“Më mirë ndiz një qiri, se sa të mallkosh errësirën.
Kështu, të gjithë së bashku do të kemi më shumë dritë”.
Me këtë porosi unikale të Nënë Terezës, Kryetari i Komunitetit Shqiptar të Selanikut, Dr. Luan Zyka, hapi Veprimtarinë Përkujtimore “Drita e Gonxhes”, në jubileun e 112-vjetorit të lindjes dhe 25-vjetorit të vdekjes së Shënjtores Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu.
Veprimtaria u zhvillua nga Komuniteti Shqiptar i Selanikut në bashkëveprim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare (ITSHKSH) të Shkupit, në datën 3 shtator 2022, në Selanik, ku morën pjesë shqiptarë të diasporës së Selanikut, si edhe dhjetra qytetarë grekë.
Midis të ftuarve, mbresëlënëse ishte prania e ish-sekretares së Nënë Terezës ardhur enkas nga India, motra Lysa (MC), si edhe motrat e Nënë Terezës që veprojnë në Selanik me në krye motrën Maximiliana.
Gjithashtu, ishin të pranishëm veprimtari dhe humanisti patriot nga Prishtina Mehmet Prishtina, Prof. Dr. Skënder Asani drejtor i ITSHKSH nga Shkupi, z. Emin Azemi botues dhe publicist i njohur nga Shkupi, ish-prefekti i Selanikut P. Psomiadhis, At Jeryz Owsiak CM famulltar i Kishës Katolike të Selanikut, znj. Jonida Mançellari diplomate e Konsullatës së Përgjithshme të RSh në Selanik etj.
Me vëmëndje u dëgjuan letra përshëndetëse e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë znj. Lindita Nikolla, letra e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Vasil Tole, mesazhet e urimeve nga znj. Luela Hajdaraga, ambasadore e Shqipërisë në Athinë, z. Arqile Sota, Konsull i Përgjithshëm në Selanik, prof. Rafail Lipi etj.
Dr. Luan Zyka, Kryetar i Komunitetit Shqiptar në Selanik, së pari falenderoi famulltarin e Kishës Katolike të Selanikut At Jeryz Owsiak CM për ofrimin e sallës së takimit.
Në fjalën e tij Dr. Zyka e cilësoi historike këtë veprimtari, sepse ishte hera e parë që shqiptarët në Selanik dhe në Greqi përkujtojnë kaq mrekullisht Shenjtoren e tyre Nënë Terezën, Gonxhe Bojaxhiun, së bashku me sekretaren e Nënë Terezës, Sistër Lysa (MC), e cila sapo kishte ardhur nga Kalkuta e Indisë, si edhe me Motrat e Nënë Terezës që veprojnë në Selanik.
Nën buzagazin e Hyjnor të Nënë Terezës u mblodhën së bashku këtu njerëz jo vetëm nga Selaniku, por edhe nga treva të tjera brenda dhe jashtë Greqisë. Dhe jo vetëm shqiptarë, por edhe njerëz nga kombe dhe shtete të ndryshme. Sepse dashuria dhe respekti midis njerëzve është hyjnor, se ashtu siç thoshte Shenjtorja Nënë Tereza, “njerëzit janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur”.
Gonxhe Bojaxhiu, ashtu si ne, ashtu si milionat e emigrantëve, të cilët emigrojnë për të gjetur veten, mori rrugën e vështirë të largimit nga familja atërore, për të krijuar familjen e madhe të Motrave të saj dhe për ti përcjellë dritën dhe ngrohtësinë Hyjnore familjes së madhe njerëzore.
Dhe këtë e arriti jo duke u pëfshirë në valën vezulluese të pasurimit dhe të një jete me bollëk qe ofronte sistemi perëndimor, në kulmin e zhvillimit në vitet ’70, 80′, as në sistemin e “figurave top star” të ikonave mediatike të Elvis Presley, Beatlles, Monroe etj. Por, përkundrazi, murgesha Tereza, doli nga manastiri dhe shkoi në lagjet dhe rrugët më të varfëra të Kalkutës , për tu dhënë ndihmë, shpresë, dritë dhe dinjitet qënieve të braktisura të një bote tjetër, të varfër, të sëmurë të braktisur. Me veprën e Saj, Ajo zbuloi para botës anën tjetër, atë të “nënbotës” së sëmurë. të braktisur duke bërë që para shtatit të saj të vogël të përkuleshin kryetarët e shteteve më të mëdhenj të planetit.
Gonxhe Bojaxhiu, në shërbim të përkushtimit të saj u bë murgeshë, u bë Nënë e Njerëzimit duke theksuar kudo gjakun e saj shqiptar, jo vetëm biologjikisht, por edhe si vlerë jete kur i shkruan në shqip ish presidentit të Shqipërisë më 29 tetor 1989, “ Unë jam kam dhan “besën e shqiptarit“ Zotit me prue dashni and pagje mbe gjith boten”.
