Në Ambasadën e Italisë në Tiranë u mbajt sot një konferencë për shtyp lidhur me komunikimin e rezultateve të arritura gjatë takimit të parë të negociatave.
Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, u shpreh në fjalën e tij në konferencë se, “në përfundim të disa ditëve intensive pune dhe negociatash është dakordësuar teksti që do të rregullojë marrëveshjen e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore mes Italisë dhe Shqipërisë”.
“Është një rezultat i rëndësishëm, një rezultat i madh, fryt i punës së këtyre muajve, por është një problem që e mbartnim për shumë vite”, tha ambasadori Bucci.
“Kjo marrëveshje do të jetë instrumenti juridik që do të lejojë më në fund të mbulojë këtë boshllëk që ishte në marrëdhëniet dypalëshe”, theksoi ai.
“Janë mbi 700 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali që gjithë këto vite kanë derdhur kontributet për pensionin. Por ka dhe shumë qytetarë italianë që punojnë këtu dhe derdhin kontribute. Tani është dhe kategoria e pensionistëve italianë që vendosen këtu në Shqipëri. Kështu që ishte nevoja e këtij mekanizmi që të rregullonte nga pikëpamja e pensioneve marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Bucci.
Senatori Tommaso Nannicini u shpreh në fjalën e tij se “ishin disa ditë negociatash, të një beteje për të drejtat që vazhdon prej vitesh. Ka prej disa vitesh që mohohen të drejtat e njerëzve, që me punën dhe sakrificën e tyre kanë dhënë kontributin e tyre në dy vende me lidhje të forta ekonomike dhe kulturore. Por me gjithë këto sakrifica, punë, kontribute, ka të drejta që nuk njihen dhe nuk arrijnë jetën e njerëzve. Kjo betejë që ndihmon komunitetin shqiptar dhe italian sheh më në fund një pasazh të rëndësishëm”.
“Negociatat e të dy delegacioneve u zhvilluan në një klimë të një objektivi të përbashkët. Edhe pse ishim në krahë të ndryshëm të tryezave, perceptohej se punonim për të njëjtin objektiv, të cilin e arritëm. Kemi më në fund një tekst të firmosur nga të dy delegacionet. Është një tekst që përkthen ato kërkesa në të drejta. tani pasazhi tjetër është që këtyre firmave t’u bashkohen firmat zyrtare të dy qeverive”, tha Nannicini.
“Është një tekst që duhet ta gjejë mbylljen në këtë legjislaturë, nuk duhet të dorëzohet tek tjetra. Qëllimi ynë është të kthehemi në Itali dhe menjëherë të nisim kontaktet me qeverinë shqiptare për firmën zyrtare të marrëveshjes, përpara legjislaturës në Itali, që do të thotë shtatorit. Më pas, kur të jetë firma zyrtare do të mund të bëhen ato pasazhe të tjera nga ana teknike dhe administrative”, theksoi Nannicini.
“Ato pasazhe teknike nga të dy institutet e Sigurimeve Shoqërore të të dy vendeve, unë jam i sigurtë që pas firmës zyrtare do të përmbyllen në mënyrë të shpejtë”, tha ai.
Geri Ballo, nismëtare e peticionit, tha se “pensioni është një e drejtë. Mbështesim marrëveshjen Itali-Shqipëri. Komuniteti shqiptar në Itali është komunitet i rëndësishëm sa i përket shifrave, kontributit si ekonomik, social e kulturor”.
Duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit që firmosën peticionin, Balla u shpreh se, “kemi trokitur drejtpërdrejt në dyert e politikës shqiptare duke kërkuar që të njihemi në të drejtat tona si qytetarë të adoptuar në Itali. Dhe patëm fat, sepse trokitëm në derën e senatorit Tommaso Nannicini, i cili vuri pasionin që do të vinte një shqiptar, por me bagazhin politik dhe teknik të një italiani me merita të veçantë dhe kjo ishte fat”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



