E kush më mirë do të mund ta shkruante sesa një mësues i apasionuar i kultivimit tek të rinjtë të virtyteve më të larta njerëzore?! Është e vërtetë se kushtet ekonomike apo sociale kanë imponuar emigrimin e njerëzve, por kur bazat morale dhe familjare janë të forta, rikthimi dhe riinvestimi me më shumë dashuri e përkushtim në atdheun tënd, bëhet mision. “Me besimin e madh tek Zoti, – thekson Gentjani, – dhe vullnetin e mirë, çdonjëri nga ne mund të arrijë gjëra të mëdha dhe të vendosë një gur shtesë në urat që lidhin vendet.”
Larguar nga mësimdhënia për shkak të vështirësive ekonomike, drejt Selanikut, në vitin 1995, mësuesi Gentjan Ziu nuk mendoi për asnjë moment se ky do të ishte një udhëtim pa kthim. Për këtë, me imazhin e brezit të nxënësve që la pas dhe atyre që do vinin në vazhdim, vendosi të ndërtojë një udhë me dy kahe, cila do të lehtësonte qarkullimin e njerëzve e të kapitalit dhe do të rriste dashurinë e tyre për fqinjët….nga Sulova në ishullin e famshëm Mikonos dhe anasjelltas. Punësuar fillimisht në fushën e shërbimeve bar –restorant e më pas në sektorin e ndërtimit, Gentjani spikati në komunitetin e Mikonos për mirësjelljen, saktësinë dhe korrektesën. Si një nxënës i përkushtuar i ustallarëve të ndërtimit, shumë shpejt mësoi të gjitha proceset e punës dhe nuk ngurroi të merrte përsipër menaxhimin e punimeve dhe t’i finalizonte me sukses ato.
Thonë se Zoti shpërblen guximtarin…dhe Gentjani e materializoi katërcipërisht këtë shprehje. I përfshirë vrullshëm në menaxhimin e ndërtimeve dhe pasurive të paluajtshme në Mikonos, Santorini, Naksos, Tinos dhe ishujt përreth, themeloi grupin e kompanive “Ziu Group Mykonos” https://ziugroupmykonos.com/ me tre portofole: ndërtim, real estate dhe konsulencë, i cili prej vitesh ka krijuar një emër të mirë në treg.
Mikonos vërtetë është një ishull i njohur botërisht dhe shtëpia e dytë e mijëra shqiptarëve që kanë kontribuar me djersën e tyre në ngritjen e emrit të tij, por Sulova mbetet dashuria e madhe e Gentjanit. Në Sulovën me bukuritë natyrore, kulturore dhe njerëzore, e cila i dha aq shumë dhe me ëndrrën se një ditë do t’i kthente “borxhet shpirtërore”, ai është duke investuar në fushën e bujqësisë, agro-përpunimit të frutave dhe agro-turizmit, duke krijuar Agrobiznesin “Sulova” si dhe një qendër sportive për fëmijët dhe të rinjtë e zonës.
Gentjanin e sheh shpesh në takimet e delegacioneve të Bashkisë Mikonos në Shqipëri. Me papërtueshmëri dhe me iniciativa personale ai lobon fort dhe në të gjitha nivelet për brandimin e turizmit shqiptar dhe mikonian si dhe njohjen më të mirë të të dy popujve. Është i bindur se secili mund të bëjë një punë të madhe në forcimin e marrëdhënieve të të dy vendeve, duke shfrytëzuar burimet e dashurisë brenda vetes për vendin që i lindi dhe atë që i prosperoi. “Çdo gjë do të jetë më mirë për të tërë, nëse punojmë bashkërisht, me besimin në Zot, në aftësitë e çdonjërit dhe me vështrimin nga sytë e fëmijëve tanë, për të bërë një botë më solidare dhe më njerëzore”.
Nga Sulova në Mikonos, në vitin 1997 u hodhën themelet e një udhe me dy kahe, e cila po sjell gjithnjë e më shumë vizitorë dhe investitorë grekë në Shqipëri, gjithnjë e më shumë vizitorë dhe investitorë shqiptarë në Mikonos. Një rrugë në ndërtim për vite me rradhë, e panjohur për shumëkënd dhe ende e paemërtuar, por krijuar me baza të forta, me shumë përkushtim dhe shumë dashuri për të dy popujt nga mësuesi sulovar Gentjan Ziu.
Marrë nga faqja e Ambasadës shqiptare në Greqi