Gjithshtu Dr. Zyka theksoi se ishte figura e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze që bashkëdyzoi anën pëmbajtjesore dhe solemne të kësaj ngjarjeje si hap i parë i një koordinimi institucional midis ITSHKSH dhe Komunitetit Shqiptar të Selanikut, me theks të posaçëm në gjetjen e pikëtakimeve kulturore në kuadër të integrimeve rajonale dhe europiane.
Motër Lysia (MC), ish sekretare e Nënë Terezës, dukshëm e prekur nga kjo veprimtari, solli copëza kujtimesh nga vitet e kaluara bashkë me Nënë Terezën. Ajo zgjoi emocione tek të pranishmit me kujtimet e saj nga jeta e përbashkët me Nënë Terezën deri në frymën e fundit tokësore të Saj, dhe me kujtimin se Nëna Tereze vazhdimisht kishte thënë: “E kam në zemër popullin tim, popullin shqiptar”.
Drejtori i ITSHKSH, Prof. Dr. Skender Asani, tha se, “ITSHKSH po e zgjeron fushëveprimin e vet edhe duke u hapur ndaj publikut të gjerë, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë. Me një synim të tillë u zhvillua edhe ky aktivitet në Selanik”, tha i cili falënderoi drejtuesit e Kishës katolike të këtij qyteti si edhe nikoqirin dhe organizatorin Dr. Luan Zyka.
Dr. Asani shpalosi disa detaje interesante që lidhen me këtë figure, që doli nga dera e Bojaxhinjve bujarë duke shkelur kalldërmin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.“Ne duhet të bëjmë shumë më shumë që Gonxhe Bojaxhiu të njihet edhe më shumë në botë, sepse ajo është e jona, kurse Nëna Tereze është e botës mbarë. Për këtë qëllim është themeluar departamenti që e mban emrin e saj, e që ka për synim ngritjen e në një nivel më dinjitoz gjithë vëmendjen shkencore e kulturore për Gonxhe Bojaxhiun- Nënën Tereze, figura e së cilës së shpejti do të shpallet aset shtetëror i mbrojtur me ligj, u shpreh prof.dr. Asani.
Humanisti patriot, studiuesi dhe bashkëpunëtori i Jashtëm i ITSHKSH, Mehmet Prishtina theksoi “Kjo mbrëmje që po na bashkon sonte nuk do të mund të ishte kaq madhështore pa kontributin e Komunitetit Shqiptar në Selanik”.
Pasi foli për Selanikun, si qytet heterogjen me histori traditash dhe diversitet kulturash, Prishtina nënvizoi se ky qytet helen, siç po e shohim edhe tani, u bë një vend mikpritës i mijëra emigrantëve shqiptarë, të cilët aty e gjetën mbijetesën ekonomiko-sociale, zhvillimin në karrierë dhe perspektivën e jetës së tyre.
“Një mirënjohje e thellë për këtë organizim shkon për Komnunitetin Shqqiptar në Selanik, në krye me Luan Zykën, por edhe për krerët e Kishës Katolike, të cilët i hapën dyert dhe zemrat për karvanin tonë nga Shkupi, i cili udhëtimin e vet po e vazhdon në kërkim të unitetit dhe mirëkuptimit ndërvëllazëror e ndërnjerëzor”, theksoi Prishtina.
Edhe motra Maximiliana, përgjegjëse e “Misionit Bamirës” të Nënë Terezës në Selanik, foli për përvojën e saj në rrugëtimin e saj dhe të motrave tjera në disa vende të Ballkanit, ku u nderua dhe vlerësua figura e Nënë Terezës.
Aktivistët drejtues të Komunitetit Shqiptar të Selanikut, administratorja Flora Coku, piktori Foti Kllogjeri, poeti Dhimitër Nica, sipërmarrësi Mark Marku shprehën ndjenjat e tyre ndaj vlerave humane që na përcjell vepra dhe jeta e Shenjtores Nënë Tereza.
Veprimtaria përkujtimore u shoqërua me një program artistik nga grupi artistik “AlbVoices”, ku nga Lindita Prendi Zefi dhe Romeo Sukaj, u recituan poezi në shqip, greqisht dhe anglisht të shkruajtura nga Nënë Tereza, si edhe u këndua një këngë me çifteli kushtuar Nënë Terezës nga emigrantët shqiptarë.
Programi artistik arriti kulmin dhe peshën e emocioneve drithëruese duke dëgjuar “Ave Maria” të Puccinit dhe “Valsin Hyjnor” të Genc Tukiçit kushtuar Shenjtores Nënë Tereza, kënduar nga soprano e Operës së Selanikut Anila Tërshana, dhe shoqëruar në piano nga maestro Eljona Eleni Sinjari.
Në fund të kësaj veprimtarie plot emocione, mbresa, ndjenja dhe mësime për të ardhmen nga Shenjtorja Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu, Komuniteti Shqiptar i Selanikut shtroi një darkë për të pranishmit.










