Ditën e diel, më 2 Tetor 2022, filloi mësimi i gjuhës shqipe në pikën shkollore në Rendi-Athinë.
Sot, vërtet ishte një ditë gëzimi, një ditë takimi, një ditë shumë e rëndësishme për gjuhën shqipe, për nxënësit, për prindërit por dhe për mua si mësuese e gjuhës shqipe.
Në fjalën gjuhe shqipe shoh çdo fëmijë të mërgatës sonë, ku çdo vit i ftoj me përqafime dhe me tringëllimën e ziles shkollore të mësojmë gjuhën shqipe e të njohin kulturën e identitetit të tyre.
Gjithësecilit nga ne i ndriti buzëqeshja në oborrin e shkollës nga kjo tringëllime zileje, e me shumë urime për suksese i pritëm nxënësit.
Por kjo zile e parë shkollore është dhe një tringëllim apel, për gjithë mërgatën tonë në Greqi për të mos i lënë vetëm mësuesit në këtë mision vullnetar, por të bashkohen të gjithë me ne për gjuhën shqipe, sepse gjuha shqipe është ajo që na bashkon e na vëllazëron si shqiptarë këtu në dhè të huaj.
Kjo tringëllimë e pare e ziles shkollore fton edhe të tjerë fëmijë që ende nuk janë ulur në këto banka shkollore e të mësojnë gjuhën shqipe me bashkëmoshatarët e tyre.
Dëshira për t’iu mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, çdo vit është dhe më e madhe.
Kjo dëshirë dhe detyrë kombëtare kërkon kohë, kërkon përgatitje, por më shumë kërkon edhe durim edhe guxim të kërkosh për këta fëmijë nga institucionet shtetërore vendase, për të arritur atë qëllim që kam, dhe të realizoj atë detyrë që na ngarkoi koha në mësuesve shqiptarë në Diasporë, t’iu mësojmë fëmijëve tanë gjuhën tonë amtare, gjuhën tonë të shtrenjtë, gjuhën tonë të shenjtë, gjuhën që i identifikon dhe përfaqëson kombësinë e tyre shqiptare, gjuhën e etërve tanë.
Entuziazmi i fëmijëve iu shtua kur kënduam së bashku me prindërit Himnin Kombëtar! Të gjithë këndonin Himnin me seriozitet fëminor dhe dorën e vogël e mbanin mbi zemër si shenjë respekti. Lumturohesha që nxënësit nuk e kishin harruar Himnin, kryekëngën e kombit shqiptar.
Pas ceremonisë përshëndetëse mësuesja kishte hartuar një bashkëbisedimi të lirë. Shumë nga nxënësit tregonin se verën e kishin kaluar në Shqipëri. Përshkruanin momente e vende të bukura që kishin vizituar me prindërit e me të afërmit e dashur, kishin kryer dhe vizatime ku më befasuan.
Vazhduam ditën e parë të mësimit duke folur për Alfabetin Shqip që është një prej simboleve tona kombëtare.
Shpresojmë se edhe këtë vit shkollor Alfabeti Shqip dhe Gjuha Shqipe do të na udhëheqë në botën e bukur të kapitujve mësimore, ku do të shkruajmë e do të lexojmë shqip, do të kuptojmë mire atë që lexojmë, do të komunikojmë e do të këndojmë shqip, do të recitojmë vjersha bukur, sepse çdo gjë është shumë e lehtë kur e njeh mire gjuhën e Nënës, gjuhën shqipe.
Prandaj dhe në këtë vit shkollor do të mësojmë, do të plotësojmë projektet dhe dëshirat tona, do të argëtohemi dhe do të jemi miq më të mirë me Gjuhën Shqipe!
Mësimi shqip në pikën shkollore në Rendi-Athinë mundësohet:
Nga bashkëpunimi i prindërve dhe i komunitetit shqiptar në Athinë.
Nga bashkëpunimi i Bashkisë së Rendit.
Nga bashkëpunimi i Ambasadës Shqiptare në Athinë.
Nga bashkëpunimi i Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Me mirënjohje Lefteri Metkaj, mësuese e gjuhës shqipe në Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi.