë arsye, plus që rrotullohet vazhdimisht në një thirrje e domosdoshmëri për shoqërinë greke apo atë shqiptare: nevojën të ushtrojmë të drejtën e votës, si e drejta më sublime e demokratike për të vendosur ne për të ardhmen tonë.
Në prag të sfidës së radhës për punëtorët e punëtoret duararta që mbajnë pastër fëmijët tanë në shkollat e Athinës, si dëshmitare e rrëfimit të tyre besoj se që do të gjendet zgjidhja e duhur, falë eksperiencës e njohurive që kanë akumuluar tashmë. Në fund të fundit, gjithmonë vështirësitë vetëm të forcojnë, dashur pa dashur të bëjnë më të guximshëm. Përveç kësaj, le të mos harrojmë se kurrë nuk është vonë të theksohen vlerat e duhura, s’ka më mirë sesa të shprehësh mirënjohjen e të shpërndash energji pozitive e asnjëherë nuk duhet të presësh momentin e përshtatshëm për të ngritur zërin për sa beson e meriton.
***
Përse kaq entuziazëm e fjalë të bukura për ambasadoren Luela Hajdaraga dhe kryebashkiakun e Athinës, Kostas Bakojanis?
Merita Muja:
Le ta fillojmë kështu atëherë. Ne u bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve me të drejtë vote në Greqi të votojnë për kryebashkiakun aktual i Athinës, Kostas Bakojanis, pasi ishte pikërisht gjatë mandatit të tij që u ulën së bashku me ambasadoren e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga dhe gjetën një zgjidhje përfundimtare për problemin tonë. Ata arritën diçka që ishte e pamundur për këdo tjetër. Por nëse ndryshon tani kryesia e Bashkisë ne mbetemi sërish pa kontratë, humbasim 6-mujorin. Ka shumë rëndësi të mbështesim njerëzit që na qëndrojnë pranë me fakte e vepra.
Doni të thoni se është kryebashkiaku i duhur, pa dallime raciale e me ide moderne për një Athinë progresive, pavarësisht se vjen nga e djathta konservative e vendit?
Merita Muja: Po, Kostas Bakojanis është një njeri mendjehapur, tepër pozitiv, për ne është zgjidhja e duhur për bashkinë e Athinës, sepse ka vullnet e dëshirë për të ndihmuar, pa asnjë element racizmi. Ne i urojmë fitoren në këto zgjedhje. Një tjetër person që na ka ndihmuar jashtëzakonisht ishte dhe drejtori i zyrës së kryebashkiakut, zoti Epaminondas Musios.
Ana Zangjali: Pikërisht kështu, madje do shtoja se për të rrëzuar ligje të tilla diskriminuese njerëz të tillë duhen. Duhet të shtojmë se në peripecinë tonë na ndihmuan shumë dhe përfaqësuesit e komunës, si kryetari i komisionit shkollor të lagjes 4, Anastasios Monastiriotis që ishte me ne që në hapat e para. Mësuesit, drejtorët e shkollave, shoqatat e sindikatat e ndryshme ishin pranë nesh duke evidentuar me çdo mënyrë punën cilësore që ofronim për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e ambjenteve shkollore. Ndërsa z.Anastasios Monastiriotis ishte pikërisht personi që mblodhi të gjitha të dhënat dhe dërgoi letrën zyrtare informuese të situatës tek kryesia e Bashkisë së Athinës, të cilët në vijim gjetën dhe rrugëzgjidhjen finale.
Çfarë ndodhi konkretisht dhe përse jeni sërish në udhëkryq?
Merita Muja: Kontrata e kompanisë përmes së cilës vazhdojmë të punësohemi mbaron në 23 Janar 2023, me të drejtë shtyrje 6 muaj e tani duhet të ribashkohemi të 17 punëtorët sërish. Por para se të arrijmë këtu, le ta marrim nga fillimi.
Merita Lireza: Në vitin 2019, me ardhjen në qeveri të “Demokracia e Re” u zbatua ligji për punësim në shkollat publike vetëm të shtetasve grekë. Me mbarimin e kontratës dyvjeçare 2018-2019 dhe 2019-2020, në vitin e ri shkollor 2020-2021 ne duhet të nënshkruanim kontratën e re.
Ana Zangjali: Atëherë filloi dhe Odisea jonë. Nga kontrata ime e parë në vitin 2005 me 155 euro në muaj, arrita në 280 euro në muaj pas 3-4 viteve e çdo vit pak rritje gradualisht. Kam punuar 16 vite me radhë në një shkollë me fëmijë invalidë. Me të njëjtën kontratë kam punuar deri në qershor të vitit 2021, akoma dhe 6-mujorin e problemit me dokumentat. Për fat, reaguan të gjithë, stafi i shkollave, sindikatat, komisioni shkollor i lagjes dhe nuk më larguan.
Fredi Biraku: Unë pastroja vetëm fare një shkollë që sot pastrojnë katër punëtorë, me një rrogë minimale. Megjithatë, si ndër emigrantët e parë që kam ardhur Greqi që kur u hapën rrugët, mund të them me bindje se trajtimi ynë nga Kostas Bakojanis është i veçantë. Shpresojmë në një tjetër mandat 4-vjeçar të tij, për të siguruar vazhdimësinë e duhur e të drejtë, në punën tonë.
Si anashkaluat mungesën e shtetësisë greke për rinovimin e kontratës?
