Në Prizren u dha premiera botërore e veprës origjinale “Monade” e kompozuar nga pianisti dhe kompozitori i njohur Robert Bisha.
“Kompozitori Bisha, solli një krijim jo të zakontë ku përfshiu edhe orkestrën e Filarmonisë së Kosovës me një formacion gjithashtu të rrallë”, thuhet në postimin online të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, të Kosovës.
Kompozimi i Robert Bishës përfshiu Orkestrën Filarmonike, pjesë të korit, solistë, 2 kitara elektrike, piano dhe çifteli performuar nga vetë kompozitori, incizim paraprak elektronik dhe shumë lloje të efekteve zanore të performuara nga i gjithë formacioni.
Koncerti u mbajt në Kino Lumbardhi që këtë vit mbush 70 vjet nga themelimi.
Ky ishte një bashkëveprim shumë i rëndësishëm i talenteve, zhanreve dhe kapaciteteve shprehëse muzikore, nga institucioni më i lartë i muzikës koncertale në Kosovë dhe një moment mjaft me rëndësi për qytetin e Prizrenit.
Vepra “Monade” ka një narrativë në secilën nga tetë pjesët e saj dhe mundohet ta shohë në çdo këndvështrim Prizrenin. Ka qenë “Lumbardhi” vendi ku kompozitori mbajti të vetmin koncert gjatë vitit 2020 në kohën e pandemisë, kur në prani të 50 personave, në oborr, intepretoi “Home Neverland” për solo-piano.
Robert Bisha është një virtuoz i pianos, i vlerësuar nga kritika. Lindi në 1984, në Vaun e Dejës, dhe kreu studimet në Itali, kur megjithëse diplomohet për piano, mund të konsiderohet poli-instrumentist e gjithashtu kompozitor. Zakonisht në koncertet e tij, ai luan në disa vegla muzikore. Robert Bisha ka kompozuar edhe për kinematografinë italiane, duke arritur të marrë vlerësime si çmimi i parë “Premio Pertini” si dhe çmimin më të rëndësishëm italian “David di Donatello”, për kolonën zanore të filmit “Anija”, i Roland Sejkos./ATA/