Pjesa informative e programit u mbart nga kryetari i LAPSHit Melazim Ukaj që informoi mbi ecurinë e mësimit të gjuhës shqipe në Bavari
Drejtuesi i qendrës shkencore albanologjike universitare në LMU Prof. Bardhy Demiraj ligjëroi mbi mësimin e gjuhës shqipe në kuadrin universitar akademik, duke theksuar një bashkëpunim të mundshëm mes Qendrës shkencore të Albanologjisë dhe mësueseve/mësueset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Bashkë me Prof. Demiraj në aktivitet morën pjesë dhe student dhe Doktorant të Albanologjisë.
Mësuesja e qytezës Starnberg, Enela Markja organizoi dhe moderoi mbrëmjen duke theksuar që, kjo hapësirë mësimore që krijohet përgjatë mësimit të gjuhës shqipe rrjetëzon dhe konsolidon komunitetin, i cili megjithë distancën fizike dhe hapësirat kohore kultivon dhe ruan me pasionin e patriotizëm gjuhën dhe kulturën shqiptare, si pjesë e identitetit tonë kombëtar. Megjithatë u theksua gjithashtu që mësimi i gjuhes shqipe në Diasporë ka shumë konkurrentë, jo vetëm gjuhët e tjera, por dhe shumë aktivitete që zhvillohen në kohën e lirë. Këto aktivitete kanë shumë rëndësi në zhvillimin dhe integrimin e fëmijëve, është detyra dhe sfida e institucioneve, shkollave shqipe dhe mësuesve, që në përshtatje me komunitetin të krijojnë struktura dhe koncepte të qëndrueshme për kultivimin e gjuhës dhe kulturës tonë në Diasporë.