Ana Zangjali: Duke trokitur dyer vazhdimisht, duke bërë grevë, reagime, nëpër bashki, kudo ku mendonim se mund të ndihmoheshim.
Merita Muja: Në sezonin 2020-2021 ne humbëm 4 muaj nga puna, na larguan për mungesë dokumentash. Në disa raste, ndoshta dhe kemi gabuar, në disa raste jemi përdorur e keqpërdorur nga forca politike greke, ishte një fazë e vështirë për të gjithë ne.
Ana Zangjali: Në gjashtëmujorin e vështirë arritëm të ripunësohemi 54 veta, falë të gjithë personave që përmendëm, duke përdorur eksperiencën tonë dhe padrejtësinë e pushimit nga puna. Menjëherë pas kësaj periudhe e dinim që historia do të përsëritej.
Merita Muja: Prandaj dhe pa humbur kohë kontaktova me kryetarin e Komunitetit Shqiptar në Greqi, z.Ermal Sulaj, i cili na orientoi shumë saktë dhe i jemi mirënjohës të gjithë. Në vijim vendosëm të drejtohemi tek ambasada e Shqipërisë në Greqi.
Si u pritët në Ambasadë?
Ana Zangjali: Të lutem të shkruash fjalët e mia siç i them. Mes ankthit e stresit, më telefonon Merita e më sugjeron të takohemi me ambasadoren Luela Hajdaraga. Pa e zgjatur fare i kthehem: Merita të lutem shumë, unë nuk dua të shkoj, nga ambasada shqiptare kam vetëm kujtime të hidhura. Në ambasadën shqiptare nuk afroheshe dot, nuk mbyllje dot një takim, nuk kam nxjerrë dot as pasaportën e djalit të vogël, në vitet 2005-2006, po edhe më pas njësoj ishte. Më kanë mbetur imazhe shumë negative të diplomacisë shqiptare në Greqi. Edhe sot rrënqethem kur i kujtoj, besoj se nuk jam e vetmja, shumica kështu ndjehemi…
E kaluara vërtet është e hidhur, por janë bërë shumë përpjekje, sidomos dekadën e fundit…
Ana Zangjali: Po mua nuk më besohej, gjithsesi ne shkuam. E kujtoj dhe rrënqethem e përlotem. Kur kam hyrë në ambasadë, mikëpritja e asaj zonje mua më ka lënë mbresa kaq të thella. Na priti si të ishim në shtëpinë tonë, kaq e ngrohtë, kaq bujare. Unë i them asaj vajze “bravo” megjithë shpirt e kryeministrit tonë i kërkoj një mandat të dytë e të tretë, ta kemi këtu sa më shumë të jetë e mundur.
Merita Muja: Unë e prisja, sepse e kisha dëgjuar mënyrën si fliste në telefon, e dija që do të ishte një takim ndryshe këtë radhë.
Ana Zangjali: Nuk i harroj dot fjalët e saj “mos u mërzisni, unë punën time do ta bëj deri në fund. Nuk ju premtoj, por unë do mundohem”. U ndjeva kaq mirë, ne u gëzuam aq shumë sa nuk na interesonte më çfarë do bëhej. Një zonjë që na priti me buzën në gazë e na përqafoi. Nuk do e harroj dot këtë ditë! Për mua, ky është imazhi e mbështetja që ne duam nga shteti ynë, më shkriu akullin e ftohtësinë e kaq viteve. Nuk e dimë sa mund të bëjnë, por të paktën mungesën e shfrytëzimit dhe dashamirësinë ndaj nesh e kanë në dorë. Ambasadore Luela Hajdaraga e ka ndryshuar ambasadën tonë! Solli vetëm mirësjellje e mbështetje, ne tashmë ndjehemi si në shtëpinë tonë!
Kështu filloi një tjetër maratonë, apo kontaktet e ambasadores mjaftuan të sjellin efektin domino për çlirimin e ngërçeve?
Ana Zangjali: Siç e thamë, pas një sërë takimesh me ministra vendas e krerë partish, në shtator të vitit 2020, ne u rikthyem në punë, por me kontratat e vjetra, me pagesë të ulët, shumë orë punë e me rrezikun të mbeteshim përsëri pa punë sezonin e ardhshëm. Në janar të vitit 2021 u takuam me ambasadoren Luela Hajdaraga, e në vijim takuam drejtorin e zyrës së kryebashkiakut të Athinës, Epaminondas Musios. Aty na dhanë zgjidhjen, të formonim një kompani me karakter social, një formë e re që sapo zbatohej në Greqi dhe ofron mënyra të ndryshme të aktivizimit të anëtarëve, me kosto të ulët. Falë kontaktit të Luela Hajdaraga me Kostas Bakojanis ne u orientuam saktë dhe u punësuam më në fund me të drejta të barabarta me koleget greke. Pas rreth 15 vitesh e vetëm për 17 muaj. Por të paktëm i’a arritëm qëllimit, plus që dimë dhe si të veprojmë këtej e tutje.
Merita Muja: Tashmë edhe kjo periudhë po i afrohet fundi e ne duhet të riorientohemi sërish e të kryejmë disa hapa të tjerë. Do e gjejmë zgjidhjen, sepse tani e dimë se kush punon vërtet pro interesave të emigrantëve, punëtorëve të ndershëm e të sakrificës. Nuk kemi më vetëm kundërshtarë, por edhe aleatë, e madje shumë të fuqishëm!












